Kreu i gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda, Fehmi Petku është shkarkuar nga detyra me vendim të KPK-së.
Petku nuk ka arritur të kalojë “sitën” e Vetting-ut, pasi u akuzua gjatë seancës nga KPK për fshehje të pasurisë, deklarim të rremë dhe kontakte të papërshtatshme.
Këto akuza, Petku i mohoi gjatë seancës duke thënë se janë të pasakta.
“Janë siguruar edhe informacione për përfshirje në korrupsion pasiv në shqyrtimin e çështjeve gjyqësore”, tha relatorja e seancës, Pine.
Kjo e fundit, teksa relatoi raportin e DSIK-ut, shtoi se janë konstatuar të dhëna për djalin e gjyqtarit Petku, ku ngriheshin dyshime se mund të vihej nën presion nga krimi i organizuar. Këto përfundime të DSIK-ut dhe Komisionit u kundërshtuan nga Petku, i cili vuri në dyshime punën e Drejtorisë.
Gjyqtari tha se njëri prej dy raporteve duhet të jetë i paligjshëm.
“Ose i pari është i paligjshëm, ose i dyti”, u shpreh Petku, ndërsa shtoi se hetimi për figurën është bërë përtej afatit ligjor.