Në vendkalimin kufitar mes Kosovës dhe Serbisë në Dheun e Bardhë është ndaluar nga policia serbe, Sërgjan Jovanoviç, anëtar i Partisë Liberale Serbe, njëherësh këshilltar i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.
Në lidhje me këtë ngjarje ka reaguar Sllobodan Petroviç, kryetar i Partisë Liberale Serbe, i cili tha se ky nuk është rasti i parë që zyrtarët e kësaj partie ndalohen në vendkalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.
“Jovanoviç është ende në vendkalim. Pjestarët e Ministrisë së Brendshme të Serbisë i kanë thënë atij se kishin një urdhër për ta mbajtur atë deri në ardhjen e anëtarëve të BIA-s (Agjencia për Siguri dhe Informacion të Serbisë) për ta intervistuar”, ka thënë Petroviç duke kërkuar reagimin e menjëhershëm për këtë rast të autoriteteve vendore dhe ndërkombëtare.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se ky rast dëshmon qartë se metodat e frikësimit që përdoren nga autoritetet serbe, janë një shenjë agresioni, karshi qytetarëve të Kosovës.
Akti i ndaljes së Sërgjan Jovanoviçit nga ana e autoriteteve serbe, sipas kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka për qëllim nxitjen e urrejtjes dhe pasigurisë tek serbët e Kosovës.