Teksa mori fjalën në foltoren e Kuvendit, kryeministri foli edhe në lidhje me akuzat e opozitës për Reformën në Drejtësi.
Ai tha se reforma ka përjashtuar nga sistemi 60 gjyqtarë e prokurorë, që e kanë liruar vendin nga një peshë e madhe.
Pjesë nga fjala e Ramës:
“Kujt është mësuar të flasë dhe recitojë përmendësh edhe në hapësira të ndryshme demokratike të vendeve të BE për peshq të mëdhenj, i duhet dhënë një përgjigje shumë e thjeshtë, çfarë lloj peshqish janë ata që sot janë përjashtuar nga sistemi i Drejtësisë?
Janë të vegjël? Ç ‘peshq kanë pasur ata mbi shpatullat e këtij vendi dhe sa e kanë penguar këtë vend të bëjë një luftë me krimin dhe korrupsionin në proceset hetimore apo gjyqësore?
Dhe përgjigja është shumë e qartë, e kanë penguar jashtëzakonisht shumë duke vënë precedentë të rrezikshme që janë kthyer në normë e duke e kthyer pandëshkueshmërinë në normë.
Mbi 60 gjyqtarë e prokurorë të përjashtuar nga sistemi, që do të thotë se një peshë e madhe është hequr dhe një lehtësim i madh i është bërë procesit të funksionimit të institucioneve të pavarura të drejtësisë”, theksoi Rama.