MENU
klinika

“Çështja e Kosovës”

Llosa: Millosheviç përgjegjësi kryesor

30.04.2019 - 12:06

Së fundmi, ka dalë nga shtypi libri “Çështja e Kosovës”, me autor nobelistin peruan, Mario Vargas Llosa. Titulli i librit me ese që trajtojnë çështjen e Kosovës, është vënë në marrëveshje me autorin. “Çështja Kosovës” pasqyron mendimin dhe mbështetjen e humanistit Mario Vargas Llosa, për ndërhyrjen e trupave të NATO-s për çlirimin e Kosovës nga pushtimi serb.

 

 

Gjatë viteve ’90-të të shekullit që lamë pas, kur Kosova përballej me regjimin e egër serb, intelektualët e perëndimit u ndanë në dy pjesë: në përkrahës të Kosovës dhe në përkrahës të Serbisë. Mario Vargas Llosa ishte ndër intelektualët të cilët e ngritën më shumë zërin si përkrahës të çështjes së Kosovës, duke e akuzuar vazhdimisht regjimin e Millosheviçit për genocid ndaj popullsisë kosovare dhe duke polemizuar me shumë intelektualë në mbarë botën.

 

 

Në esetë publikuar në mediet spanjolle,që i ka përzgjedhur ekskluzivisht për botimin në gjuhën shqipe me titullin “Çështja e Kosovës”, Vargas Llosa shfaqet si një mbështetës i zjarrtë i shqiptarëve të Kosovës dhe si një intelektual që ndërgjegjëson të huajt, për përkrahjen e ndërhyrjes se trupave të NATO-s në Kosovë. “Nëse NATO nuk e fiton këtë luftë, dy milionë kosovarë humbin vendin, shtëpitë, tokat dhe shumica prej tyre, jetën. Kjo bindje shumë prej nesh na bën, jo pa frikë dhe dyshim, ta mbështesim ndërhyrjen”, – thotë Vargas Llosa, në esenë “Zjarrmitë pacifiste”, botuar në librin “Çështja e Kosovës”, dalë nga shtypi këto ditë, në gjuhën shqipe. “Konflikti aktual i Kosovës, filloi dhjetë vjet më parë, kur Millosheviçi, për ta arritur pushtetin absolut në Jugosllavi, shfuqizoi autonominë e Kosovës dhe nxiti fushatën nacionaliste në favor të Serbisë së Madhe, që rezultoi me shkëputjen e Sllovenisë dhe të Kroacisë, me masakrat dhe copëzimet pasuese të Bosnjës. Edhe pse jo i vetmi, regjimi i Millosheviçit ka qenë përgjegjësi kryesor për tragjedinë kosovare. Shumë nga ne që e mbështetëm ndërhyrjen ushtarake të NATO-s e bëmë sepse kemi qenë të bindur që objektivi i saj, ishte ndalimi i shfarosjes së shqiptaro-kosovarëve përmes likuidimit të regjimit diktatorial të Millosheviçit dhe vendosja e demokracisë në Jugosllavi, që do të thotë një regjim i ligjshmërisë dhe lirisë, që në kuadrin e marrëveshjeve të Rambujesë të negocionte me kosovarët, një sistem bashkekzistence ose pavarësie, çfarë do të sillte paqe në rajon”, – ka shkruar, Llosa.

 

 

Libri çelet me një parathënie nga prof. dr. Blerim Latifi, i cili e analizon gjendjen e Kosovës së asaj kohe dhe qëndrimin e intelektualëve të huaj për çështjen e Kosovës. “Për disa, NATO kishte cënuar njërin nga parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare, parimin e sovranitetit të shteteve. Kaq mjaftonte që sulmi mbi Jugosllavinë, të shihej si një agresion brutal klasik dhe Millosheviçi, si një luftëtar në mbrojtje të ligjit dhe të së drejtës ndërkombëtare.

Noam Chomsky, Alain Badiou, Peter Handke, Régis Debray e ndonjë tjetër ishin në mesin e intelektualëve që mbrojtën një pikëpamje të tillë, duke e shtuar me këtë listën e intelektualëve që autoritetin e tyre akademik e vunë në shërbim të shkatërruesve të lirisë njerëzore dhe në të njëjtën kohë u bënë edhe një armë më tepër në duart e rrënuesve të racionalizmit etik të iluminizmit.

Në kundërshtim me ta, emra të tjerë shumë të njohur të filozofisë, letërsisë dhe artit perëndimor zhvilluan pikëpamjen mbi drejtësinë dhe arsyeshmërinë e ndërhyrjes nga NATO. Në mesin e tyre, gjejmë emra të tillë, si: Jürgen Habermas, Günter Grass, Bernard Henri Lévy, Jean Baudrillard, Edgar Morin, Václav Havel, Alain Finkielkraut, Zbignieë Brzezinski e shumë e shumë të tjerë. Gjejmë po ashtu edhe Mario Vargas Llosan, shkrimtarin nobelist peruan”, – është shprehur profesor Latifi, në parathënien e tij.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN