Menu

Ambasadorja e SHBA në OKB

‘Amerika s’ka ndryshuar qëndrim për Kosovën’

21.09.2018

Çështja e ndryshimit të kufirit mes Kosovës dhe Serbisë ka është komentuar edhe nga ambasadorja e SHBA-ve në OKB, Nikki Haley. Sipas Haley, pozicionet e qeverisë amerikane në lidhje me Kosovën nuk kanë ndryshuar.

E pyetur nga media për deklaratën e John Boltonit se “SHBA është e hapur nëse liderët në Ballkan bien dakord për ndryshim kufijsh”, ambasadorja e SHBA pranë OKB, Nikki Haley tha se pozicionet e qeverisë amerikane nuk kanë ndryshuar.

“Unë nuk besoj se pozicionet kanë ndryshuar. Unë mendoj se ajo që po pyesni ju është ajo ç’ka po themi ne gjatë gjithë kohës. Ka individë që flasin me administratën dhe ka njerëz nga administrata, që po ashtu flasin.”

Nikki Haley e bëri këtë deklaratë kur doli para medias pas një takimi të Këshillit të Sigurimit. Ajo shpjegoi pikat kryesore të axhendës javën e ardhshme kur kryetarët e shteteve të botës do të mblidhen në Asamblenë e Përgjithshme. Edhe presidenti amerikan Donald Trump, do të jetë prezent. Nga anoncimet nuk është dërguar deri tani asnjë lloj sinjali se mund të vendoset diçka për Kosovën. Presidenti Hashim Thaçi ka njoftuar se në kuadër të Asamblesë do të takohet me presidentin Trump. Një gjë e tillë nuk është konfirmuar nga pala amerikane ose nga OKB. Por Nikki Haley tha sot se takime të ndryshme do të zhvillohen në kuadër të samitit.

Në New York gjatë javës së Asamblesë së Përgjithshme do të vijnë përveç presidentit Hashim Thaçi, edhe kryeministri Ramush Haradinaj dhe ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli. Secili vjen me axhendë më vete. Nuk duket të ketë ndonjë plan të përbashkët. Edhe takimet që zhvillojnë janë të tilla. Meqenëse Kosova nuk ka vend në Kombet e Bashkuara, OKB qëndron e rezervuar me informimet. Organet e OKB ndodhen me përplasjesh midis unilaterizmit dhe multilaterizmit.

E përkthyer kjo do të thotë që ka vende që kërkojnë të shpërndajnë përgjegjësinë dhe detyrat e OKB midis forcave të ndryshme, dhe të zbusin pushtetin e SHBA brenda OKB. Për Kosovën kjo do të thotë se vendimet duhet të merren edhe nga vende të tjera, jo vetëm nga SHBA. Për fat të keq në mes të këtyre vendeve të tjera bën pjesë edhe Rusia.