Gjatë fjalës së tij në foltoren e Kuvendit, kryeministri Rama foli në lidhje me rikthimin e vizave për Shqipërinë nga Holanda.
Ai e ka quajtur si lojë të brendshme për konsum të politik, por që sipas tij kjo nuk do të ketë asnjë impakt në lëvizjen e lirë të Shqipërisë në zonën e Shengen.
Fjala e plotë:
“Ai vendim u përcoll nëpër kanalet televizive dhe ato dixhitale si të ishte fundi i lëvizjes së lirë të shqiptarëve, ndërkohë që është një vendim thjesht dhe vetëm politik në vazhdën e një procesi elektoral në një vend si Holanda, ku nuk është sekret ka një zhvillim të vazhdueshëm të një politike intensivisht kundër zgjerimit, kundër emigrantëve, intensivisht kundër shqiptarëve.
Shqiptarët janë zgjedhur nga disa parti në atë vend si një kokë turku për retorikën agresive izolaciniste në raport me zhvillimet me BE dhe agresive kundër politikës evropiane të zgjerimit. Është një procedurë parlamentare që nuk ka asnjë implikim direkt në lëvizjen e lirë të shqiptarëve.
Për të shpjeguar, të gjithë duhet ta dinë se për revokimin e lëvizjes së lirë duhet të përmbushen disa kritere objektive, asnjë prej të cilave nuk përkon me realitetin e faktorit nëse e quajmë kështu shqiptar në Holandë.
Ministri për drejtësinë i Holandës reagoi në atë seance duke thënë pikërisht këtë: nuk ka asnjë kriter të përmbushur negativisht për të adresuar këtë problematikë me një vendim parlamenti. Ai që vizitoi Tiranën dhe u shpreh me tone pozitive.
Së pari duhet të ketë një rritje të qëndrueshme të emigracionit të parregullt nga një vend në përkatës të BE, dhe konsiderohet si rritjen e qëndrueshme, dyfishimi i atyre që emigrojnë në mënyrë të parregullt. Fakti flet për rënie, jo për rritje, e lëre pastaj për dyfishim,
Së dyti duhet që rritja e azilkërkuesve në vendin përkatës të BE nga vendi që konsiderohet si burim i problemit të jetë dyfish, ndërkohë që ka rënie.
Së treti duhet të konstatohet mungesë vullneti në bashkëpunimin mes vendeve për kthimet e emigrantëve të parregullt. Jo vetëm nuk ka rënie të bashkëpunimit, por rritje, e konstatuar nga autoritetet holandeze dhe e nënvizuar edhe në vizitën e ministrit holandez.
Së katërti, vendi që merret në shqyrtim të përbëjë kërcënim për sigurinë kombëtare të vendit që do këtë procedurë, nuk ekziston.
Së pesti duhet të konstatohet kthimi pas në zbatimin e kritereve teknike të përcaktuara për lëvizjen e lirë dhe këto kritere vlerësohen nga KE që në dhjetor të vitit të kaluar ka nënvizuar se Shqipëria i plotëson 100% këto kritere
Qeveria holandeze nuk ka dhënë asnjë shenje se do të marrë hapin pas vendimit të parlamentit, në kushtet kur partitë atje duan vota dhe shkelin me këmbë dinjitetin e shqiptarëve, ti drejtohet KE. E pastaj KE nëse ka adresim nga qeveria holandeze, merr e shqyrton kritere që sapo thashë.
E gjitha ajo që ka ndodhur është futja në funksion e disa partive politike që janë haptazi parti me një vokacion në kundërshtim me vlerat dhe parimet që mbrojnë partitë proevropeiste dhe në kushtet e një fushate elektorale por edhe dijeni e plotë se është e gjitha një shfaqje politike me sfond elektoral janë bashkuar edhe vota të tjera për të mos u vënë në trysni.
Lojë e brendshme dhe që nuk impakton në asnjë mënyrë lëvizjen e lirë të shqiptarëve. Zero”, tha ai.