MENU
klinika

Hetim i pasurisë

Si gruaja dhe vëllezërit e Muratajt, investuan shumat e pajustifikueshme në pasuri të paluajtshme

14.04.2019 - 18:55

Një hetim pasuror i nisur për grabitësin e vrarë Admir Murataj dhe familjarët e tij, ka nxjerrë në pah se ata posedojnë pasuri më të mëdha sesa mund të justifikojnë.

Ky është përfundimi i Prokurorisë për Krime të Rënda, i mbështetur edhe nga Gjykata, e cila në 25 mars ka marrë vendimin për sekuestrimin e disa pronave të Muratajt dhe familjarëve të tij. Ndërkohë, në kërkesën për sekuestron, Prokuroria ngre dyshime se pasuritë e krijuara nga aktiviteti kriminal, ishin duke u investuar në pasuri të paluajtshme, apartamente dhe prona.

Prokuroria sqaron se hetimi pasuror ka nisur pas mbylljes së hetimeve dhe dërgimit në gjyq të Admir Muratajt dhe vëllait të tij, Aleksandër Murataj, si përgjegjës për grabitjen në tri raste të blindave me vlera monetare që ishin nisur për në Rinas. Admir Murataj, i ekzekutuar pas grabitjes brenda aeroportit të Rinasit, në datën 9 prill, konsiderohet nga Akuza si organizatori dhe “koka” e grupi, të dënuar tashmë me më shumë se 1 shekull burg, ndër ta edhe vëllai i tij, Aleksandër Murataj. Në kërkesë, organi i akuzës ngre dyshime edhe për ndarjen e Admir Muratajt nga bashkëshortja, Albana Alimadhi. Kjo e fundit ka në pronësi të saj disa pasuri, si dhe ka kryer disa transferta të dyshimta, ndërsa dyshohet se divorci mund të ketë qenë fiktiv.

Nga të dhënat e disponuara nga Prokuroria, në vilën në pronësi të Admir Muratajt, në Vorë, herë pas here shkonte ish-bashkëshortja e Muratajt për ta pastruar, pasi nuk jetonte askush. Teksa rendisin faktet penale dhe akuzat e ngritura ndaj Admir Muratajt dhe Aleksandër Muratajt, prokurorët Ened Nakuçi dhe Manjola Kajana kërkuan nga Gjykata sekuestrimin e pasurive, pasi ka dyshime se mund të jenë krijuar nga aktiviteti kriminal.

Kërkesa e plotë e Prokurorisë:

Procedimi Pasuror Nr.2, datë 04.03.2019, ka filluar mbi bazën e verifikimeve të kryera nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, lidhur me të pandehurit Admir Murataj, Aleksandër Murataj dhe familjarëve të tyre. Në datë 13.03.2018, me arsyetimin se hetimet në ngarkim të të pandehurve Admir Murataj, Dash Kupa, Ernest Kupa, Neim Avdylaj, Fatjon Xhyliu, Ditjon Memlika, Admir Qerpja, Dritan Sinani dhe Aleksandër Murataj, ishin të plota dhe se çështja duhej të dërgohej në gjykim, ndërsa duhej të hetohej për bashkëpunëtorë të tjerë të mundshëm, bazuar në nenin 93 pika 1, germa ‘ç’ e Kodit të Procedurës Penale, u vendos ndarja e procedimit penal Nr.63/2017 në dy procedime më vete.

Nr.63/1 në ngarkim të të pandehurve, për të cilët ishte kërkuar dërgimi në gjyq i çështjes penale në ngarkim të tyre dhe në Nr.63/2017, në ngarkim të personave të tjerë të paidentifikuar, pjesë e grupit të strukturuar kriminal, për hetime të mëtejshme dhe kërkesa për dërgimin në gjyq u pranua nga Gjykata e seancës paraprake sipas vendimit nr. 43 datë 24.4.2018 të Gjykatës së Shkallës së parë për Krime të rënda. Në bazë të ligjit “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, rezulton se shtetasit Admir Murataj, Aleksandër Murataj si dhe familjarët e tyre janë subjekte për kryerjen e verifikimeve pasurore. Kështu, në interpretim dhe zbatim të ligjit, konstatohet se plotësohen njëkohësisht dy kriteret e përgjithshme që kanë të bëjnë me: Ekzistencën e dyshimit të arsyeshëm, të bazuar në indicie që tregojnë se personat mund të jenë përfshirë në veprimtari kriminale dhe zotërimi i pasurive apo të ardhurave, që nuk i përgjigjen dukshëm nivelit të të ardhurave, fitimeve apo veprimtarive të ligjshme, të deklaruara dhe as nuk justifikohen prej tyre.

Në rastin konkret ekziston një rrezik real për humbje, marrje apo tjetërsim të fondeve, pasurive apo të drejtave të tjera, mbi të cilat parashikohet vënia në zbatim e masës së konfiskimit, sipas dispozitave të këtij ligji, pasi nëse subjekti i dyshuar “pronar”, Aleksandër (Shpëtim) Murataj, Admir Murataj (Nikaj), apo personi i lidhur, Can Murataj, mund të kryejnë veprime juridike për tjetërsimin e pasurisë së identifikuar në emër të tyre.

Admir Muratajn e vranë shokët apo policia? Lleshaj sqaron të vërtetën
Admir Muratajn e vranë shokët apo policia? Lleshaj sqaron të vërtetën

Hetimi i familjarëve:

Gjatë hetimit penal janë kryer verifikime jo vetëm për Admir Muratajn dhe Aleksandër (Shpëtim) Muratajn, por edhe për familjarët e tij, e më konkretisht ndaj 13 personave të tjerë të familjes Murataj, por edhe ish-bashkëshortes së Admirit. Për shtetasin Aleksandër Murataj ka pasuri të regjistruar në ZVRPP Tiranë; garazh me sipërfaqe 23 metra katrorë, blerë me kontratën e shitblerjes, që mban datën 26 mars 2016 në vlerën 4.000 USD. Apartament me sipërfaqe 100.5 metra katrorë. Kjo pasuri është blerë me kontratën e shitblerjes së datës 26 mars 2016, për shumën 41.740 dollarë. Shtetasi Shpëtim Murataj (Aleksandër Murataj) ka në pronësi: truall me sipërfaqe 473.50 metra katrorë. Fituar në datë 3 qershor 2008, në shumën 2.998.500 lekë. Kjo pasuri gjendet me adresë Yzberisht, Tiranë dhe është regjistruar në vitin 07.05.2012.

Në emër të shtetasit Admir Murataj figuron e regjistruar pasuria trualli me sipërfaqe 300 metra katrorë dhe ndërtesë me sipërfaqe 65 metra katrorë. Kjo pasuri është blerë në datën 03 qershor 2008 për shumën 2.379.000 lekë. Për shtetasen Albana Alimadhi, bashkëjetuesja e shtetasit Admir Murataj, ZVRPP Tiranë informon se shtetasja Albana Alidhima ka pasuri të llojit pemëtore me sipërfaqe 608 metra katrorë. Kjo pasuri është regjistruar në vitin 2013 dhe blerë në vlerën 1.200.000 lekë. ZVRPP Sarandë njofton se shtetasja Albana Alidhima ka të regjistruar pasurinë si më poshtë: Në zonën kadastrale të qytetit Sarandë, pasuri e llojit apartament me sipërfaqe 71 metra katrorë, volum 17, faqe 28. Ky apartament është blerë në vitin 13.01.2013, në shumën 3.698.316 lekë. Në këtë kontratë, sipas prokurës së posaçme datë 12.01.2013, kjo shtetase është përfaqësuar nga shtetasi Admir Azem Murataj. Drejtoria e Policisë së Shtetit jep të dhëna e mëposhtme: Shtetasi Admir Nikaj (Murataj) ka në pronësi një banesë dykatëshe në Prezë, Tiranë si dhe dy mjete të markave “Mercedes Benz” dhe “Toyota”. Në rrugë operative është mësuar se.

ish-bashkëshortja e tij, Albana Alidhima, ka blerë një apartament në rrugën “Mihal Grameno”, Tiranë në vlerën 185.000 euro si dhe posedon edhe pasuri të tjera që nuk janë të regjistruara në emrin e tyre. Shtetasja Albana Alidhima është e ndarë nga ana procedurale nga shtetasi Admir Murataj, por jeton së bashku me bashkëshortin e saj Admir Murataj. Kjo shtetase ka lidhur disa kontrata për prenotim apartamentesh si dhe ka një vilë trekatëshe në zonën e ish-repartit 3700. Më datë 05.04.2013, shtetasja Albana Alidhima ka blerë pemëtore me sipërfaqe 608 metra katrorë në Mjull, Bathore, Tiranë, kundrejt shumës 1.200.000 lekë. Në datë 05.07.2012 ka porositur për ndërtim apartament banimi, i ndodhur në Sarandë, zona turizëm, Kanali i Çukës, kundrejt shumës 90.000 euro sipas kontratës së porosisë. Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë jep të dhëna e mëposhtme; Vila dykatëshe e ndodhur në fshatin Prezë, Vorë, është në pronësi të shtetasit Admir Murataj (Nikaj), e blerë nga shtetasi D.C.. Aktualisht, në këtë banesë nuk banon asnjeri dhe herë pas here shkon bashkëshortja e shtetasit Admir Murataj, e cila bën pastrimin e kësaj ndërtese.

Transfertat:

Në kërkesën e Prokurorisë janë vënë në sitë edhe tranfertat bankare të ish-bashkëshortes Albana Alidhima. Kësh tu, në datë 12 qershor 2014 ka derdhur për transfertë me jashtë, pranë BKT, shumën 34.000 euro. Në datë 19 gusht 2016 ka derdhur në favor të një shoqërie, për porosi blerje objekti, pranë BKT, shumën 57.000 euro. Në datë 30 shtator 2016 ka kredituar llogarinë pranë Bankës Tirana, në shumën 2.530 dollarë.

Më datë 17 gusht 2015 ka derdhur në llogari të saj pranë BKT, shumën 10.00 GBP me përshkrimin, “Për garanci studimi në Angli”, burimi i deklaruar i të ardhurave, “Nga emigracioni”.

Makinat:

Prokuroria për Krime të Rënda ka sekuestruar edhe 9 makina, në pronësi të Aleksandër Muratajt dhe vëllait të tij, Can Murataj. Kështu, shtetasve Admir Murataj, Can Murataj, Aleksandër Murataj, u janë sekuestruar në kuadër të procedimit penal pasuritë e mëposhtme: Automjet i llojit “BMW X6”, me targa 03866EE, sekuestruar shtetasit Can Murataj. Automjet i llojit fouristradë “Mercedes Benz”. Automjeti fuoristradë “BMW X3”, me targa RKS 03866 EF, sekuestruar të pandehurit Aleksandër Murataj. Automjet i markës “DODGE”, me targa AA 856 PI, sekuestruar shtetasit Can Murataj. Automjet i markës “DODGE”, me targa AA 228HR, sekuestruar shtetasit Can Murataj. Automjet i markës “Mitsubishi”, ngjyrë gri, pa targa, sekuestruar shtetasit Can Murataj. Automjet i markës “Volswagen Tiguan”, me targa 01 611 IH. Automjeti I markës “Land Rover”, model defender me targa 03-668- BU, sekuestruar Can Muratajt, datë 14.02.2017. Një motoçikletë tip “BMW”, model R1200, me targa AN-657, sekuestruar në banesën e Admir Murataj, çelësat dorëzuar nga Can Murataj.

Tre grabitjet:

Më datë 13 shkurt 2015, drejtori i Departamentit të Sigurisë së një banke të nivelit të dytë, vendosi të transferonte një shumë të konsiderueshme monetare në valutë, në drejtim të Austrisë. Në orën l0:46 një punonjëse e bankës ka njoftuar shoqërinë e sigurimit, se në orën l2:30 kërkohej eskortë për transportim vlerash monetare në drejtim të Rinasit. Vlera monetare e destinuar për transport ishte 900 000 franga zvicerane, 800 000 paundë britanikë dhe 16.100 euro, e paketuar në katër qese me peshë totale 49.80 kilogramë.

Në orën 12:30, grupi i shoqërimit me mjetin blind “Land Rover”, fuoristradë, së bashku me makinën e shoqërimit “Volksvagen”, po me ngjyrë të bardhë, u vendos te hyrja e tunelit për në bankë. Roja i bankës, i lajmëruar nga shoqëruesi i vlerave monetare, hapi qepenin dhe lajmëroi informacionin për mbërritjen e eskortës. Shoqëruesi i vlerave monetare lajmëroi personat përgjegjës të Departamentit të Thesarit. Sasia e parave e përgatitur paraprakisht u shoqërua nga personi përgjegjës deri në pjesën e tunelit ku bëhej dalja e saj. Pas hapjes së qepenit, punonjësi mori në dorëzim vlerat monetare, duke mbajtur dy thasë vetë, ndërsa dy të tjerët ia dha kolegut dhe filluan lëvizjen. Në moment tre persona të armatosur dhe me maska dolën me të shpejtë nga vendi përballë qepenit dhe u vunë në ndjekje të tyre. Këta persona nën kërcënimin e armës, së bashku me katër thasët, u larguan me mjetin e eskortës. Mjeti i braktisur u gjet më vonë në rrugën “Sulejman Vathi”, Tiranë.

Grabitja e dytë ndodhi në datën 03 dhjetor 2015, kur drejtorja e Departamentit të Thesarit të një banke të nivelit të dytë vendosi të kryente dërgesën e një fondi të përbërë prej 1 800 000 paundë britanikë, 800 000 dollarë amerikanë, 200 000 dollarë kanadezë dhe 200 000 dollarë australianë, bankës “Raiffesien”, Vjenë, Austri. Rreth orës 13:00, mjeti i blinduar i shoqërisë së sigurimit “Rogat”, me targa TR 4716 L, pas marrjes në Thesarin Qendror të sasisë së paravem të paketuara në dhjetë thasë, u nis në drejtim të Rinasit. Gjatë udhëtimit në drejtim të Rinasit, poshtë Qafë Kasharit, në kryqëzimin ndërmjet rrugëve të fshatrave Bërxull, Domje dhe Laknas, mjetit të blinduar iu pre rruga nga një fuoristradë me ngjyrë ulliri, me fenelinë policie dhe xhama të zinj. Personat e zbritur nga mjeti, të maskuar, të armatosur, të veshur me uniformë policie, qëlluan me armë dhe, me ndihmën e një varreje, çanë xhamin e blindit dhe hapën derën. Personat e armatosur morën sasinë e parave të ndodhur në blind dhe u larguan.

Grabitja e tretë ndodhi në datë 09 shkurt 2017, kur drejtuesi i Departamentit të Thesarit në një bankë të nivelit të dytë vendosi të kryente transport dërgesash monetare për në Rinas, në shumën 2 400 000 (dy milionë e katërqind mijë) euro, 200 000 dollarë amerikanë, 260 000 paund britanikë, 85 000 franga zviceranë, 30 000 dollarë australianë dhe 30 000 dollarë kanadezë, të paketuar në tetë thasë. Gjatë rrugës, para se të mbërrinin tek Universiteti “Epoka”, nga një rrugë dytësore, doli mjeti “Jeep” me xhama të zinj, i cili u përplas me mjetin e parë të eskortës. Nga mjeti “Jeep” dhe nga një mjet tjetër fuoristradë zbritën persona të armatosur, të veshur me uniforma policie dhe me maska. Ata qëlluan me armë, goditën me varre xhamin e blindit dhe, me një gur fresibël, hapën kasafortën e morën paratë.

Ata u larguan me mjetet e tyre, të cilët u gjetën të djegur, ditën e ngjarjes, në fshatin Gjec-Fushë.

Lejuan personin e tretë misterioz në makinën e viktimave të largohej

Masakra në Dobraç/ Gjykata jep vendimin për 4 efektivët e “Shqiponjave”

“E gjithë Shqipëria në Tiranë!”

Berisha njofton protestën e radhës

Ministrja Manastirliu: Më shumë se një thesar fjalësh!

Prezantohet “Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe”