MENU
klinika

Publikohen formularët

Subvencionet për bujqësinë

26.04.2019 - 11:26

Zbardhet udhëzimi i Ministrisë së Bujqësisë për shpërndarjen e fondeve në mbështetje të bjqësisë.

Udhëzimi mban firmën e Ministër të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Bledar Çuçi dhe Ministres së Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj ku janë përcaktaur kriteret, procedurat dhe mënyrën e administrimit të fondit të programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural

Ndarja e fondit të programit për bujqësinë

Fondi prej 579 000 000 lekë, nga programi për bujqësinë dhe zhvillimin rural për vitin 2019 dhe 125 000 000 lekë nga projekti “Zhvillimi i qëndrueshëm i sektorit të ullirit”, të përdoret sipas masave, si më poshtë vijon:

Kritere të përgjithshme të përfitimit
1. Aplikanti duhet të jetë shtetas shqiptar ose kompani me bashkëpronësi, njëri nga të cilët të jetë shqiptar.
2. Përfitues sipas masave mbështetëse mund të jenë fermerë individualë, grup-fermerësh, subjekte me status fizik, juridik, SHBB.
3. Fermerët individualë të jenë të pajisur me NIPT-in e fermerit me status aktiv.
4. SHBB-të dhe personat fizikë dhe juridikë të jenë të pajisur me NIPT/NUIS me status aktiv.
5. Mbështetja financiare për masat mbështetëse të jetë sipas hartës së shpërndarjes së masave mbështetëse, në aneksin 1 dhe përcaktimeve në këtë udhëzim.
6. Aplikantët (subjekti, ortaku, përfaqësuesi ligjor, anëtarët e SHBB-së), nëse rezultojnë debitorë ndaj AZHBR-së, MBZHR-së dhe Tatimeve, kanë afat deri më datë 7.6.2019 që të shlyejnë detyrimet dhe të sjellin pranë pikës së aplikimit brenda kësaj date vërtetimin nga institucioni përkatës që nuk kanë më detyrime.
7. Aplikanti në rast se rezulton që nuk e ka realizuar “shlyerjen koherente të sigurimeve shoqërore” në momentin e aplikimit, duhet të paraqesë pranë pikës së aplikimit vërtetimin e shlyerjes së detyrimeve jo më vonë se data 7.6.2019.


8. Për investimet, ofertat/faturat në valutë të huaj do të zbatohet kursi i këmbimit të Bankës së Shqipërisë në ditën e hapjes së aplikimit.
9. Për masat mbështetëse direkte që kërkohen faturat/aktet e zhdoganimit, duhet të jenë të lëshuara gjatë vitit 2019, në përmbushje me kërkesat e masës përkatëse.
10. Për masat mbështetëse të investimeve, punimet dhe faturat/aktet e zhdoganimit duhet të jenë pas datës së lidhjes së kontratës.
11. Të gjitha linjat, makineritë dhe pajisjet të jenë të reja.
12. Për masat mbështetëse të investimeve në rastin e ndërtimeve/rikonstruksioneve aplikuesi duhet të ketë aplikimin për leje ndërtimi në aplikim dhe duhet të ketë lejen përkatëse të ndërtimit sipas legjislacionit në fuqi, para lidhjes së kontratës, por jo më vonë se data 7.6.2019. Projekti i miratuar me leje ndërtimi duhet të jetë i njëjtë me projektin e paraqitur në AZHBR për aplikim.
13. Për investimet ku masa e financimit është me vlerë mbi 10 milionë lekë, investimi përkatës të jetë i siguruar të paktën deri në vlerën e financimit nga AZHBR-ja dhe ky kusht parashikohet në kontratën e lidhur me subjektin përfitues.
14. Financimi i shumës së përfituar bëhet në bankat e nivelit të dytë.
15. I gjithë dokumentacioni i kërkuar të jetë në gjuhën shqipe ose në rast se është në gjuhë të huaj të jetë i përkthyer nga një përkthyes i autorizuar dhe i vërtetuar nga noteri publik.
16. Aplikanti për masat 3, 4, 9 dhe 10 mund të aplikojë dhe përfitojë vetëm në njërën prej tyre, ndërsa për grup-masën 1–2 ose grup-masën 5–8, mund të aplikojë dhe përfitojë në më shumë se një masë mbështetëse. Kriteret e përcaktuara në pikat 1–4, të këtij kreu, vërtetohen nga sistemi e-Albania ose nga burime të tjera zyrtare.

APLIKIMI

Informacioni për mënyrën e aplikimit, kriteret e përfitimit dhe procedimit deri në përfitimin e mbështetjes financiare gjendet pranë agropikave, pranë agjencive rajonale të ekstensionit bujqësor dhe zyrave qendrore të AZHBR-së, si dhe në faqen e saj të internetit: www.azhbr.gov.al Aplikimet për masat direkte do të bëhen nga data 22.4.2019 deri më 10.5.2019, ndërsa për masat e investimeve nga data 22.4.2019 deri më 17.5.2019.

1. Aplikimi on-line
a) aplikimet për masat mbështetëse direkte me nr. 1–6 do të bëhet online;
b) aplikimi on-line bëhet mbi bazën e parimit “zero dokumente” në momentin e aplikimit;
c) aplikimi on-line do të bëhet pranë agropikave, zyrave të AREB-së ose nga aplikanti në portalin e-Albania. Lista e zyrave të aplikimit jepet në aneksin 2, bashkëlidhur këtij udhëzimi; të dhënat e gjeneruara nga portali e-Albania dhe të konfirmuara në formularin on line të gjeneruar nga portali, nuk kanë nevojë për dokumente shtesë.
d) Aplikimi on-line do të bëhet me asistencë nga inspektorët/specialistët e AGROPIKA-ve, specialistët e ekstensionit, ose nga vetë aplikanti nëpërmjet portalit e-Albania.
e) Me urdhër të veçantë të drejtorit të përgjithshëm të AZHBR-së, emërohen pranuesit e aplikimeve si dhe numri i tyre për çdo zyrë aplikimi; f) Përfitues për masat mbështetëse të mësipërme mund të jenë fermerë individualë, grup-fermerësh, subjekte me status fizik, juridik, SHBB;
g) Gjatë periudhës së aplikimit sportelet e pranimit të aplikimeve do të qëndrojnë të hapura nga ora 8:00 deri në 16:30. Nëse në orën 16:30 ka aplikantë në zyrat e aplikimit, sportelet do të qëndrojnë të hapura deri në përfundim të të gjithë aplikantëve, që kanë qenë prezent në orën 16:30. Në ditët e premte orari do të jete 8:00– 14:30;
h) Për qëllime identifikimi, aplikanti, duhet të paraqitet në sportelin e aplikimit me kartë identiteti/ pasaportë biometrike. Në rastin kur aplikanti është me status fermer, krahas tyre duhet të ketë NIPT-in aktiv të fermerit;
i) Aplikanti duhet të jetë i regjistruar ose të bëjë regjistrimin në portalin e-Albania (si individ dhe subjekt) në mënyrë që të vijojë me aplikimin online përmes portalit e-Albania;
j) Të gjithë aplikantët me status fermer ose person fizik dhe juridik, që kryejnë aktivitet për prodhimin bujqësor dhe blegtoral, para aplikimit duhet të plotësojnë regjistrin e fermës sipas aneksit 3;
k) Me plotësimin e regjistrit të fermës, fillon aplikimi për masën përkatëse; l) Për masat ku kërkohen dokumentat e pronësisë/qiramarrjes, dokumentat përkatëse mund të paraqiten që në momentin e aplikimit. Në rast mangësish, afati maksimal i dorëzimit të tyre do të jetë data 7.6.2019. Plotësimi i dokumentave përtej kësaj date do të rezultojë në skualifikim të aplikimit.
m) Në zyrat e aplikimit mund të paraqitet personalisht aplikanti ose një përfaqësues i tij i pajisur me prokurë përfaqësimi para noterit ose me dokument zyrtar me vulë të njomë të subjektit.
n) Në fund të procesit të aplikimit gjenerohet varianti i printuar i formularit të aplikimit, i cili firmoset nga aplikanti dhe pranuesi i aplikimeve.
o) Procedura e aplikimit nga portali e-Albania, përfundon me dërgimin me sukses të formatit elektronik të formularit të aplikimit. Renditja e aplikimeve bëhet automatikisht nga sistemi në rang kombëtar dhe për çdo masë mbështetëse.

Aplikimi me dosje në AZHBR

a) Aplikimet për masat mbështetëse të investimeve me nr. 7-10 do të bëhen me dosje në zyrat qendrore të AZHBR-së; b) Për qëllime identifikimi, aplikanti sipas statusit përkatës (fermer/ person fizik/ juridik, SHBB) duhet të paraqitet në zyrat qendrore të AZHBR-së me kartë identiteti/pasaportë biometrike. c) Nëse aplikantët kanë statusin fermer ose person fizik dhe juridik, që kryen aktivitet për prodhimin bujqësor dhe blegtoral, ata duhet të kenë plotësuar formularin e regjistrit të fermës në zyrat qendrore të AZHBR-së.

V. Dokumentacioni që gjenerohet nga regjistrat zyrtarë dhe platforma e-albania
1. Formulari i aplikimit për masën mbështetëse përkatëse;
2. Të dhënat e kartës së identitetit të aplikantit;
3. Dokumenti që vërteton statusin e aplikantit (fermer, person fizik/juridik, SHBB);
4. Konfirmimi që aplikanti (ortakët, përfaqësuesi ligjor, anëtarët e SHBB) nuk janë debitor ndaj AZHBR-së, MBZHR-së apo Tatimeve;
5. Dokumenti për “shlyerjen koherente të sigurimeve shoqërore”;
6. Leje apo licenca për masat përkatëse, sipas legjislacionit në fuqi;
7. Regjistri elektronik i blegtorisë (RUDA) dhe bletarisë. Aplikantët, për të cilët ndonjë dokument nuk arrihet të gjenerohet nga regjistrat zyrtarë apo nuk plotësojnë kriteret e përfitueshmërisë, informohen nëpërmjet listës së aplikimeve të kualifikuara.

Afati
Afati i fundit i dorëzimit të dokumentacionit, në agropikën më të afërt ose në zyrat qendrore të AZHBR-së, ose me postë në zyrat qendrore të AZHBR-së, është data 7.6.2019. Mosplotësimi i kritereve të përfitueshmërisë përtej afatit të përcaktuar, është kriter skualifikimi.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Fondet nga Programi i Bujqësisë

579 milionë lekë për fermerët, shpërndarja