Dita Ndërkombëtare e Romëve është një kremtim i historisë rome, traditave dhe kulturës, ashtu si edhe thirrje për përfshirje sociale. Kjo ditë synon gjithashtu të rrisë ndërgjegjësimin mbi sfidat me të cilat përballen komunitetet rome në të gjithë botën.
Kjo ditë u deklarua zyrtarisht në vitin 1990, në Poloni, gjatë kongresit të katërt të Unionit Ndërkombëtar Rom, në nderim të takimit të parë ndërkombëtar të përfaqësuesve romë, mbajtur në prill të vitit 1971.
Romet kanë zhvilluar traditat e tyre në muzikë, poezi, kërcim dhe pikturë. Muzika tradicionale rome është ndoshta pjesa më e njohur e kulturës rome. Muzika e tyre ka influencuar kompozitorët e muzikës klasike, të tillë si Franz Liszt dhe Johannes Brahams. Violina, kitara dhe klarineta janë instrumentet e preferuara të muzikantëve romë.
Kërcimi tradicional është një tjetër element i rëndësishëm i kulturës rome, ka ruajtur elemente nga India, ashtu siç edhe ka përfshirë elemente nga kultura e vendeve ku romët kanë jetuar. Kërcimi Flamengo përfaqeson ndoshta shembullin më të dukshëm të kontributit të romëve në stilin e përgjithshëm të kërcimeve.
Gjuha rome është ruajtur mirë dhe flitet në të gjithë botën, në disa dialekte të ndryshme. Vitet e fundit, shumë studiues kanë punuar për standardizimin e gjuhës rome me krijimin dhe botimin e abetares dhe fjalorëve.
Analizat gjuhësore kanë treguar se ajo është shumë e ngjashme me gjuhët e folura në Indine Qendrore dhe Veriore dhe kjo lidhje gjuhësore besohet se dëshmon origjinën e romëve.
Romët kanë shkëlqyer edhe në punimet artizanale, si ne punimin e metalit, qëndisjen dhe gdhendjen e bizhuterive. Shportat e kashtës të punuara me dorë janë një tjetër produkt tipik i romëve.
Veshjet tradicionale përdoren ende gjerësisht në disa komunitete rome, si p.sh. gratë veshin fund të gjatë të lidhur në të majtë të belit, një bluzë dekolte, një jelek bolero, një përparëse dhe vëthë me ngjyra.