Presidenti Donald Trump tha të mërkurën se ata që nisën hetimin rreth fushatës së tij të vitit 2016, tentuan një “grusht shteti” me qëllimin për të penguar fitoren e tij.
“Gjithçka ishte e paligjshme”, tha Trump. Udhëheqësi amerikan sulmoi ish-zyrtarët e departamentit të Drejtësisë dhe Byronë Federale të Hetimeve, duke i quajtur “policë të këqij”, lidhur me rolin e tyre në fillimin e asaj që do të çonte në një hetim 22 mujor nga ana e Prokurorit të Posaçëm Robert Mueller mbi lidhjet e zyrtarëve të fushatës Trump me Rusinë. Hetimi përfshinte gjithashtu edhe dyshimet nëse Trump në detyrën e presidentit, kishte penguar drejtësinë duke u përpjekur të prishte hetimin.
“Ajo që ata kanë bërë ishte e turpshme”, tha Trump. “Ishte një hetim i paligjshëm, një tentativë për grusht shteti, një përpjekje për rrëzimin e një presidenti. Ajo që ata bënë ishte tradhti ndaj atdheut”, shtoi ai.
Deklaratat e zotit Trump vijnë pasi Prokurori i Përgjithshëm Barr tha se në ditët e ardhshme do të publikojë një variant të redaktuar të raportit prej rreth 400 faqesh të Prokurorit të Posaçëm Mueller.
Në fund të muajit të kaluar, Barr publikoi një përmbledhje të raportit dhe shkruante se presidenti Trump dhe zyrtarët e fushatës së tij nuk kishin bashkëpunuar me Rusinë dhe se raporti nuk dilte në ndonjë përfundim, nëse Trump kishte penguar drejtësinë. “Raporti më ka shfajësuar totalisht”, ka thënë Presidenti.
Të mërkurën Prokurori i Përgjithshëm Barr u tha ligjvënësve në një komision të Senatit se ai beson se “përgjimi” i fushatë së zotit Trump në vitin 2016 “ka ndodhur” dhe se mbikqyrja është autorizuar nga gjyqtarë të gjykatës amerikane për Vëzhgimin e Zbulimit të Huaj.
“Dua të sigurohem se nuk ka patur abuzim me pushtetin e qeverisë”, tha ai.
Prokurori i Përgjithshëm dëshmoi të mërkurën për ditën e dytë. Demokratët i drejtuan atij pyetje lidhur me publikimin e raportit të Mueller dhe se çfarë pjesësh të raportit do të redaktonte, duke mos ia ofruar publikut dhe ligjvënësve. Sikurse të martën, Barr tha se do të redaktojë duke mbuluar me të zezë, ato pjesë të raportit që përmbajnë dëshmi konfidenciale dhënë jurisë së madhe si dhe informacione nga burimet e zbulimit të huaj.
Shtypi ka raportuar se disa anëtarë të ekipit të zotit Mueller kanë pohuar se përmbledhja e Barr nuk përmban informacionin që dëmton presidentin Trump.