Në mbledhjen e sotme të Kolegjit të Kryetarëve, u bë me dije se u vendos që protesta e radhës opozitare të zhvillohet më 11 maj në orën 18:30.
Mësohet se gjatë mbledhja kryedemokrati Basha nuk ka kursyer sërish akuzat për kryeministrin Rama.
Ai është shprehur se zgjedhjet lokale janë një farsë dhe se opozita nuk do të jetë pjesë e saj.
“Zgjedhjet pa opozitën janë farsë. Ne nuk do të lejojmë më që zgjedhjet në Shqipëri t’i organizojë dhe diktojë krimi. Zgjedhjet pa opozitën janë farsë.
Ne nuk do të lejojmë më që krimi të diktojë zgjedhje në Shqipëri. Zgjedhjet do të mbahen pasi të ndëshkohen hajdutët e votave të 2017.
Me Edi Ramën dhe me Dakon e Gjiknurin në krah të tij nuk mund të ketë zgjedhje të lira as sot, as mot.
Prandaj largimi i tij i hap rrugë zgjidhjes politike që kemi kërkuar ne, opozita e bashkuar dhe legjitime e Shqipërisë, për të hapur dialogun me qeverinë e re tranzitore për masat që duhen marrë për të krijuar kushtet për zgjedhjet.
Vetëm zgjedhjet e lira do t’i kthejnë legjitimitetin institucioneve, në kushtet kur Gjykata Kushtetuese nuk ekziston prej një viti e gjysëm, Gjykata e Lartë nuk funskionon, Prokuroria e Përgjithshme ështe e paligjshme dhe kur Parlamenti ilegjitim është kthyer në vegël te krimit dhe oligarkisë, që po grabisin dhe shkatërrojnë vendin duke mbjellë mjerim dhe pasiguri kudo.
Kolegji i Kryetarëve ka vendosur për mbajtjen e protestës kombëtare të 11 majit si “një përballje popullore për të treguar se shqiptarët refuzojnë kategorikisht të vidhen dhe të qeverisen nga krimi”. “Fatura do të jetë vetëm e Edi Ramës.”- është shprehur Basha.