MENU
klinika

Kriza politike

Zyrtari i DASH vjen në Tiranë, takim me Ramën, Bashën dhe Metën

07.04.2019 - 20:16

Në kulmin e krizës politike Shtetet e Bashkuara të Amerikës sjellin në Tiranë zv/ ndihmës sekretarin e Shtetit, Matthew Palmer. Palmer do të zhvillojë një tur ballkanik me synimin e rikthimit të stabilitetit politik në Ballkan.

Në Tiranë, zyrtari i lartë amerikan do të takohet të hënën pasdite me kryeministrin Edi Rama, ndërsa të martën e 9 prillit, pritet të takohet rreth orës 17:30 me presidentin Ilir Meta. Po këtë ditë zyrtari amerikan ka rezervuar takime me kreun e PD-së, Lulzim Basha dhe drejtues të tjerë të opozitës.

Zv.ndihmës sekretari amerikan Matthew Palmer, pas takimeve me zyrtarët e lartë pritet të ketë një takim me gazetarë shqiptarë, për të shprehur mendimet e tij në lidhje me situatën në vend.

Para vizitës së zv/sekretarit Palmer, në Tiranë këto ditë ishte zyrtari i Departamentit Amerikan të Shtetit, Jonathan Moore, i cili zhvilloi disa takime me politikanë shqiptarë, mes të cilëve edhe me deputeten e PD-së Rudina Hajdari dhe ish kryeministrin Sali Berisha.

Nuk dihet ende qëndrimi që do të mbajë i dërguari amerikan në Tiranë, por nuk është hera e parë që SHBA investohet në zgjidhjen e konflikteve politike në Shqipëri.

Një ditë para se opozita te digjte mandatet, Zv/Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën Matthew Palmer bisedoi ne telefon me kreun e PD Lulzim Basha dhe kryetaren e LSI Monika Kryemadhi, të cilët i këshilloi të mos hiqnin dorë nga mandatet në mënyrë kolektive, pasi kjo dëmtonte përpjekjet për reforma dhe demokracinë parlamentare.

Ishte po ashtu i dërguari amerikan Hoyt Yee i cili erdhi në Tiranë pikërisht para marrëfveshjes së 17 majit mes kreut të opozitës dhe kryeministrit Edi Rama.