MENU
klinika

Facebook “pastron shtëpinë”

3 miliardë llogari të rreme të fshira në 6 muaj

24.05.2019 - 19:49

Facebook ka njoftuar se ka fshirë 3 miliardë llogari të rreme, nga tetori i vitit të kaluar deri në mars të këtij viti, dy herë më shumë sesa 6 muajt e mëparshëm.

Raporti më i ri i Facebookut, megjithatë nuk tregon edhe sa llogari të tjera kanë mbetur pa u fshirë.

“Rritja e numrit të llogarive të fshira tregon sfidat me të cilat përballet Facebook në heqjen e llogarive të krijuara nga kompjutera për të përhapur virusë, lajme të rreme dhe materiale të tjera të pakëndshme”, shpjegonte kompania në një deklaratë.

Facebook njoftoi se shumica e llogarive të rreme janë bllokuar “brenda disa minutave” nga krijimi i tyre, para se dikush t’i shihte dhe t’i raportonte ato në kompani.

Facebook ka 2.4 miliardë përdorues aktivë mujorë. Shumica e llogarive të larguara nuk do të llogariten në këtë shifër. Megjithatë, kompania vlerëson se 5% e përdoruesve aktivë të saj mujorë janë të rremë.

Kjo masë e Facebookut është pjesë e përpjekjeve të kompanisë për adresimin e shqetësimeve lidhur me privatësinë dhe gjuhën e urrejtjes në mediet sociale.