Kryetari i “Lëvizjes 5 Yjet” në Itali, Luixhi Di Maio, ka kërkuar që të votëbesohet për postin e udhëheqësit pas rënies së theksuar në zgjedhjet e europarlamentare të fundjavës.
Italianët e “Lëvizjes 5 Yjet” pritet të enjten të mbajnë qëndrim ndaj kryetarit të tyre pas disfatës që pësuan në zgjedhjet europiane. Luixhi Di Maio, shefi i partisë anti-establishment në koalicionin qeverisës, kërkoi të mërkurën që të votëbesohet për udhëheqjen e partisë.
Përmes një postimi në faqen zyrtare të “5 Yjeve”, zv.kryeministri dhe ministri aktual i Punës dhe i Zhvillimit Ekonomik tha se ka nevojë të dijë çfarë mendojnë qytetarët për mënyrën si po e drejton partinë. Grupimi rival nacionalist “Lidhja” i Mateo Salvinit fitoi të dielën mbi 34 për qind të votave për Parlamentin Europian.
“5 Yjet” morën më pak se gjysmën e votave, duke u renditur si grupimi i tretë politik pas demokratëve italianë.
Konfirmimi ose largimi i Di Maios si shef politik i “Lëvizjes 5 Yjet” do të vendoset të enjten përmes një platforme të dedikuar në internet.
Zëvendëskryeministri Salvini një ditë më parë e vlerësoi homologun e tij si një person korrekt, ndërsa mohoi raportimet se i kishte dhënë Di Maios një ultimatum prej 30 ditësh për të formuar një aleancë të re qeverisëse. Dy rivalët e krahëve të ndryshëm politikë formuan qeverinë aktuale më 31 maj të vitit të kaluar pas rreth tre muaj negociatash.
Tensionet mes tyre kanë qenë të përhershme rreth çështjeve të buxhetit apo veprave infrastrukturore, ndërsa përplasjet u rritën së fundmi kur zyrtarë nga të dyja palët u akuzuan për korrupsion. Zhvillimet e fundit u trajtuan të mërkurën edhe në një takim kokë-më-kokë mes kryeministrit Xhuzepe Konte dhe zëvendësit të tij, Luixhi Di Maio.