Në pritje për t’u hapur perdet, dëgjohet: “Nuk kam asnjë ndjenjë seksuale për ty, asnjëherë s’kam pasur”. Nuk ka nisur ende shfaqja, kur ai, Xhoi Pit, i drejtohet bashkëshortes, të cilën po e braktis për një burrë…
Loja aktoriale është e shkrirë me një skenografi thuajse minimaliste, gati të ftohtë, por shumë të thjeshtë dhe po kaq domethënëse. Drama provokon me skena të forta, që vijnë para publikut në mënyrë elegante, të kujdesshme falë tekstit të përkthyer nga Ilir Barçi.
Roi Kon, nën interpretimin nga Helidon Fino, veshur me çorape me xixa e robdëshambër ngjyrë rozë, përfaqëson njeriun arrogant, me pushtet, që është homoseksual. Ndërkohë, nga një skenë në tjetrën kalohet përmes balerinëve; çfarë shkakton ndërprerje, por gjithsesi, mesazhet për publikun ia arrijnë qëllimit.
Vepra mbart mesazhe politike, por regjisori është treguar i vëmendshëm që të mos u mëshojë vetëm atyre. Sapo shfaqja nis, publiku përballet me dilemat: a është gati shoqëria shqiptare, të pranojë marëdhënien mes personave të të njejtës gjini? Deri në fund të dramës, vihet re marrëdhënia e “ngatërruar” mes burrave me njëri-tjetrin.
Puthjet, përqafimet, prekjet dashurore… Kështu vjen ky raport, që për një pjesë të publikut u kapërdi, por për pjesën tjetër nuk ishte e pranueshme dhe reagimi qe dalja e menjëhershme.
Një burrë që i thotë “Të dua” një burri, një ëngjëll në skenë, por edhe një grua, e lënduar, e cila e pranon më në fund, se çdo njeri ka nevojë të dashurojë diçka: Genti Dençka, Luiza Xhuvani, Indrit Çobani, Donald Shehu, Luli Bitri, Ina Gjonçi, Laert Vasili dhe Vasjan Lami është kasti i shkrirë për veprën shumëdimensionale, fituese të disa çmimeve ndërkombëtare.
“Engjëjt e Amerikës” një nga kryeveprat e dramaturgjisë bashkohore nga Tony Kushner, me regji nga Arben Kumbaro, pati shfaqjen e fundit kësaj fundjave, në ArTurbina, për t’u rikthyer sërish në sezonin e ri./Konica.al
Nga: Hera Lera