Zëdhënësi i KFOR ka konfirmuar se autoritetet serbe kanë qenë të njoftuara për aksionin në Veri nga Policia e Kosovës.
Vincenso Grasso tha se autoritetet serbe kanë qenë të njoftuara për këtë aksion.
“Gjatë operacionit ne kemi komunikuar me institucionet e Kosovës, komunitetin ndërkombëtar dhe autoritetet serbe. Ne komunikojmë me ushtrinë (serbe) dhe jo Qeverinë”, tha Grasso.
Ai tha se presidenti serb Vuçiç, disa herë e ka paralajmëruar këtë aksion.
“Ne nuk e kemi ditur 10 ditë më parë mirëpo Vuçiç ka thënë se NATO i kishte njoftuar autoritetet serbe”, tha Grasso.
“Jam i habitur që të gjithë janë të befasuar. Ne vazhduam të komunikonim. Gjatë operacionit ka pasur një shkëmbim të vazhdueshëm informacioni dhe të gjithë janë informuar. Ne u njoftuam një ditë më parë“, tha ai.
Policia e Kosovës ka zhvilluar të martën një operacion në veri dhe jug të Mitrovicës që si qëllim kishte arrestimin e personave të dyshuar si të përfshirë në krim të organizuar dhe kontrabandë, në mesin e tyre edhe zyrtarë policor dhe doganierë.
Aksioni rezultoi me arrestimin e 19 zyrtarëve policorë dhe të disa qytetarëve që penguan aksionin apo që ishin të dyshuar për përfshirje në këto aktivitete jo ligjore.