MENU

Detaje nga takimi

Aleatët e Bashës “ultimatum” nga Lezha

22.05.2019 - 12:06

Ndalesa e radhës për “Grupimin e qendrës së djathtë” ka qenë Lezha.

Në Lezhë krerët e 5 partive aleate të Partisë Demokratike, Fatmir Mediu, Agron Duka, Nard Ndoka, Dashamir Shehi dhe Vangjel Dule kanë zhvilluar sot një bashkëbisedim me strukturat dhe simpatizantët e partive që drejtojnë.

Ky organizim është quajtur “Forumi për Zgjedhje të Lira”.

Gjatë këtij organizimi u diskutua për krizën politike, institucionale dhe ekonomike në të cilin ndodhet vendi.

Mbas 30 vitesh tranzicion, ka ardhur koha që njëherë e përgjithmonë zgjedhjet të zhvillohen të lira, të ndershme dhe të barabarta, me një ‘Qeveri Tranzitore’ pa Edi Ramën kryeministër.’

Krerët e partive opozitare deklaruan se qytetarët nuk do të lejojnë që zgjedhjet e 30 qershorit të kthehen në një farsë të demokracisë.

Duke i bërë apel të gjithë elementëve të përgjegjshëm të shoqërisë dhe politikës shqiptare, për të shmangur përplasjen dhe konfliktin, theksuan se: “është e domosdoshme krijimi i kushteve politike për ngritjen e një qeverie tranzitore; e cila do të çlirojë zgjedhjet, ekonominë dhe rrugën europiane të Shqipërisë, si dhe, pas tri dekadash, t’i japë fund trazicionit të tejzgjatur”.

Ata e mbyllën takimin duke u bërë thirrje qytetarëve të angazhohen jo vetëm në moslejimin e zgjedhjeve farsë, por edhe në pjesëmarrjen sa më të gjerë në protestën e thirrur nga opozita e bashkuar në datën 25 maj.