MENU
klinika

Detaje nga operacioni i Policisë

Arrestohen 4 specialistë të OSHEE dhe pronari i hotelit në Lezhë

09.05.2019 - 09:34

Rreth 5 persona në Lezhë janë ndaluar nga policia në kuadër të operacionit të koduar “Task-Group”.

Ata janë njohur me masat e sigurisë “Arrest me burg” dhe “Arrest shtëpie”.

Sipas njoftimit të policisë 4 prej të arrestuarve janë specialistë të OSHEE dhe i 5-ti është pronari i një hoteli, i cili është favorizuar të vjedhë energji elektrike.

Njoftimi i plotë i policisë:

Specialistët e Seksionit kundër krimit ekonomiko – financiar pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë policore dhe dyshimeve të arsyeshme, se një subjekt privat, hotel në Shëngjin, nuk faturohej për energjinë elektrike të konsumuar, ardhur kjo nga shpërdorimi i detyrës i punonjësve të kompanisë OSHEE, duke i sjellë dëm ekonomik kësaj kompanie, kanë referuar materialet hetimore në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë në muajin gusht 2018.

Mbi bazën e këtyre materialeve, Prokuroria ka vijuar hetimet e mëtejshme, duke finalizuar operacionin “Task – Group”.

Si rezultat këtij operacioni është ekzekutuar vendimi penal datë 08 Maj 2019, i Gjykatës Shkallës Parë Lezhë, e cila ka caktuar masat e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës kryer në bashkëpunim”, për shtetasit:

– A. Sh., 34 vjeç, banues në Tiranë, me funksion specialist leximi pranë Drejtorisë Qendrore të OSHEE Tiranë

– B. Sh., 42 vjeç, banues në Tiranë, me funksion specialist leximi pranë Drejtorisë Qendrore të OSHEE Tiranë

– J. D., 27 vjeç, banues në Tiranë, me funksion specialist leximi pranë Drejtorisë Qendrore të OSHEE Tiranë

– G. M., 31 vjeç, banues në Lezhë, me funksion specialist leximi pranë Njësisë Lezhë të Drejtorisë Rajonale të OSHEE Shkodër.

Gjithashtu, është ekzekutuar masa e sigurisë “Arrest në shtëpi” për veprën penale “Vjedhja e energjisë elektrike dhe impulseve elektrike” ndaj shtetasit M. N., 64 vjeç, banues në Lezhë, pronar i një subjekti privat, Hotel në Shëngjin.

Punonjësit e kompanisë OSHEE, në bashkëpunim me njëri – tjetrin, nëpërmjet shpërdorimit të detyrës, kanë lejuar vjedhjen e energjisë elektrike nga subjekti privat hotel, në pronësi të shtetasit M. N., duke mos e faturuar për energjinë e konsumuar, rast i cili ka sjell dëm ekonomik për kompaninë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë për veprime të mëtejshme.