MENU
klinika

Vizita me delegacionin

Basha në Parlamentin britanik: Vendi ndodhet në krizë të rrezikshme!

17.05.2019 - 18:34

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe delegacioni që shoqëroi gjatë vizitës së punës në Londër u prit nga Kryetari i Komisionit për Punët e Jashtme në Parlamentin Britanik Tom Tugendhat.

Në takim u diskutua për gjendjen politike dhe situatën në Shqipëri e rajon, si dhe për krizën e rrezikshme ku ndodhet vendi, njofton zyra e shtypit të PD-së.

Në këtë takim, lideri i opozitës konfirmoi angazhimin e Partisë Demokratike dhe të gjithë opozitës së bashkuar për një zgjidhje politike të krizës, që do të garantojë zgjedhje te lira dhe të ndershme, duke ndarë politikën nga krimi, duke i zgjidhur duart drejtësisë që të vërë para ligjit politikanët e përfshirë në shitblerje votash me krimin e irgsnizuar si dhe afera të tmerrshme korruptive.

“Reformë e thellë politike për fuqizimin e rolit të qytetarit sipas praktikave më të mira të vendeve demokratike perëndimore është angazhimi ynë”,– theksoi zoti Basha.

Lideri i opozitës theksoi rolin e rëndësishëm të Britanisë së Madhe, në bashkëpunim me partnerët e tjerë strategjikë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian, në mbrojtje të demokracisë dhe shtetit të së drejtës.

Gjithashtu Basha e falenderoi Tugenthat për qëndrimin e qartë dhe të prerë të Britanisë së Madhe dhe Parlamentit Britanik kundër ndryshimit të kufijve dhe copëtimit të Kosovës, ç’ka do të ishte nje precedent i rrezikshëm kundër paqes dhe stabilitetit në Ballkan.