MENU
klinika

Homazhe pranë "Nënë Shqipëri"

Dita e Dëshmorëve/ Basha: Të bashkohemi për të mbrojtur lirinë

05.05.2019 - 11:46

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe ish-kryeministri Sali Berisha, kanë zhvilluar homazhe pranë monumentit “Nënë Shqipëri.”

Gjithashtu, ata kanë bërë homazhe edhe pranë vendit ku prehet Heroi i Demokracisë, Azem Hajdari si dhe në vendin ku prehen 22 intelektualët e pushkatuar nga regjimi komunist, të akuzuar për hedhjen e bombës në ambasadën sovjetike.

Në fjalën e tij para mediave, kryedemokrati Basha tha se për lirinë dhe vlerat e saj luftohet në çdo kohë, ndërsa ka përkujtuar edhe shqiptarët e vrarë në trojet e Shqipërisë etnike në luftërat e tyre për liri.

“Është një ditë reflektimi për t’u bashkuar për të mbrojtur lirinë dhe vlerat e saj, të vetëdijshëm se për lirinë shkohet në betejë çdo ditë. Përulemi me respekt përpara dëshmorëve të luftës antifashiste. Kjo ditë duhet të shërbejë si ditë reflektimi për tu bashkuar të gjithë bashkë dhe për të mbrojtur lirinë.

Kujtojmë sot me dhimbje të madhe të gjithë ata që pasi sakrifikuan për lirinë kombëtare ranë fli e kthetrave të diktaturës gjakatare që shkatërroi, përdhunoi dhe vrau lirinë e qindra familjeve shqiptare.

Përulemi sot para bijve të Shqipërisë, Kosovës, shqiptarëve të Maqedonisë dhe Preshevës që luftuan në luftërat e fundit çlirimtare. Sot është po kështu një ditë ku gjithsecili prej nesh të ndjejë mbi supe peshën e rëndë të sakrificës”, nënvizoi Basha.