MENU
klinika

Raporti dhe problematikat

Donika Prela “shuplakë” Policisë: Nuk bashkëpunon me Prokurorinë

19.05.2019 - 21:05

dhe pse shpesh është parë në deklarata shtypi përkrah zyrtarëve të policisë, drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda Donika Prela është shprehur kritike për bashkëpunimin me uniformat blu gjatë vitit 2018.

Sipas raportit vjetor të punës së institucionit, policia ka denoncuar gjatë gjithë vitit vetëm tre zyrtarë për korrupsion dhe në këto raste kallëzimet kanë qenë me mangësi. Policia sipas Prelës nuk ka mbështetur prokurorinë me agjentë për kryerjen e metodave speciale të hetimit ndaj grupeve kriminale.

Drejtuesja e prokurorisë së krimeve të rënda Donika Prela ka adresuar kritika të forta ndaj Policisë së Shtetit në lidhje me bashkëpunimin institucional gjatë vitit 2018.

Në raportin vjetor të punës të prezantuar pak javë më parë, shkruhet se “kjo prokurori ka domosdoshmëri përdorimin e metodave speciale të hetimit, përfshi veprimet simuluese, infiltrimin e punonjësve të policisë, etj, ku për fat të keq këto dy metoda janë përdorur vetëm në dy raste përgjatë vitit 2018”.

Sipas raportit, këto nevoja të prokurorisë nuk janë siguruar dhe përmbushur nga strukturat e policisë.

Më tej organi i akuzës thekson se ka një mungesë bashkëpunimi konstruktiv mes prokurorisë dhe sektorëve përkatës në nivel qendror si dhe me disa drejtori të policisë vendore. Kryeprokurorja e Krimeve të Rënda flet për mungesë e referimeve serioze për kryerjen e hetimeve proaktive për grupe të strukturuara kriminale të trafikimit të narkotikëve, njerëzve, etj.

Prokuroria thekson se mos krijimi i kushteve dhe kapaciteteve njerëzore me punonjës të policisë për aplikimit të metodave speciale të hetimit, për veprime simuluese dhe infiltrimit në përbërjen e grupeve kriminale, e bën të vështirë hetimin e aktivitetit të tyre.

Një tjetër fakt shqetësues evidentohen shifrat minimale të referimit të veprave penale të korrupsionit të zyrtarëve të lartë dhe të zgjedhurve vendorë me 3 raste dhe në sistemin e drejtësisë me 7 raste, edhe këto me mangësi në të dhëna.

Sipas prokurorisë, për këtë kategori subjektesh mungon roli aktiv i strukturave përkatëse të policisë, për të kërkuar dhe mbledhur informacione për veprat penale të korrupsionit.

Këto problematika janë ngritur si shqetësim në të gjithë analizat e punës, në takime me drejtues të policisë shtetit por sipas akuzës, deri tani nuk është krijuar një seksion i veçantë për korrupsionin e zyrtarëve të lartë dhe funksionarëve të drejtësisë, e cila do i përgjigjej dhe organizimit të seksionit përkatës që ka kjo prokurori për veprat penale të korrupsionit të zyrtarëve të lartë.