MENU
klinika

Nga 1 qershori

‘Hakmerret Kina’, rrit tarifat për 60 miliardë dollarë mallra të SHBA

13.05.2019 - 15:13

Kina do të rrisë tarifat për 60 miliardë dollarë mallra nga SHBA, duke ‘marrë hak’ për vendimin e SHBA-ve për të rritur tarifat ndaj mallrave kineze.

Pekini do të rrisë tarifat në 25% nga 10% më 1 qershor, tha Ministria e Financave kineze të hënën. Kjo vjen pas vendimit të Presidentit Donald Trump për të ngritur tarifat mbi 200 miliardë dollarë në prodhimet kineze në 25% nga 10%.

Veprimi shton tensionet në një konflikt tregtar që ka tronditur investitorët dhe kërcënon të dëmtojë ekonominë globale.

Tarifat në pjesën më të madhe synojnë industrinë bujqësore të SHBA, e cila ka vuajtur më pare nga lufta tregtare e administratës së Trump me Kinën. Mijëra produkte të shënjestruara përfshijnë kikirikët, sheqerin, grurin, pulën dhe gjeldetin.

As Shtëpia e Bardhë as Departamenti i Thesarit nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për të komentuar mbi rritjen e tarifave.

Sekretari i Thesarit Steven Mnuchin dhe Përfaqësuesi i Tregtisë i SHBA Robert Lighthizer u takua me negociatorët kinezë javën e kaluar në bisedimet që Mnuchin i quajti “konstruktive”, por megjithatë palët nuk mund të bëjnë marrëveshje dhe nuk kanë më bisedime të planifikuara aktualisht.

Trump, i cili dëshiron të zgjidhë çështje si vjedhja e pronës intelektuale, transferimet e detyruara të teknologjisë dhe deficitet tregtare, në disa postime në Twitter argumentoi se tarifat janë “shumë të këqija për Kinën”. Ai tha se “Kina nuk duhet të hakmerret” pasi “vetëm do të përkeqësohet”!

“Ju keni pasur një marrëveshje të madhe, pothuajse të përfunduar, dhe jeni tërhequr!” shkruante ai për Kinën dhe Presidentin e saj Xi Jinping.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN