Nga Muharem Salihu
Në këtë periudhë intensive diskutimesh e analizash, deklaratash e kundërdeklaratash për marrëdhëniet Kosovë – Serbi, pak kush po merret me gjendjen e shqiptarëve në Serbi, kryesisht në 3 komunat autoktone Medvegjë, Bujanoc e Preshevë.
Në Kosovë e Shqipëri vëmendja po përqëndrohet te komentet dhe deklaratat e ndërsjellta të drejtuesve politikë dhe po “harrohet” të shihet e të pasqyrohet gjendja e shqiptarëve në Serbi, të cilët janë të prekurit direkt të kësaj gjendjeje.
Por, nëse drejtuesit politikë dhe shtetarët në Kosovë e Shqipëri po heshtin dhe nuk po i kushtojnë asnjë vëmendje gjendjes së shqiptarëve që jetojnë në Serbi, e kundërta po ndodh në Serbi. Qarqet qeveritare po rrisin çdo ditë e më shumë presionin ndaj shqiptarëve, kryesisht në tri komunat autoktone Medvegjë, Bujanoc e Preshevë, që të pranojnë si zgjidhje të vetme të problemeve mes shqiptarëve dhe serbëve, tezën e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.
Këto veprime kryhen nga qeveria serbe, si përmes presionit të drejtpërdrejtë, ashtu edhe përmes veprime konkrete të tërthorta.
Serbia historikish ka bërë dhe vazhdon të bëjë luftë për territore. Në frymën e këtyre politikave shoviniste, ajo po synon të krijojë kushte të voliteshme për të përfituar padrejtësisht nga territoret shqiptare dhe përmes realizimit të marrëveshjes me shqiptarët, të përfitojë makismalisht në veri të Kosovës, duke “dhënë” minimumin nga pjesa jugore e Serbisë.
Vetë qeveria e Serbisë po punon në disa drejtime: nga njëra anë ka ndërprerë dialogun me Kosovën duke e kushtëzuar me heqjen e taksës nga Qeveria e Kosovës, ndërkohë që ka mbi 10 vjet që nuk njeh vulat doganore të Republikës së Kosovës; nga ana tjetër kërkon territore nga veriu i Kosovës, me pretendimin se janë komuna serbe; dhe në të njëjtën kohë punon pa rreshtur që të shpopullojë dhe të zbrazi nga shqiptarët tre komunat autoktone në Serbi, me synimin që të mos i lëshojë këto territore shqiptare që gjeografikisht përfshihen në Republikën e Serbisë.
Shqiptarët në Serbi në mënyrë masive po shndërrohen në qytetarë jorezidentë, si pasojë e pasivizimit të adresave të tyre nga ana e pushtetit lokal dhe atij qendror, duke i shndërruar si qytetarë inekzistentë në shtëpitë dhe tokën e tyre.
Kur dikujt i pasivizohet adresa, atëherë si shtetas humbet të drejtën të pajiset me dokumentacion personal, që do të thotë mohim i të drejtës minimale kushtetuese, atë të të qenurit shtetas i një republike. Sot, janë me mijëra qytetarë shqiptarë nga tre komunat Medvegjë, Bujanoc e Preshevë që nuk arrijnë të rinvojnë dokumentat e skaduara, për pasojë nuk arrijnë të marrin pensionin e tyre, apo të kryejnë veprime të tjera në sportelet publikë.
Bashkëqytetarët e Medvegjës janë ndër më të prekurit nga këto diskiminime.
Faktori politik shqiptar në Serbi dhe shoqëria civile duhet të ndalin heshtjen dhe të shfaqen me qëndrimet e tyre në mbrojtje të popullatës duke kërkuar fuqimisht ndërprerjen e menjëhershme të këtij procesi diskriminues ndaj shqiptarëve dhe respektimin e të drejtave të tyre, përmes kthimit të adresave të marra padrejtësisht. Mbështetje dhe ndihmesë duhet të ofrojnë edhe qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës, që e kanë detyrim kushtetues mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në troje.
Në Serbi gjatë vitit 2019 pritet të ketë zgjedheje në nivel lokal dhe qendror. Shqiptarët jo vetëm që duhet ta kërkojnë këtë të drejtë elementare të nëpërkëmbur ndër vite, por duhet edhe të veprojnë masivisht dhe të braktisin këto zgjedhje, deri sa t’u kthehen adresat e suprimuara.
Nëse nuk ndërmerren veprime konkrete sot, rrezikohet që prezenca e shqiptarëve të bëhet irelevante, duke vënë në pikëpyeteje të drejtën e dygjuhësisë, e cila edhe në kushtet aktuale po repsektohet shumë pak, për të mos thënë hiç fare…