Një gazetar italian rrëfen takimin me heroin e Kosovës. Në një shkrim të botuar, në një revistë italiane në fund të vitit 1913, Vico Mantegazza, përshkruan një takim të rrallë me Isa Boletinin, nëntorin e atij viti në Shkodër
Ishte koha kur fuqitë e mëdha kishin caktuar kufijtë e Shqipërisë dhe Kosova, Çamëria e troje të tjera shqiptare kishin mbetur jashtë shtetit të ri. Një vit më parë, Kosova ishte pushtuar nga Serbia. Në Vlorë funksiononte Qeveria e drejtuar nga Ismail Qemali, e cila vepronte krahas një Komisioni Ndërkombëtar të Kontrollit të emëruar nga fuqitë e mëdha.
Në prill të atij viti, Shkodra kishte rënë në duar të malazezëve, por disa javë më vonë, ata ishin detyruar të tërhiqeshin dhe tani qyteti ishte nën kontrollin e pesë fuqive. Siç tregon gazetari italian, rrethinat e Shkodrës ishin mbushur me refugjatë nga Kosova, të cilët nuk mund të ktheheshin dot në trojet e pushtuara. Shkrimin e mëposhtëm e zbulova në revistën “L’Illustrazione italiana” dhe është një ndër përshkrimet e rralla që ekzistojnë deri më sot për Isa Boletinin.
Atë që ka hequr dhe po heq ky popull, shkretimi i trojeve që ata kanë qenë të detyruar të braktisin, ma përshkroi mjaft bukur i famshmi Isa Boletini, i cili tani ndodhet në Shkodër. Ishte një kohë kur të gjitha gazetat e Europës flisnin për bëmat e këtij njeriu, që megjithëse nuk di shkrim e këndim, ka ditur të ngrejë në këmbë dhe të stërvitë fise të tëra, të cilat edhe sot e quajnë kreun e tyre. Duket se, në kohë të caktuara, ai ka mundur të mbledhë rreth vetes deri në 15 mijë njerëz të armatosur. M’u duk me interes t’i bëja një vizitë dhe shkova ta takoj në shtëpinë e tij në Shkodër.
Ai pranoi sapo i çova fjalë. Kishte rënë muzgu dhe oda e tij ndriçohej vetëm nga dy llamba me vajguri të varura në mur. Brenda saj kishte vetëm një qilim dhe një stol për të vënë kafenë dhe duhanin. Kur po hyja, Isa Boletini më priti bashkë me dy a tre nga njerëzit e tij dhe më pyeti nëse doja të ulesha në tokë apo në karrige. Me një gjest i lashë të kuptonte se nuk kisha ndërmend të bëja gjimnastikë e të ulesha për tokë, kështu që ai porositi t’i sillnin dy karrige, njërën për mua e tjetrën për përkthyesin, ndërsa vetë u ul në dysheme, në këmbët tona. Në këtë mënyrë të çuditshme nisi biseda mes meje dhe këtij njeriu që, për vite me radhë kishte qenë tmerri i turqve, para se sulltan Abdul Hamiti ta tërhiqte në anën e vet. Edhe sot, ai vazhdon të luftojë kundër serbëve dhe, ndonëse i armatosur keq, ka dhënë prova trimërie të pashoqe.
Nga refugjatët që janë strehuar në rrethinat e Shkodrës, më shumë se dy të tretat i binden atij dhe një udhëheqësi tjetër. E pyeta se përse nuk kthehen ata në shtëpitë e tyre. E si mund të kthehen në trojet e tyre? Atje nuk ka mbetur asgjë, absolutisht asgjë, më tha Isa Boletini. Ata nuk mund të kthehen nëse Europa nuk u garanton sigurinë dhe mundësinë për të kaluar kufirin që të shkojnë në Serbi për të shitur mallrat e tyre.
Ata nuk mund të vijnë e të shesin këtu në Shkodër, sepse u duhet të ecin disa ditë më këmbë. Ja, këtë duhet të mendojë Europa dhe sidomos Austria e Italia, që na kanë marrë nën mbrojtjen e tyre. Eh, Evropa. Evropa merret me diskutime pa fund dhe emëron komisione. Vështirësitë për t’i dhënë një shtytje këtij vendi pas pesë shekujsh të sundimit turk janë të shumta dhe ndonjëherë duket e pamundur të kapërcehen. Megjithatë, ekziston bindja e përgjithshme se, në sajë të bashkëpunimit të mirë mes Austrisë dhe Italisë, kjo do të arrihet. (Vico Mantegazza).
Shkëputur nga revista “L’Italia in Albania”