MENU
klinika

Makiavelizmi

“Jam historian tragjiko-komik”

03.05.2019 - 12:03

Nikolo Makiaveli, mendimtar i Rilindjes italiane, teoricien i politikës, i historisë dhe luftës, poet dhe dramaturg lindi më 3 maj 1469 në Firence të Italisë. Nëpunës i Republikës fiorentine, ai kreu misione të ndryshme diplomatike, veçanërisht për papatin dhe oborrin francez. Më pas, u bë një vëzhgues i privilegjuar dhe i përkushtuar i mekanikës së pushtetit dhe ambicieve që ngjalli.

“Historian, komik dhe tragjik” – kështu e përkufizonte veten Makiaveli, teksa nënshkruante një letër drejtuar mikut të tij Guichardin, në lidhje me ngjarjet e vitit 1525 dhe kohët e trazuara, kur Charles Quint siguroi zotërimin e gadishullit italian.

 

 

Historian, nuk ka reshtur së qeni, nga vitet kur, emëruar sekretar i kancelarisë fiorentine, kreu misione diplomatike jashtë vendit: shqyrton jetën politike të Firences dhe vendeve ku shkon, analizon, shkruan, i ndriçuar nga leximi i të parëve. E gjithë puna e tij gjenerohet nga aktivitetet e tij politike, që i frymëzojnë fjalime, komente, reflektime, epokë e komanduar nga Xhuliano Mediçis i cili u bë Papa Klementi VII, në “Histori fiorentine”, ku trajton historinë bashkëkohore të Firences. Ironi e historisë: do të shkruajë deri në fund të jetës dhe pikërisht kthesa e detyruar do ta shndërrojë në shkrimtar të pavdekshëm.

 

Komik, shkroi po ashtu drama, më e famshmja “La Mandragore”, përmes të qeshurave dhe karaktereve të krijuara, i bëri jehonë politikës dhe jetës publike që kurrë nuk mund të largohej.

Tragjike, si përshkrimi i realitetit të shoqërisë njerëzore, si fati dhe cilësitë që ai i huazon Princit, i cili “nuk mund të shpëtojë nga reputacioni i të qenit i egër”. Një realizëm i ftohtë politik, i cili është në origjinë të termit “makiavelizëm” i përdorur gjithnjë në keqintepretim.

 

 

Sot “makiavelizmi” është sinonimi i politikës së forcës, të paskrupullt dhe pa moral, në dobi të së cilës të gjitha mjetet janë të mira. Hipoteza bazë e kësaj teorie është se çdo njeri e di çfarë do dhe se, sipas kritereve të arsyeshme, zgjedh mjetet që i shërbejnë më mirë realizimit të synimeve të tij. Ai ka qenë mendimtari i parë që hartoi teorinë e racionalizimit praktik, duke i kthyer kështu shpinën mendimit mesjetar. Atëherë kur mendimi mesjetar i linte pak vend lirisë së vendimit të individit, që madje nuk kishte të drejtë të vendoste kundër urdhrit të Krijimit, pra kundër shpëtimit të tij, njeriu i Rilindjes është thellësisht i pushtuar nga ndjenja e jetës: ai mund dhe duhet të vendosë vetë si individ, për atë që është më e mirë dhe e drejtë për të.

Makiaveli? Ajo çka i bie në sy lexuesit është pikërisht mospasja e origjinës. Tek Makiaveli nuk ka një fillim të pastër, lexuesi është gjithmonë in medias res, në zemër të përleshjes, në buçitjen e armëve. Me Makiavelin nuk ka parapërgatitore, prolegomena, parathënie, madje as hyrje, qoftë edhe në përmbajtjen e një letre dedikimi; duhet të futemi fill e në “vërtetësinë efektive të ngjarjes”. Studiuesi De Sanctis shprehet: “Ai na godet befasisht dhe na përhumb në mendime”. Makiaveli është një gjuhë e shpejtë dhe virtuoze, si vetëtima e natës apo reflektimi verbues i shpatës në diell; një përdorim i paparë i të folurit fiorentin që ujit gjithë italishten moderne: gjuha është e saktë, e qartë, e mprehtë.

 

 

Tek ai gjejmë njëherazi brevitat e latinëve thyer me leximin e Tacitit dhe Tit Livit; shpirti praktik i burrështetasit, i cili s’ka kohë të humbasë në filozofitë e pafundme; dëshira e zjarrtë për t’u ngjitur sa më pranë realitetit – nuk është rastësi që Makiaveli parapëlqen të prekurit e panoramës, të cilën e konsideron shumë të largët. Makiaveli shprehet: “Nata, shiu, balta, moçali, era, korija, ura, kodra, dielli, rrafshina”; sikur fytyrën e vërtetë të vendit ta sodiste me fragmente, përmes historisë dhe politikës. Vetë Makiaveli thotë: “Mirëkuptimi i asaj që luhet këtu dhe tani nënkupton dy aktivitete të pandashme dhe paralele, domethënë “përvoja e gjatë e çështjeve moderne dhe leximi i vazhdueshëm i çështjeve antike”.

Një “shoqëri e mirë” nuk është një kolektiv njerëzor i njëzëshëm, qeverisur sipas parimeve mbinjerëzore, por thjesht një ekonomi e mirë e pasioneve shoqërore. Për të kuptuar politikën, duhet të kuptojmë njeriun, pasionet e tij, “ligësinë e tij”, do të thoshte Makiaveli – term që nga pena e tij nuk tingëllon aspak si gjykim moral, gabimet e tij… sikundër entomologu vëren me qetësi sjelljen e fluturave dhe vemjeve.

Po ashtu, republikanizmi i Makiavelit është i arsyeshëm, i informuar nga leximi i thellë i të parëve dhe praktika e vazhdueshme e punëve të shtetit të epokës së tij.