MENU
klinika

Mesazhi

Java e Evropës/ Soreca: E ardhmja e të rinjve shqiptarë është në Evropë

03.05.2019 - 18:28

Ambasadori i BE në vendin tonë, Luigi Soreca i ka kushtuar një mesazh të rinjve shqiptarë me rastin e Javës së Evropës.

Diplomati evropian thotë se e ardhmja e të rinjve është në BE.

“Me 40% të popullsisë më të re se 30 vjeç, Shqipëria është një nga vendet më të reja në Evropë. Të rinjtë janë e ardhmja e vendit – dhe ajo e ardhme është në Bashkimin Evropian. Të rinjtë duhet të jenë pjesë e vendimeve që ndikojnë tek ta”, thuhet në mesazhin e Sorecës.

Mesazhi i plotë i Luigi Sorecës

Me 40% të popullsisë më të re se 30 vjeç, Shqipëria është një nga vendet më të reja në Evropë. Të rinjtë janë e ardhmja e vendit – dhe ajo e ardhme është në Bashkimin Evropian. Të rinjtë duhet të jenë pjesë e vendimeve që ndikojnë tek ta. Për ne, kjo do të thotë të bëjmë më shumë për t’i përfshirë të rinjtë në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.

Për të përgatitur Javën e Evropës 2019, ne jemi angazhuar me shkollat, universitetet dhe organizatat rinore për të krijuar hapësira dialogu. Hapësira ku mund të diskutohen prioritetet, ndjenjat rreth Bashkimit Evropian, shpresat dhe shqetësimet e të rinjve. Në vitin 2019, u prezantua një Strategji e re Evropiane për Rininë që të rinjtë të artikulonin prioritetet e tyre dhe të merrnin pjesë në politikë-bërjen e BE-së. Java e Evropës 2019 shënon fillimin e këtij dialogu të strukturuar me BE-në në Shqipëri.

Çdo ditë unë takoj të rinj shqiptarë të cilët janë aktivë, të përkushtuar dhe plot iniciativë. Java e Evropës 2019 është për ata. Ne duhet t’u njohim meritat të rinjve që dalin vullnetarë për të mbështetur njerëzit në nevojë, për të ruajtur natyrën ose, thjesht, që janë të përkushtuar për të ndihmuar komunitetin e tyre. Demokracia lulëzon përmes vullnetarizmit dhe altruizmit.

Gjatë Javës së Evropës 2019, të rinjtë do të jenë në zemër të integrimit të Shqipërisë në BE. Le ta çlirojmë Fuqinë e Rinisë!

Ambasador Luigi Soreca

Shefi i Delegacionit të BE-së në Shqipëri