Konfindustria shpreh shqetësimin për gjendjen e vështirë në mjaft akse të rëndësishme të sistemit rrugor të vendit si dhe pamjaftueshmërinë e punimeve të mirëmbajtjes dhe sigurisë.
Gjëndja e infrastrukturës rrugore bëhet edhe më shqetësuese në prag të fillimit të sezonit të turistik 2019 duke sjellë dhe goditjen e imazhit të vendit.
Konfindustria përmend, se mbështetur në të dhënat e ardhura nga bizneset, gjëndje e vështirë paraqitet në pjesën e superstradës kombëtare Gosë – Rrogozhinë me fluks mjaft të lartë lëvizje për pjesën Jugore, Qëndrore si dhe Korridorin 8.
Rruga paraqet cilësi të dobët ndërtimore, dëmtuar në shumë pjesë të saj dhe ka nevojë për ndërhyrje të menjëhershme për të shmangur shkatërrimin e plotë dhe parandalimin e aksidenteve.
Rruga Përmet –Carshovë në kufi me Greqine është tërësisht e shkatërruar dhe jashtë çdo standarti në gjatësi prej më pak se 30 km, duke ndërprerë praktikisht qarkullimin në një zonë mjaft të gjerë të Shqipërisë Juglindore.
Pasojat janë të rënda në zhvillimin ekonomik të zonës, falimentim të bizneseve, industrisë turistike dhe emigrim masiv të popullatës. Gjithashtu, e rënduar paraqitet gjendja dhe me ecuri të ngadaltë punimesh në rrugët Kukës- Morinë, Unazen e Fierit, të Vlorës, rrugën Tiranë – Ndroq-Durrës, etj.
Konfindustria vlerëson, se është e domosdoshme rishikimi i strategjisë së shpërndarjes së financimeve buxhetore dhe kontratave koncesionare PPP në zhvillimin e investimeve në sistemin rrugor shqiptar.
Gjithashtu, duhet vëzhguar zbatimi në praktikë i kontratave të mirëmbajtjes së rrugëve për të shmangur keqpërdorimin e fondeve buxhetore, korrupsionin dhe subjektivizmin me pasoja dhjetra milionë euro/vit.