MENU
klinika

“Tj je për mua kaq e ëmbël…”

Migjeni, Bojka… dhe dhimbja e dashurisë (letra)

12.05.2019 - 15:51

   Poeti i britmës kushtruese që gjëmon gjithmonë në të tashmen, Migjeni, nuk ishte vetëm një shpirt që i ishte blatuar gjithçkaje të trishtë.Thellë në zërin e heshtur të zemrës, një dashuri nga ato zhuritëset kishte mbirë si një bimë që digjej për të endur nëpër atë shtat të ligështuar nga dhimbja dhe sëmundja, trishtimi dhe zemërthyerja.

Ndërsa, poeti  e shtypte pa mëshirë, në shpirt, këtë përbindësh zjarri që i gëlonte më shumë sesa për ta ngjitur në qiejt e magjepsjes, për ta kredhur nën një dhimbje torturuese, atë të mohimit.

E pamundura e këtij shpendi mitik, për të fluturuar më krahët prej zjarri nëpër qiellin e llamburitur nga shkëndija e pasionit, ishte për poetin një plagë lënguese që e bluante me keqas sesa sëmundja që e kishte dënuar me vdekje, me pamëshirshëm sesa ligësia dhe mjerimi që e bluanin me kujisje dhe vaje, britma dhe gulçime.

 

 

 

Kurrë nuk e zinte emrin e saj në gojë, por ndoshta po shihte në ëndërr Bojkën e tij, e cila ndodhej larg, në Shqipërinë e bukur. Bojka Nikolla, ishte mikja e tij, së cilës i pat dëftyer për dashurinë, të vetmen dashuri të madhe në jetë, për të dy të rinjtë. Këtë e dëshmojnë dy letrat që ajo i ka dërguar, Olgës, motrës së tij, të cilën e ka pasur shoqen e saj më të mirë.

Letrat janë botuar të plota dhe kanë qenë të shkruar në serbisht, por nuk janë botuar në veprat e mëparshme të Migjenit, për arsye etike, pasi Bojka krijoi familjen e saj, me vlera të mëdha intelektuale dhe jetoi në Tiranë, deri më 4 maj 1991.

Letërkëmbimi mes tyre ishte shumë emocionues, pasi ata të dy e mbajtën të fshehur thellë brenda vetes, këtë dashuri të madhe.

 

Tiranë, më 4 shtator 1938

   Olga ime e dashur, sillem nëpër shtëpi dhe qaj. Qaj si rrallë kur. Qaj edhe dëgjoj edhe ty si qan. A të shkon nëpër mend se edhe unë, në të njëjtën kohë me ty, Mirkon tonë të dashur? Do donja të më dëgjonje se si edhe unë dënes në të njëjtën kohë me ty.

   Oh, sa fatkeqe që jemi! Si nuk mund të vij tek ti, të të përqafoj e dashura ime Olga fatkeqe! Ndoshta je krejtësisht vetëm atje!? E ndjej dhëmbjen tënde thellë, sepse është në të njëjtën kohë edhe dhëmbja ime. Unë e kam dashur dhe respektuar. Unë nuk mund të ngushëllohem derisa mos të të shoh. A thua unë do të mund të të jap sado pak ngushëllim?

 

   Gjatë kësaj kohe që jam në shtëpi, kam pasur momente që të vendosja për vetëvrasje. Një dëshpërim i papërshkuar, nerva të tendosura më kishin mbërthyer. Më dukej në disa se po shkoja drejt çmenurisë. Një shqetëim kishte pllakosur shpirtin tim. Dhe vetëm një gjë mendoja, një gjë të vetme dëshiroja, një gjë të vetme shpresoja dhe një gjëje të vetme i gëzohesha: ardhjes tënde. Po kur dëgjova se vetëm nga fundi i tetorit do të vije, më lëshoi edhe ajo shpresë e vetme, kjo dëshirë e vetme , i vetmi gëzim që prisja. më dukej kjo tepër larg.

    Kur u lirova nga prangat e provimeve u ula që të shkruaj që këtej, por ndër ato ditë ndjeva dallgë të mëdha jetësore, që më hodhën dhe më copëtuan pamëshirshëm në të gjitha anët. Ditët u bënë për mua gjithnjë e më të hidhura, shqetësimet në shtëpi gjithnjë e më të shpeshta, ndërsa varfëria bënte që të mos mendoja për asgjë tjetër.

 

    Qenë atëhere këto momente, por vetëm momente, kur çdo gjë dukej e mundur. Por koha tashmë kish kaluar dhe të gjithë, tek të cilët u interesova për ardesën tënde më thanë që ti sigurisht do ta kishe lënë qytetin. Atëhere u shetësova duke i numëruar ditët që duhet të kalonin derisa të të shihja më në fund.

 

   Plot një javë para se të merrja këtë lajm të zi e kam parë në ëndërr pikërisht mirkon tonë. as që më shkonete nëpër mend se ishte aq keq, sepse për aq sa kam qenë e informuar si edhe pse ishte në sanatorium, kam menduar se ishte atje më shumë për studime, siç ma pat thënë edhe vet ai. Kur u zgjova nga ëndërra mendova se ç’është kjo që duhet të di – me siguri mirko ende mendon për mua, thash me vete, dhe përsëri mendova të të shkruaj, por në kokën time kishte ende shpresë dhe përëri u ndala. Ndërsa dje mora vesh për këtë të vërtetë të tmerrshme, e cila më ka shkatërruar fare. Unë kisha shumë për të treguar nga jeta e të dashurit tonë, mirkos, dhe të të them ty se edhe ai në jetë ka qenë i lumtur. kjo për mua është ngushëllim e mendoj se ashtu duhet të jetë edhe për ty, prandaj do të them vetëm diçka për këtë. Ndoshta edhe ti vetë e ke vërrejtur se ai më ka dashur, dhe pse unë këtë e kam fshehur prej teje sipas dëshirës së tij. Kur e kam pyetur se duhet të ta them ty, sepse unë ty gjthnjë të kam thënë gjithçka, ai mu përgjigj: “Më mirë, mos, motrat ndoshta e shohin edhe vetë, por unë nuk dëshiroj që ato, qoftë edhe për një çast të mendojnë se unë dashurinë time ia fal ndokujt tjetër veç tyre“.

 

   Pas kësaj i thash se dashuria e tij ndaj jush do të mbetet kurdoherë e paprekur dhe dashuria ndërmjet nesh është një lloj tjetër dashurie-entuziazëm, që nuk e gjen në jetë shpesh dhe se ju, motrat e tija, do të gëzoheshit për këtë. Dhe mbeti ashtu siç e deshi ai. Unë kundrejt tij kam qenë, mund ta them lirshëm, shumë e përkujdesur. Nuk është se jam shtirur, por ashtu e kam ndjerë veten, ka qenë kjo në mënyrë krejt të sinqertë dhe ai e meritonte. Kur ma shfaqi dashurinë për herë të parë me anë të një letre, unë i jam përgjigjur se edhe tek unë ka lindur e njëjta ndjenjë dhe se unë e dashuroj dhe e respektoj. Më vonë qe i lumtur. Këtë sigurisht e keni vërejtur, kur unë fillova t’ju vizitoj aq shpesh!

 

 

   E kemi kaluar kohëm me biseda dhe këngë. Ja disa nga fjalitë e tija nga letra e parë, që janë gdhendur në kujtesën time: “Ti kundrejt meje je aq e ëmbël, më e ëmbël se sa engjëlli që nuk ekziston… kam dashuruar e kam puthur, por vetëm tek ty kam gjetur qenien e vërtetë shoqërore“. Dhe në fund përfundonte kështu: “Sido që të shkojnë punët, ne mbetemi miq, si thua, Bojka? Se unë jam mësur me dështime që jeta m’i ka kurdisur në çdo hap, moj Bolko (dhëmbja) ime“. Në rastin më të parë unë iu luta të më shpejgonte pse më ka quajtur Bolko. Më tha se unë për të mund të isha dhembje, po mos ta dashuroja.

 

    Unë i thash se një gjë e tillë nuk mund e nuk do të jem në asnjë mënyrë, sepse e dashuroj dhe që kjo të mos ta shqetësojë fare – dhe në fakt e kam dashur. Ndoshta do më pyesësh pse nuk kemi shkëmbyer më letra më vonë, kur unë erdha në tiranë. Kjo përsëri ka qenë dëshira e tij, sepse kishte frikë që të mos më dëmtonte. Ty të kujtohet se unë për këto gjëra kam qenë e pafuqishme dhe se në kundërshtim me çdo gjë, madje edhe këtë që më kishte ndaluar, e kam kërkuar shoqërinë tuaj, sepse ajo ka qenë për mua më e këndshmja dhe më e sinqerta.

      Kur po përgariteshim për në vrakë, për herën e dytë, dhe që unë nuk mendoja të shkoja dhe vetë ai kishte hequr dorë, duke u justifikuar se nuk e ndjente veten mirë. Kur erdha në atë mëngjes tek ju e pyeta cvetkën: “ku është Mirko?“. Më tha se është në dhomë. unë hyra pa u ndjerë tek ai (ju të tjerët ishit të zënë rreth përgatitjeve). Rrinte te tryeza dhe po shkruante. Kur më pa i shkëlqeu fytyra nga buzëqeshja. Unë i përkëdhela flokët dhe e pyeta se çfarë do të shkruante dhe ai mu përgjigj: “Për ty e dashur, lexoje! “Të bekoj o shi…që u bëre shkas të qëndroj te shtëpia, të jem sa më afër Bojkës simë të dashur dhe të mos shkoj në vrakë. Jam i lumtur dhe i stërlumtur…“.

    Unë fillova të qeshja dhe ai më ndërpreu që unë ta lexoja më tutje dhe ai më tha me gëzim: “kur je ti këtu, atëhere edhe unë jam shëndoshë – të shkojmë së bashku!“. Dhe kjo ditë qe për të plot gëzim, këtë ma tha më vonë dhe mua më kujtohet, sepse kam qenë e përkujdesur dhe pse dëgjoja andej këndej qortime nga injorantët, të cilat të gjitha këto i shikonin me sy tjetër. Por, megjithatë e qortoj veten se kohët e fundit nuk i shkrova ndonjëherë. por ku ta dinja unë, fatkeqja, se ai do të na linte kaq shpejt?

    Unë gjithnjë kam shpresuar se do të përejtonim një çast të lumtur kur ti do të diplomoheshe, se do vije këtu së bashku me mua dhe e mendoja atë ditë si diçka madhështore. Ka ka qenë gëzimi im i parë për të cilin kam shpresuar. Fatkeqësisht ky gëzim qe vetëm një iluzion.

    Kjo vdekje është fatkeqësi e madhe, Olga ime e dashur. Nuk e ndjen vetëm ti humbjen, por edhe ne që e njohëm dhe e tërë shoqëria, sepse ai ka qenë me të vërteë një qenie shoqërore, një personalitet që do ti kishe sjellë shumë dobi shoqërisë.

   Por jeta, ajo që do, ajo që ndjen dhe kupton, është e shkurtër. Të lutem e dashura ime Olga, bëhu trime sa të jetë e mundur më shumë. E kemi për detyrë t’i bëjmë ballë çdo fatekqësie që na ndodh në jetë. Unë e ndjej edhe dhembjen tënde, dhe vetminë tënde dhe sigurisht që do të mblidhesh me motrat dhe me to të vajtosh, por e di që edhe këtu ke një pengesë – detyrën që ke marrë përsipër. Kemi detyrë që të jetojmë dhe punojmë për të tjerët, si ti ashtu edhe unë.

 

   E di që s’je e qetë, e kuptoj plotësisht gjendjen tënde të rëndë e kritike, dhe e ndjej të vërtetën e tij edhe unë, e dashur, Olga, e di që s’mund të mendosh e jo më të mësosh, e di që je fatkeqe për shkak të humbjes shumë të madhe e të pazëvendësueshme, por të lutem mendo për ata, që pas tij i do më shumë, dhe le të jenë për ty ngushëllimi dhe kuptimi i jetës. sepse është lehtë t’u japim fund jetëve tona, unë do ta bëja e para këtë gjë, sepse për mua e tërë jeta është një mizerje, kudo pendesa e fatkeqësi, por duhet ecur përpara për të mirën e të tjerëve.

  “Dashuria njerëzore“ – ishte parimi i Mirkos sonë të dashur, ti këtë e di dhe do ta mësojnë të gjithë, sepse kështu njoftojnë edhe gazetat, dhe ai do të rrojë githmonë në ndjenjat e kujtesën tonë dhe në veprat e tija.

    Të përqafoj me dhëmbje në shpirt, Olga ime e dashur, dhe të lutem t’i dëgjosh lutjet e mija, të bëhesh trime, trime e vërtetë, që të përballosh me kurajo fatkeqësinë.

  E jota Bojka  

 

 

Tiranë, më 30 shtator 1938

 E dashur Olga ime,

    S’ka ditë që të mos të t’i kujtoj ty, dy-tri orë. Rri krejt e vetmuar në dhomë dhe nxjerr krejt sendet që më kujtojnë ty dhe mirkon, kartat e lojës, fotografitë. i lexoj e i shikoj ato me mall e dhembje në shpirt. Më shumë shikoj fotografinë ku kemi dalë të tre, në oborrin tuaj kur isha tek ju për drekë. E vështroj atë dhe ndjej sikur diçka më shtrëngon në gjoks, sytë më mbushen me lotë dhe asgjë tjetër s’më mbetet për të dëshiruar, përveç vdekjes. Duhet të më besosh e dashur olga, se kjo është ndjenja ime e vërtetë, sepse ka tashmë një kohë të gjatë që unë vetëm këtë dëshiroj. Larg nga të gjithë ata që më duan e më kuptojnë, jeta ime është e zbrazur dhe e vështirë. Ditët më kalojnë ngadalë dhe ngjarjet, që kohët e fundit po rrokullisen njëra pas tjetërs, ma shkulin krejtësisht dëshirën. sot vendosa të vë në dijeni se qysh është gjendja në brendinë time: terr, pikëllim, mërzitje dhe mall, mall për jetë e mot për ata që dua. Siç të kam thënë, kam menduar që ti je i vetmi gëzim që mund të pre këtu, por me keqardhje edhe ti më ke braktisur. Ti tani për mua je vetëm ngushëllm, e dashur Olga, sepse gëzim midis nesh nuk ka më. A beson për këtë që po flas?

    A dyshon për këtë që vërtet ndjej? Sigurisht që ka disa gjëra që japin shkas të dyshosh por kjo nuk është e saktë. ti mua më njeh mjaft, por jo krejësisht natyrën time; ai mua më kuptonte tërësisht dhe ne puqeshim në mendime. Mirko e kuptonte tërësisht natyrën time dhe asgjë nuk e shqetësonte, ndërsa tek unë kishte lëkundje. ai me siguri do të më besonte sikur tani të dëgjonte se dëshiroj edhe unë vdekjen pas tij. ne kishim të njëjtën pikëpamje. Ai vuante për të gjitha padrejtësitë shoqërore, vuaj edhe unë po aq, vetëm se nuk kam aftësinë që kishte ai për t’i shfaqur. Unë atë e kuptoja, prandaj edhe desha të isha e mirë ndaj tij; vetëm një pendesë kam, që s’mu dha kohët e fundit për t’i shkruar. Kurrë nuk e kisha menduar se do të na linte kaq shpejt!

 

Sot  është një ditë e vërtetë vjeshte: shiu bie ngadalë.

     Unë po të shkruaj ty dhe pse e di që kjo nuk do të të lehtësojë. e di edhe atë se furtuna që ka shkaktuar vdekja e tij tek ti, në shpirtin tënd, ende nuk është qetësuar, prandaj ngushëllohem që kjo letër e zezë nuk do të jetë i vetmi shkak për të të kujtuar atë, sepse mendoj që vetëm ai është vazhdimisht në kujtesë, pasi ky rast është edhe tek unë, edhe pse do të huash se i jam dhënë atij prej teje, dhe pse kohët e fundit nuk kam qenë në shoqërinë e tij. Më vjen keq që largësia ka bërë të mos i kushtoj atë vëmendje që kam dëshiruar dhe që në të vërteë e ka merituar. Tani e shikoj që atij edhe shokët i kushtojnë vëmendje, sepse çdo ditë pothuaj shkruajnë për të në gazetat e ditës, por kjo nuk është e mjaftueshme, sepse ai këto nuk i shikon e nuk i dëgjon. Por njerëzit nuk janë as fajtorë, ata asnjëherë nuk i kontrollojnë veprimet e tyre në jetë, sepse nuk mendojnë për vdekjen, por kur u ndodh kjo, atëhere kujtohen se duhet të jenë të dhembshur. në një vështrim kjo është dëshira ime, ose më mirë të themi, kështu më ka pëlqyer gjithmonë të jem, e mirë ndaj njerëzve, dhe, së paku, të përpiqem t’i kuptoj ata, t’i dua dhe t’i respektoj gjersa janë gjallë. mendoj se ndaj mirkos kam qenë e mirë, por ndoshta meritonte një vëmendje më të madhe. Për këtë gjë ka ndikuar negativisht largësia. Olga, e dashura Olga ime, kjo nuk është as e njëqinda pjesë që kam për të thënë. Po ta dish si është gjendja ime shpirtërore, dhe si kam qenë e dërrmuar këto ditë, pa dyshim që do të të vinte keq për mua, ashtu siç më vjen mua keq për ty. Është e vështirë të jesh e rrethuar me qenie të gjalla siç u ndodhe ti në vështrim të parë, por ky është vetëm një iluzion, sepse ato nuk janë qenie, por shtylla druri, të cilat asgjë nuk ndjejnë, asgjë nuk mendojnë ose janë vetëm hipokritë. pres vetëm ardhjen tënde, kështu ti më ngushëllon dhe kështu edhe unë do të jem për ty një ngushëllim.

 

 Të përqafon, gjithmonë Bojka jote. 

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit