Menjëherë sapo është emëruar në krye të detyrës, presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski ka emëruar në krye të Agjensisë së Zbulimit të vendit, pas një prërvoje disa vjeçare në Agjensinë e Sigurisë Kombëtare, shqiptarin Erolld Musliut.
Partia shqiptare e koalicioni qeverisës i ka kërkuar Pendarovskit të korrigjojë vendimin.
“Vendimi i djeshëm na ka shqetësuar të gjithëve dhe ka vendosur hije në një ditë kur parlamenti ka miratuar reformën për shërbimet e inteligjencës.
Informacionet tona janë se ky vendim është marrë në bazë të mungesës së informacioneve dhe jo me ndonjë qëllim të keq nga presidenti.
BDI-ja vlerëson se pa u ndriçuar deri në fund ngjarjet e Kumanovës, asnjë njeri që ka qenë pjesë e shërbimit të Ivanovit nuk duhet të jetë në krye të institucioneve sensitive prandaj vlerësojmë se Presidenti duhet të mbledhë më tepër informacione dhe të reflektojë mbi vendimin e marrë”, ka reaguar zëvendëskryeministri shqiptar, Bujar Osmani.
Në vitin 2011, BDI-ja kishte kundërshtuar emërimin e Musliut në këtë post duke e konsideruar atë si falsifikator dokumentesh. Vlerësimet e BDI-së për emërimin e Erolld Musliut nuk i komentoi kryeministri Zoran Zaev.
‘Presidenti din ndonjëherë të na konsultojë për disa çështje, janë kompetenca dhe e drejtë e tij. Besoj se konsultimet do të vazhdojnë për këtë dhe për gjëra të tjera kështu që do të përgjigjet presidenti.
Unë nuk kam ambicie dhe aspirata në këtë pjesë’- theksoi kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev.