Një grua është qëlluar për vdekje, ndërsa dhjetëra të tjerë janë plagosur në kryeqytetin venezuelas, Karakas, në përplasjet mes mbështetësve të opozitës dhe forcave proqeveritare. Ushtria hodhi gaz lotsjellës dhe hodhi ujë përmes pompave me presion, për të shpërndarë demonstruesit rivalë.
Udhëheqësi i opozitës, Juan Guaido bëri thirrje për gjetjen e përgjegjësve të vrasjes së gruas 27-vjeçare, ndërkohë që nxiti punonjësit e sektorit publik të futen në grevë prej kësaj të enjteje, duke detyruar kështu presidentin Nicolas Maduro të dorëhiqet.
Në janar, Guaido u vetëshpall president i përkohshëm i Venezuelës, e prej atëherë është njohur prej më shumë se 50 shtetesh, përfshi këtu Shtetet e Bashkuara, Britaninë e Madhe dhe kombet e Amerikës Latine.
Duke qenë kreu i Asamblesë Kombëtare të kontrolluar nga opozita, ai shfrytëzoi një nen në Kushtetutë që i jepte mundësinë të merrte drejtimin e përkohshëm të Presidencës, duke argumentuar se rizgjedhja e Maduros vitin e kaluar ishte e paligjshme.
Por, Maduro, i cili mbështetet nga Rusia, Kina dhe krerët e ushtrisë së Venezuelës, ka refuzuar të lëshojë pushtetin. Presidenti Maduro mohoi gjithashtu edhe sugjerimet se ai ka qenë gati të braktisë vendin, ndërsa akuzoi Shtetet e Bashkuara se po drejton një përpjekje për grusht shteti.
E sipas atij, “ata që përfshihen në këtë tentativë do të ndëshkohen”.