MENU
klinika

Detajet

“Persona non-grata”/ Llalla shpenzon 10 mijë USD për lobim në SHBA

03.05.2019 - 12:18

Ish-Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla shpenzoi rreth 10 mijë USD gjatë tre mujorit të parë të vitit për të kundërshtuar vendimin e Departamentit të Shtetit që e shpalli “persona non-grata” në SHBA.

Të dhënat e bëra publike nga Dhoma e Përfaqësuesve në Kongresin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zbulojnë se ish-Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla shpenzoi rreth 10 mijë dollarë në shërbime lobimi gjatë tremujorit të partë të vitit 2019.

Llalla punësoi në fillim të këtij viti studion ligjore Sher Tremonte LLP për të kundërshtuar vendimin e Departamentit të Shtetit, i cili ka ndaluar ish kreut të akuzës hyrjen në SHBA për shkak të dyshimeve për përfshirje në korrupsion.

Sipas të dhënave të deklaruara nga Sher Tremonte LLP për periudhën 1 janar – 31 mars, Llalla ka paguar afërsisht 10 mijë USD në tarifa dhe shpenzime për studion ligjore amerikane.

Me zyra në ‘Broad Street’ të Manhatanit –zemra e distriktit financiar të Nju Jorkut, Sher Tremonte LLP është një studio ligjore e specializuar në përfaqësimin e kompanive në konflikte tregtare komplekse si dhe probleme ligjore që lidhen me të ashtuquajturit ‘jaka të bardha.”

Llalla ende shprese per pasurine e sekuestruar
Llalla ende shprese per pasurine e sekuestruar

Në datën 4 mars, e përfaqësuar nga juristët Michael Gibaldi dhe Michael Tremonte, studio ligjore amerikane u regjistrua në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit të SHBA si kompani lobimi për ish-Prokurorin e Përgjithshëm.

Adriatik Llalla u zgjodh Prokuror i Përgjithshëm në vitin 2012 dhe e mbajti këtë post deri në nëntor 2017, kur i mbaroi mandati 5-vjeçar dhe u zëvendësua nga Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku.

Nëpërmjet një njoftimi publik në shkurt 2018, ish Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson shpalli vendimin për ta vendosur Adriatik Llallën në një listë të zezë zyrtarësh që i ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, së bashku me familjen.

Ligji amerikan parashikon se në rastet kur ka informacione të besueshme se zyrtarë të huaj përfshihen në raste madhore korrupsioni, ose në shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, këtyre individëve dhe familjes së tyre të afërt u ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara.

Ndërkohë që Llalla bën përpjekje nëpërmjet lobistëve në SHBA për të hequr emrin nga lista e zezë e Departamentit të Shtetit, ai po hetohet në Shqipëri nën dyshimin se është përfshirë në një skemë pastrimi parash.

Akuza ndaj Llallës përfshin veprat penale “refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehje ose deklarim i rremë i pasurisë, interesave private të të zgjedhurve dhe nëpunësve publikë”, “mosdeklarim të shumave monetare në kufi”, “pastrim të produkteve të veprës penale” dhe “shpërdorim detyre”.

Në 1 prill, Gjykata për Krime të Rënda hodhi poshtë një ankesë të Llallës, i cili kundërshtonte vendimin e Prokurorisë për Krime të Rënda për zgjatjen me tre muaj të hetimeve ndaj tij./Reporter.al