MENU
klinika

Minutë pas minute

Nuk ndalen protestuesit, nga Parlamenti zhvendosen drejt Drejtorisë së Policisë

11.05.2019 - 18:26

Ora 23:26/ OSBE mesazh për protestën: Dhuna, rrugë e shkurtër politike, kush e përdor dështon

Edhe OSBE ka reaguar lidhur me tensionet e regjistruara sot në protestën e opozitës.

Përmes një postimi shpërndarë mediave, OSBE shprehet se organizatorët e protestës së mbrëmjes të sotme duhet të mbajnë përgjegjësinë politike për dhunën kriminale të ushtruar nga disa prej ndjekësit e tyre.

“Organizatorët e protestës së mbrëmjes të sotme duhet të mbajnë përgjegjësinë politike për dhunën kriminale të ushtruar nga disa prej ndjekësit e tyre.

Mendimet tona shkojnë me familjet e të plagosurve. OSBE-ja do të vijojë të nxisë opozitarizmin efikas dhe dialogun në Shqipëri.

Por ne i dënojmë plotësisht ata që përpiqen të përdorin dhunën si një rrugë të shkurtër politike; ata do të dështojnë.”– thuhet në njoftimin e OSBE.

Ora 23:20/ Meta: Situata para Drejtorisë së Policisë absurde, Sait Dollapi duhet të jetë në spital

sait dollapi-konica.al

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka reaguar pas shoqërimit të Sait Dollapit nga policia duke kërkuar që ai të dërgohet në spital.

Reagimi i Kreut të Shtetit këtë radhë është shumë i drejtpërdrejt. Meta e cilëson absurde situatën para policisë.

“Situata para Drejtorisë së Policisë është absurde. Sahit Dollapi duhet të shoqërohet për në spital për të marrë ndihmën e parë për lëndimet dhe jo të mbahet në polici”, deklaron Meta.

Ky është mesazhi i katërt nga Kreu i Shtetit që prej nisjes së protestës të opozitës.

Ora 22:50/ Protesta e dhunshme e opozitës, reagon sërish Rama

Kryeministri Rama ka reaguar në lidhje me protestën e opozitës, e cila sot është shoqëruar edhe me incidente të dhunshme.

Në këtë reagim të dytë, kreu i qeverisë Rama ka shprehur respekt ndaj forcave të rendit, të cilët sipas tij me profesionalizmin e tyre kanë nderuar uniformën e shtetit.

Postimi në Twitter:

“Respekt për trupat e Policisë së Shtetit që me profesionalizmin e tyre nderuan uniformën e shtetit përballë një turme të udhëhequr nga dëshpërimi i politikës qorre. Shërim të shpejtë për policët e plagosur dhe ndëshkim për dhunuesit e tyre e për zjarrvënësit e institucioneve”, shkruan Rama.

Ora 22:48/ Protestuesit zhvendoset tek Drejtoria e Policisë, tensionohet situata

Pas shoqërimit të Sait Dollapit, sekretarit organizativ të Partisë Demokratike nga Policia, kreu i PD-së Lulzim Basha u drejtoi thirrjen protestuesve për tu vendosur pranë Drejtorisë së Policisë së Tiranës.

Ata kanë hedhur mjete të tjera piroteknike, fishekzjarrë, molotov etj.

Policia ka hedhur gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit që vazhdojnë të qëndrojnë tek policia.

Kreu i PD-së Lulzim Basha tha se Sait Dollapi është dhunuar dhe ndaluar me urdhër të kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj duke kërkuar lirimin e tij.

Ora 22:35/ Policia dhunon sekretarin e PD, Basha thirrje protestuesve

Përmes një fjale të shkurtër që mbajti tek selia e Partisë Demokratike, kryedemokrati Basha u bëri thirrje të gjithë protestuesve të zhvendosen tek Drejtoria e Policisë.

Kjo thirrje për zhvendosje erdhi pas dhunës së ushtruar nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë ndaj sekretarit organizativ të Partisë Demokratike, Sait Dollapi.

Me urdhër të Edi Ramës dhe Sandër Lleshajt është dhunuar në mënyrën më barbare të mundshme. Është shoqëruar në drejtorinë e policisë. Ju bëj thirrje gjithëve ju që të na ndiqni në drejtim të Policisë së Tiranës”, tha Basha.

Ora 22:30/ Dhuna në protestë/ Lleshaj bën bilancin e policëve të plagosur

Ka reaguar sërish në twitter ministri i brendshëm Sandër Lleshaj.

Ndërsa bën bilancin e policëve të plagosur në protestë, Lleshaj përsërit edhe një herë thirrjen për qytetarët që të distancohen nga grupi që sulmon Policinë dhe institucionet!

“13 policë janë lënduar nga dhuna ekstreme e organizuar dhe drejtuar në mënyrë politike.
Përsëris thirrjen ndaj qytetarëve që të distancohen nga grupi që sulmon Policinë dhe institucionet!” –shkruan Lleshaj në twitter.

Ora 22:00/ Situatë e tensionuar te Parlamenti, FNSH godet dhe arreston sekretarin e PD

Gjatë protestës së opozitës përballë Parlamentit të Shqipërisë janë shënuar një sërë incidentesh të dhunshme.

Flakadanë dhe bomba molotovë janë lëshuar nga protestuesit drejt efektivëve të policisë.

Një reagim i ashpër është bërë edhe nga policia e cila ka hedhur gaz lotsjellës dhe ka vënë në lëvizje botet me ujë.

Ndërkohë nga pamjet duket se sekretari organizativ i Partisë Demokratike, Sait Dollapi, është dhunuar nga forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë përpara ndërtesës së Parlamentit.

Kamerat kanë kapur momentin kur Dollapi rrëzohet në tokë ndërsa goditet me shkopinj gome nga forcat e policisë, të cilët e kanë shoqëruar më pas drejt makinës.

Ora 22:06/ Incidentet e dhunshme në protestë/ Ambasada e SHBA thirrje opozitës

Në lidhje me protestën e opozitës dhe incidentet e dhunshme ka ardhur edhe reagimi i Ambasadës Amerikane në Tiranë.

Përmes një deklarate për shtyp, ambasada thekson se dhuna nuk është demokratike dhe se duhet të ndalojë.

“Ambasada e SHBA dënon dhunën e pranishme gjatë protestës së sotme. Objektivi i deklaruar i opozitës për ta bërë demokracinë e Shqipërisë më të fortë shkon kundër dhunës që është duke u ushtruar nga protestuesit.

Dhuna është thelbësisht jodemokratike dhe duhet të ndalojë. Drejtuesit e protestës kanë përgjegjësinë të nxisin qetësi. Iu bëjmë thirrje të gjitha palëve që të tregojnë vetëpërmbajtje”, thekson Ambasada Amerikane.

Ora 21:51/ Hidhen bomba molotov/ Meta: Evitoni dhunën dhe distancë nga institucionet

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka reaguar sërish ndërsa vijon protesta e opozitës prej tre orësh.

Kreu i Shtetit iu bën sërish thirrje qytetarëve të distancohen nga aktet e dhunshme dhe nga individët, të cilët rrezikojnë policët.

Edhe më herët Presidenti tha se po ndiqte me shqetësim situatën dhe iu bëri thirrje palëve për qetësi e të evitojnë aktet e dhunës dhe konfrontimet, që mund të shkaktojnë lëndime në njerëz dhe dëme ndaj institucioneve.

Ora 21:50/ Polic i infiltruar? Protestuesit rrahin të riun

Gjatë protestë së sotme një i ri është rrahur nga protestuesit pasi e kanë cilësuar si polic të infiltruar.

Për të riun ende nuk dihet asnjë e dhënë, përveç faktit se ai ka qenë mes protestuesve dhe ka provokuar.

Kaq është dashur që ata ta qëllojnë dhe ta rrahin deri sa e ka marrë policia.

Ai është përpjekur t’i shpëtojë turmës që i ka shqyer edhe rrobat.

Ora 21:23/ Turma zhvendoset drejt Parlamentit, opozita “ndez” qiellin

Rreth tre orë pas nisjes së protestës, opozita zhvendos turmën e protestesve drejt Parlamentit nën udhëheqjen e kryedemokratit Lulzim Basha.

“Të gjithë drejt zonës ku strehohet krimi. Të gjithë pas liderit të opozitës.” -kërkoi Noka prej protestuesve.

Pas apelit të ish deputetit të PD, Flamur Noka turma e protestuesve, ashtu si edhe në cdo protestë tjetër të opozitës i është drejtuar godinës së parlamentit, ndërsa në sfond mbajnë si kolonë zanore, këngën ‘Vendi im’ të grupit Troja.

Kreu i PD-së, Lulzim Basha duke u përgjigjur nëse protesta është kthyer në rutinë deklaroi se është shprehje e vullnetit të qytetarëve për të mos u bërë njësh me krimin.

Ai tha se Rama është bërë njësh me krimin e kriminelët dhe se populli shqiptar i përket Europës.

“E vetmja rutinë që duhet të shporret nga Shqipëria është rutina e kryeministrit të lidhur me krimin dhe kriminelët gjithçka tjetër është shprehje e vullnetit të qytetarëve për të mos u bërë njësh me krimin.

Populli shqiptar i përket Europës dhe çdo përpjekje për ta larguar nga Europa do ketë betejën më të vendosur dhe më madhe. Dëgjojeni zërin e qytetarëve”, tha Basha.

Ora 21:00/ Protesta e opozitës ‘live’ në median ruse, Balla hedh dyshime: E di njeri pse?

Protesta e dhunshme e opozitës dhe transmetimi i saj ‘live’ nga mediat ndërkombëtare nuk i ka shpëtuar as vëmendjes së kreut të grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla.

Përmes një postimi në “Twitter”, Balla ka hedhur dyshime se pse protesta e opozitës sot para kryeministrisë po transmetohet ‘live’ sot nga media ruse “Russia Today”.

Ai thotë se politikanë të korruptuar protestojnë kundër reformës në drejtësi dhe duan të dëmtojnë rrugëtimin e vendit drejt BE.

E di ndonjëri se përse Rusia Today i shikon kaq interesante protestat e opozitës në Shqipëri?

RT transmeton live nga Tirana çdo herë kur disa politikanë të korruptuar protestojnë kundër reformës në drejtësi të mbështetur nga SHBA dhe BE.

Këta po përpiqen të dëmtojnë rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së”, shkruan Balla.

Ora 20:55/ Opozita “i vuri flakën” kryeministrisë/ Rama: Qeverisë s’ka ç’i bën!

Në lidhje me protestën e dhunshme të opozitës ka ardhur edhe reagimi i kryeminisrit Rama.

Përmes një postimi në Twitter, kreu i qeverisë shkruan se zjarri i hedhur mbi ndërtesën e kryeministrisë nuk i bën dot asgjë atij apo ndërtesës, por i bën keq Shqipërisë.

Gjithashtu Rama ka postuar edhe një video nga zjarri tek dera e institucionit të qeverisë.

Postimi i plotë:

“Çfarë trishtimi një lider opozite që me zë të ikur i thotë qeverisë “Aman ik!”, ndërkohë që ata rrotull tij hedhin zjarr mbi godinën e saj! Uroj që kujt vetë ende pas kësaj politike qorre, t’i jetë hapur sonte syri nga zjarri që qeverisë s’ka ç’i bën, po Shqipërisë i bën veç dëm?”, shkruan Rama.

Ora 20:47/ Tension dhe përplasje, lëndohen dy policë dhe tre protestues

Dy policë dhe tre protestues kanë mbetur të lënduar pas përplasjes përpara ndërtesës së Kryeministrisë.

Ky është bilanci paraprak i protestës që fillimisht pati momente tensione.

Nga ana tjetër, ora 20:30 minuta shënon momentin e fundit të afatit të lënë nga komisariati numër 1 i kryeqytetit.

Ora 20:39/ Fasada e Kryeministrisë mbushet me mesazhet: Rama ik!

Pasi tubuesit dhe opozita kanë qëndruar për rreth dy orë në shesh, tashmë protesta ka rënë në qetësi.

Veç molotovit, protestuesit nuk kanë kursyer drejt godinës së kryeministrisë edhe hedhjen e bojës së zezë.

Por kësaj radhe ndryshe nga çdo herë tjetër, nga opozita është përdorur edhe një projektor, përmes të cilit shfaqej në gjithë fasadën e Kryeministrisë, mesazhi kryesor i kësaj proteste: Rama ik!

Një tjetër skenografi e opozitës në bulevard. Qytetarët e mbledhur në protestën e thirru nga opozita kanë ndezur të gjithë telefonat e tyre celularë duke i ngritur lartë si pjesë e protestës së tyre kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.

Ora 20:40/ Protesta e opozitës, mediat ndërkombëtare e transmetojnë ‘live’

Protesta e opozitës është duke u transmetuar nga mediat ndërkombëtare.

Drejtpërdrejtë nga Tirana është lidhur, edhe televizionit rus shtetëror, Rusia Today’.

Gjithashtu drejtpërdrejtë është transmetuar protesta edhe nga seksioni shqip i “Zërit te Amerikës” përmes faqes së facebook, gjithashtu media të njohura ndërkombëtare kanë raportuar mbi protestën e katërt kombëtare të opozitës së bashkuar në Tiranë.

Ora 20:10/ Protesta e opozitës “djeg” Kryeministrinë, polici dhe protestuesi merren nga ambulanca

Një polic i lënduar në kokë dhe një protestues, i cili u përfshi nga flakët janë marrë nga ambulanca.

Mësohet se polici ka dalë nga radhët e kolegëve të tij dhe ka hipur në një ambulancë.

Ndërsa protestuesi sillet nga qytetarë të tjerë që e mbajnë në krahë, pasi duket i pavetëdijshëm.

Situata te kryeministria është tensionuar. Drejt institucionit janë hedhur flakadanë e bomba molotov.

Gjithashtu janë shënuar përplasje edhe mes protestuesve dhe forcave të policisë.

Ora 20:00/ Kryeministria nën pushtetin e flakëve/ Lleshaj: Askush s’mund të…!

Në lidhje me protestën e opozitës dhe situatën e tensionuar te Kryeministria ka ardhur edhe reagimi i ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj.

Përmes një postimi në Twitter, Lleshaj shkruan se nuk ndërtohet demokracia me bomba molotov, por në këtë mënyrë sipas tij synohet të shkatërrohet Shqipëria.

Postimi i plotë:

“Me Molotov nuk ndërtohet demokracia, por synohet të shkatërrohet Shqipëria. Por kjo gjë është e pamundur! Ftoj qytetarët e përgjegjshëm të distancohen nga sulmi ndaj institucioneve. Askush nuk mund ta djegë Shqipërinë përsëri!”, shkruan Lleshaj.

***

Ora 19:53/ Protesta e opozitës/ Meta i shqetësuar, bën thirrje: Evitoni konfrontimet!

Presidenti i Republikës, Ilir Meta iu ka bërë thirrje palëve për qetësi pas tensioneve në protestën e thirrur nga opozita.

Në një mesazh të Presidencës thuhet se Kreu i Shtetit po ndjek me shqetësim situatën dhe kërkon të evitohet dhuna dhe konfrontimet.

“Presidenti i Republikës, Ilir Meta është duke ndjekur me shumë shqetësim protestën e opozitës dhe u kërkon të gjithëve të ruajnë qetësinë, të evitojnë aktet e dhunës dhe konfrontimet, që mund të shkaktojnë lëndime në njerëz dhe dëme ndaj institucioneve”, deklaron Presidenca.

Ora 19:50/ Tensione dhe përplasje te Kryeministria, protestuesi përfshihet nga flakët

Situata para Kryeministrisë është tensionuar, pasi është shënuar përplasja e parë mes protestuesve dhe forcave të policisë.

Pasi kanë arritur të çajnë kordonin e policisë, protestuesit kanë hedhur flakadanë dhe bomba molotov.

Si rezultat i tyre ka marrë flakë kryeministria.

Mes flakëve e kanë gjetur veten edhe efektivët e policisë.

Ndërkohë është parë që edhe një protetsues si pasojë e hedhjes së një bombe molotov ka marrë flakë.

***

Ora 19:40/ Basha flet nga protesta, mesazh të prerë Ramës

Gjatë fjalës së tij para protestuesve, kryedemokrati Basha tha se mesazhi për Edi Ramën është një dhe i prerë.

Sipas Bashës, kryeministri Rama nuk do të mundet më të bllokojë rrugën Evropiane të Shqipërisë.

Jemi mbledhur në referendumin më të madh, nga Shkodra në Vlorë, nga Tropoja në Gjirokastër, ju uroj nga zemra mirësekeni ardhur në Kuvendin e sovranit.

Jemi mbledhur sot këtu me një mision, për të çliruar Shqipërinë e krimit të korrupsionit, për Shqipërinë si gjithë Europa.

Jemi mbledhur sot këtu me një kushtrim me një qëllim, me një mision për të mos pranuar më kurrë Shqipërinë e krimit, të korrupsionit, hajdutërisë, por për Shqipërinë si gjithë Europa.

Shqipëri si gjithë Europa ka 30 vite që shqiptarët bëjnë sakrifica të përditshme.

Jemi sot në një udhëkryq të tmerrshëm produkt i një njeriu dhe klanit të tij të babëzitur, ndaj jemi këtu për ti dhënë një mesazh të prerë: Nuk të lëmë më të bllokosh rrugën drejt Europës.

Rama ik! 6 vite e gjysmë të sundimit kriminal të Ramës e kanë lënë Shqipërinë jashtë europës, vendi i vetëm në botë pa gjykatë kushtetuese.

Sot drejtësia shqiptare është më e kapur se kurrë, kjo është vepra e zezë e Edi Ramës dhe bandës së tij kriminale. Rama ik. “ u shpreh Basha

***

Ora 19:25/ Protestuesit i vënë flakën kryeministrisë, hedhin bomba molotov

Protesta e opozitës ka nisur dhe situata te Kryeministria është tensionuar.

Janë shënuar përplasjet e para të protestuesve me forcat e policisë.

Ata kanë arritur të çajnë kordonin policor, ndërkohë që ndaj godinës së kryeministrisë janë hedhur lëndë plasëse molotov.

Si rezultat i bombave molotov, në derën e kryeministrisë është nndezur edhe një zjarr.

Në drejtim të Kryeministrisë është hedhur edhe bojë dhe gurë të shumtë.

***

Ora 19:22/ Kryemadhi mesazh Ramës: Në një sekond do të pushtohet zyra

Ndërsa nisi marshimin nga LSI për t’iu bashkuar protestës në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’, Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi i dha edhe një mesazh kryeministrit Edi Rama.

“Mirënjohëse për të gjithë ata besimtarë myslimanë, që edhe pse me agjërim, janë në bulevard. Të gjithë ata shqiptarë që besojnë në zot e gjejnë forcë e besim për tu ngritur. Ju falënderoj ju mediat, që nuk iu ndatë protestave të opozitës, pavarësisht shantazhit që ushtrohet ndaj jush.

Mirënjohëse qytetarëve që i janë përgjigjur opozitës. Kam edhe një mesazh për Edi Ramën që besoj nuk do jetë në zyrë, po me gjithë ata njerëz në shesh duhet të dijë se në një sekond zyra e tij pushtohet, ndaj t’u jap shans shqiptarëve për zgjedhje të lira e të ndershme”- u shpreh Kryemadhi.

Ora 19:11/ Ndizen flakadanët, protestuesit sërish bojë drejt Kryeministrisë

Sërish bojë drejt Kryeministrisë.

Protestuesit e thirrur nga opozita kanë hedhur bojë por edhe fishekzjarrë e tymuese drejt Kryeministrisë.

Me gjithë numrin e madh të efektivëve të policisë, qytetarët vijojnë të hedhin sende në drejtim të godinës qeveritare.

Pak minuta më parë edhe kreu i PD-së Lulzim Basha iu bashkua protestuesve që prisnin në oborrin e selisë së PD.

Ora 19:10/ U vendosi limit për protestën/ Opozita: S’e njohim Policinë e Tiranës!

Policia e Tiranës ka dhënë leje për protestë deri në 20:30, por pavarësisht kësaj Partia Demokratike deklaron se nuk e njeh më atë institucion.

PD bën me dije se pas përplasjes me banorët e Astirit si edhe arrestimit të ish-deputetit Balliu, nuk e njeh më si institucion Policinë e Tiranës.

Sipas PD-së, kërkesa për leje për të protestuar deri në mesnatë është dorëzuar ndryshe nga herët e tjera pranë komisariatit nr. 1 në Tiranë.

Sakaq forca të shumta policie kanë ‘zbarkuar’ në bulevardin Dëshmorët e Kombit, duke krijuar perimetrin e sigurisë, për mbarëvajtjen e protestës.

Janë rreth 1500 forca policore që do të angazhohen për ruajtjen e rendit e sigurisë gjatë protestë, krahas forcave të rendit, në terren do të jenë gjithashtu efektivë të RENEA-s, FNSH e Gardës së Republikës.

****

Ora 18:59/ Nis protesta e opozitës, Basha pret banorët e “Astirit”

Protestuesit e opozitës janë grumbulluar në orën 18: 30 minuta në selinë e Partisë Demokratike, ku Lulzim Basha ka dal personalisht nga zyra për të takuar ish-deputetin, Klevis Balliu dhe banorët e “Astirit”.

Ndërkohë që turma ka filluar të mblidhet në Bulevardin Dëshmorët e Kombit.

Me flamur kombëtar dhe të Partisë Demokratike, protestuesit po mblidhen në Bulevardin Dëshmorët e Kombit.

Me thirrje “Rama Ik”, “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa” apo “Shqiptarët e bashkuar kanë për të fituar”, protestuesit e opozitës po zhvillojnë sot protestën e 4 kombëtare.

Shumë prej protestuesve janë të pajisur me kundra gaz.

***        ***       ***

Forca të shumta policie dhe makina të blinduara kanë rrethuar kryeministrinë.

Të rinjtë demokratë kanë nisur përgatitjet me kolonën zanore , ndërkohë që një numëri i madh mjetesh ndodhet nga ana e pasme e kryeministrisë, mes tyre shumë të blinduara.  

I lartë është edhe numri i efektivëve që ndodhen në gatishmëri të plotë për protestën e katërt kombëtare të opozitës.

Atmosfera ende duket e qetë, por forcat e shumta të policisë dhe blindat e vendosur aty tregojnë atë që pritet të ndodhë pas pak minutash tek kryeministria.

Opozitarët kanë kërkuar leje deri në mesnatë, ndërsa në përgjigje policia e Tiranës, ka dhënë leje për të protestuar deri në orën 20:30.

Të paktën 1500 efektivë të policisë pritet të jenë të angazhuar sot në terren për mbarëvajtjen e protestës së opozitës.

Përveç forcave të policisë godina e Kryeministrisë, nga ana tjetër është e rrethuar me gardh metalik, një masë e shtuar e policisë për të shuar çdo skenar të mundshëm që mund të kenë protestuesit.

Gjithashtu, efektivët e policisë do të jenë të pajisur me maska kundragaz.

Në dyert e Kryeministrisë janë vendosur tela me gjemba, ndërsa parlamenti është rrethuar nga gardhi metalik.

Në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit” policia ka instaluar kamera me rezolucion të lartë për t filmuar cdo person të dhunshëm apo që cenon rendin publik.

Turmat do të monitorohen nga godinat e larta,nga forcat RENEA dhe efektivët e gardës. Masa sigurie do të ketë edhe në institucione të tjera të pozicionuara në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit”.

Në gadishmëri do të qëndrojnë dhe autobotet me ujë për të shpërndarë turmat si edhe shërbimi zjarrfikës dhe ai shëndetësor.