Presidenti rus Vladimir Putin ka nënshkruar në ligj që do të mundësojë krijimin e një rrjeti kombëtar, të aftë për të vepruar ndaras nga pjesa tjetër e botës, sipas dokumenteve të publikuara të mërkurën në një portal qeveritar.
Tani për tani, rrjeti mbetet kryesisht teorik, me disa detaje praktike të zbuluara.
Në koncept, ligji i ri synon të mbrojë Rusinë nga ndërhyrjet e huaja online duke krijuar atë që Kremlini e quan një “internet i qëndrueshëm, i sigurt dhe plotësisht funksional”. Legjislacioni hyn në fuqi në nëntor, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve RIA-Novosti.
Sipas një përmbledhjeje nga RIA-Novosti, ligji kërkon krijimin e një qendre monitorimi dhe menaxhimi të mbikëqyrur nga Roskomnadzor, agjencia e telekomunikacionit e Rusisë.
Kritikët kanë paralajmëruar se ligji i ri, i nënshkruar nga Putini më 1 maj dhe i publikuar në faqen e Kremlinit, do të mundësojë censurën në disa pjesë të internetit.
Agjensia shtetërore do të jetë e ngarkuar me sigurimin e disponueshmërisë së shërbimeve të komunikimit në Rusi në situata të jashtëzakonshme.
Përveç kësaj, informacioni nga entitetet shtetërore dhe ndërmarrjet shtetërore në internet do të mbrohet nëpërmjet enkriptimit, raportoi RIA-Novosti.
Ligji i ri vjen pasi ligjvënësit rusë avancuan një paketë legjislacioni në mars që synonte kufizimin e lirisë së internetit duke u lejuar autoriteteve të burgosnin individë që fyenin zyrtarët qeveritarë në internet ose përhapnin lajme të rreme.
Megjithatë, Kremlini dhe aleatët e tij në parlament kanë mbrojtur këtë legjislacion si masë nëse Shtetet e Bashkuara dëshirojnë t’i pamundësojnë Rusisë qasjen në internet.
Në rast se ndodhë një gjë e tillë, rregullatori rus i mediave, Roskomnadzor, do të mund të fitonte kontrollin e internetit në Rusi duke filtruar trafikun në këtë shtet.
Shefi i këtij institucioni, Aleksandr Zharov, ka thënë muajin e kaluar se këto masa do të shënjestrojnë edhe rrjetin social, Telegram, një aplikacion tejet popullor në Rusi.