MENU
klinika

Zenel Laci në teatrin “Poche”

Shitës patatesh – sot yll i skenës belge

22.05.2019 - 15:07

   Historia e tij është e veçantë: pas një kohe të gjatë si shitës patatesh të skuqura (simboli i ushqimit nw Belgjikë), Zenel Laci arrin të bëhet autor dhe aktor i suksesshëm. Rrëfimin e tij për gazetën “Le Soir”, ai e nis në orën dhjetë të mëngjesit. Në qendër të Brukselit është pak herët për të ngrënë patate të skuqura në biznesin e prindërve, ku Zeneli Laci, ka punuar prej moshës 14 deri në 30 vjeç. “Është një pjesë e një jete të jashtëzakonshme, që Zeneli na e shpalos mbi tavolinën e drunjtë në dyqanin ‘Fritland’, në mbretërinë e tij me patate të skuqura në Belgjikës. Pikërisht kjo “mbretëri” i ka tjetërsuar një pjesë të jetës, duke ushqyer njeriun e posaçërisht, autorin dhe aktorin që është sot”, – shkruan gazeta belge.

“Burg dhe muzë” e në të njëjtë kohë “Fritland”, e ka titulluar shfaqjen e ka krijuar për teatrin “Poche”, në Bruksel. Një histori, që rrënjët i ka në Shqipëri, kur më 1952 gjyshërit dhe i ati, ikin nga regjimi komunist. “Gjyshi im ka qenë pronar tokash dhe përkrahës i mbretit Zog. Duke iu kundërvënë regjimit komunist, ai rrezikonte burgun dhe konfiskimin e pronave. Për këtë arsye, kanë ikur”, – ka treguar ai, për “Le Soir”.

 

 

 

 

Babai i tij ishte 16 vjeç, kur ëndërronte të shkonte në Amerikë. Por realiteti do të jetë shumë më tragjik për të. Teksa kalojnë kufirin gjatë një nate të ftohtë dimri, familjes do t’i vdesin tre anëtarë që do t’i varrosin në Kosovë, para se të barten në kampet e refugjatëve në Kroaci dhe Itali. “Prindërit kanë lindur në Shqipëri, dy motrat e mëdha në Kosovë, vëllai i madh në Itali, ndërsa vëllai tjetër dhe unë, në Belgjikë”, – rrëfen artisti.

Por edhe pse vendoset në Belgjikë, i ati i Zenelit s’pranon të heqë dorë nga ëndrra e tij. “Ideja ishte të grumbullojë të holla të mjaftueshme që do t’i duheshin për të shkuar në Amerikë. Si pasojë, një pjesë të mirë të kohës, ne fëmijët e kalonim mbyllur në shtëpi. Babai s’na lejonte të shoqëroheshim me belgët, nga frika se nëse ambientoheshim, ëndrra e tij për Amerikën do të shuhej”.

Pasi ka punuar në qytezën Clabecq, ky baba kokëfortë, papritur zhvendoset me familjen në Bruksel. “Një mik, i kishte këshilluar këtë dyqan që jepej me qira. Babai, kurrë në jetën e tij s’kishte përgatitur patate të skuqura, (ushqimi më i preferuar për vendasit). Është punë e thjeshtë, i kishte thënë: Duhen patate, punëtorë për t’i qëruar dhe të fërgohen dy herë në yndyrë. Babai e kupton se, ky është fati i tij dhe e merr lokalin në vitin 1978, duke na vënë në punë ne pesë fëmijëve”, – ka vazhduar rrëfimin ai.

 

 

 

Letërsia më ka shpëtuar:

Zeneli rrëfen se në adoleshencën e hershme ishte shumë i dhënë pas letërsisë, ndonëse babai e shtynte të shkollohej dhe të punonte. “Asokohe isha 14 vjeç dhe ndiqja një shkollë teknike. Në fakt, nuk më përshtatej dhe në vend që të shkoja tetë orë në shkollë, fshihesha nën çati dhe lexoja… Jules Verne, Edgar Allan Poe, Baudelaire, Rimbaud, Verlaine etj”,- numëron ai shkrimtarët, duke kujtuar ato ditë. Gjatë atyre 16 vjetëve punë në “Fritland”, Zeneli vazhdon të lexojë pas banakut dhe të shkruajë poezi në qeset prej letre të patateve të skuqura. Ndryshe nga vëllezërit, që me të hollat që fitonin visheshin e dilnin, ai blen libra. Lokali “Fritland” bëhet kështu, teatri i tij, një lloj observatori i gjendjes njerëzore.

Në vitin 1997, Zeneli 30-vjeccar kërkon të bëjë jetë tjetër. Braktis familjen, lë punën në lokal dhe fillon studimet për të arritur ëndrrën e tij. Në vitin 2000, përfundon shkollën e lartë për skenografi dhe më 2004-ën, vazhdon studimet universitare për regji dhe dramaturgji. Prej tash e tutje, atij, dyert e teatrit iu hapën.

Deri më tani, Zeneli ka shkruar dhe ka vënë në skenë disa pjesë dramatike, ku përmendim: “Vivre”, “Human Beauty”, “Journal du femme du Kosove” (Ditari i një gruaje nga Kosova), frymëzuar nga kronika e mbajtur nga Sevdije Ahmeti, aktiviste shqiptare për të drejtat e njeriut, gjatë luftës në Kosovë.

 

 

 

Sot, ai është autor, regjisor dhe aktor, ndërsa luan për herë të parë në skenë, rolin e tij. Nga 23 prilli, çdo mbrëmje në orën 20:30, para një salle të stërmbushur rrëfen historinë e tij. Si shpërblim, duartrokitjet e gjata dhe të përzemërta të publikut ndezin sallën. Shfaqja vazhdon deri më 23 maj. Suksesi publik e shpie spektaklin në mediet belge: për të flasin gazetat, radio, televizioni.

Ky vlerësim ishte shtysa që Olivier Blin, drejtor i teatrit “Poche” në Bruksel, ta programojë shfaqjen edhe për dy javë në qershor, si dhe ta riprogramojë për vitin e ardhshëm. Regjia e shfaqjes ku Zeneli është aktor, mban emrin e regjisorit me origjinë franceze Denis Laujol, njëherësh edhe aktor në këtë shfaqje.

Shfaqja, si historia e një fëmije – të riut, biri i një refugjati politik shqiptar – që ka përballuar realitetin duke e tejkaluar kulturën patriarkale të prindërve, vjen si mesash për të gjithë ata që guxojnë të ëndërrojnë edhe kur ndodhen në rrethana krejtësisht kundër tyre./Konica.al

Përshtati: Hera Lera

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Mesazhi i fortë që Rocky Balboa i dha djalit

‘Derisa të besosh te vetja, nuk ke për të pasur një jetë’


U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit