Dëshmia e një punonjësi të palestrës, e cila ishte në pronësi të viktimës Devi Kasmi duket se ka mbështetur edhe pretendimin e prokurorisë për Krimet e Rënda, se Kasmi është vëzhguar disa kohë para vrasjes.
Ditën e djeshme është zhvilluar seanca te gjykata e Krimeve të Rënda, ku u dëgjuan dy dëshmitarë në lidhje me këtë ngjarje.
Një banor i pallatit poshtë të cilit u vra Kasmi, me inicialet L.K., tregoi se ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:00, ndërsa sipas dëshmisë së tij janë dëgjuar rreth 5 apo 6 krisma.
Dëshmitari i dytë, punonjës në palestër tha para Gjykatës se Kasmi nuk i kishte shfaqur asnjë shqetësim, megjithëse shtoi ai, nuk kanë pasur një marrëdhënie të tillë.
Më tej, në dëshmi i riu tha se rreth një muaj para se të ndodhte vrasja, ai kishte parë para palestrës një person të maskuar dhe të veshur i gjithi me të zeza.
Sipas dëshmitarit, dukej sikur ky person po vëzhgonte palestrën, ndërsa nuk arrin ta identifikojë atë, kjo pasi atë ditë vetëm sytë i dukeshin.
Dëshmia:
“Për periudhën që më pyesni, unë kam qenë në punë në parkimin e një palestre pas 15-katëshit.
Pronari i kësaj palestre ka qenë i ndjeri Defrim Kasmi. Ditën e ngjarjes kam dalë nga shtëpia dhe rreth orës 12:30-13:00 kam qenë në palestër.
Ndërkohë, rreth orës 15:00 kam takuar të ndjerin, ndërsa lajmin për vrasjen e kam dëgjuar në media. Atë ditë nuk kam parë asnjë gjë të çuditshme pranë palestrës, por rreth një muaj para asaj dite kam parë një person të maskuar, që më bëri përshtypje.
Ai ishte i veshur i gjithi me të zeza, me kapele dhe vetëm sytë i dukeshin. Më bëri përshtypje se ishte veshur shumë dhe nuk ishte edhe aq ftohtë.
Ky person ishte i gjatë, por unë nuk mund ta identifikoj dot, pasi nuk kishte pamje të qartë.
Në lidhje me këtë person i kam thënë edhe bashkëshortes së Kasmit, më kanë thënë që nëse do ta shihja sërish, atëherë duhet t’u thosha atyre”, dëshmoi shtetasi E.P. para Gjykatës.
Kutojmë që në lidhje me vrasjen e Devi Kasmit janë marrë si të pandehur greku Efthymious Efthymiou, Altin Hoxhallari dhe Elton Halipaj.