MENU
klinika

Bashkitë me më shumë të ardhura

Taksa mbi ndërtesën, 3.8 miliardë lekë në arkën e bashkive

26.05.2019 - 13:45

Të ardhurat nga taksa mbi ndërtesat zënë peshën më të madhe në totalin nga të ardhurat nga taksa mbi pasurinë e paluajtshme (mesatarisht 73.6% në tre vitet e fundit).

Për vitin 2018, të ardhurat nga kjo taksë regjistruan një nivel prej rreth 3.8 miliardë lekë, në rritje me rreth 6.9% në terma vjetorë. Rreth 48.0% e të ardhurave totale nga taksa e ndërtesës u mblodh në bashkinë Tiranë ndjekur nga bashkitë Durrës (7.4% ndaj totalit) dhe Fier (4.1% ndaj totalit).

Përdorimi si  agjent tatimor i ndërmarrjeve të UK-ve duket të ketë dhënë rezultate pozitive në periudhën e konsideruar. Të ardhurat nga taksa mbi tokën bujqësore, ndonëse me peshë të moderuar, kontribuan me rreth 628.9 milionë lekë (në rritje me rreth 8% në terma vjetorë) në kategorinë e të ardhurave nga taksa mbi pronën.

Në ndryshim nga elementi i përqendrimit të të ardhurave nga taksa e ndërtesës në një numër të kufizuar bashkish, të ardhurat nga taksa mbi tokën bujqësore rezultojnë të jenë të shpërndara ndërmjet bashkive.

Niveli më i lartë i kësaj takse u mblodh në bashkinë Fier (rreth 10.9% e totalit), ndjekur nga bashkitë Divjakë (5.1% e totalit), Roskovec (4.0%) dhe Ura Vajgurore (3.9%), lidhur dhe me karakterin bujqësor të ekonomive të këtyre bashkive. Të hyrat nga taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja vijojnë të përfaqësojnë një burim të rëndësishëm dhe qenësishëm në buxhetin vendor: në vitin 2018 të ardhurat nga kjo taksë përfaqësuan rreth 49.9% ndaj totalit të të ardhurave nga taksat vendore dhe rreth 29.8% ndaj totalit të të ardhurave nga burimet e veta. Këta dy tregues sinjalizojnë për varësi të lartë të buxhetit vendor nga kjo taksë dhe rreziqe të shtuara varësisht natyrës ciklike të saj. Gjithashtu, mund të ndodhë që bashkitë të zhvendosin preferencat për likuiditet në terma afatshkurtër, në kurriz të zhvillimi të qëndrueshëm afatgjatë.

Të ardhurat nga taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja vijuan të rriten me ritme dyshifrore për të tretin vit radhazi.

Në vitin 2018, të ardhurat nga kjo taksë shënuan një nivel prej rreth 7.2 miliardë lekë, në rritje me rreth 39.4% në terma vjetorë, ose rreth 2.1 miliardë lekë më shumë krahasuar me vitin e mëparshëm. Performanca në të ardhurat prej kësaj takse sugjeron për vijimësi të presioneve zhvillimore (rritje e numrit të lejeve të ndërtimit nga bashkitë në vijim të miratimit të planeve të përgjithshme vendore nga rreth 819 leje të reja në vitin 2016 në rreth 1,194 leje të reja në vitin 2017), ndonëse ky presion është përqendruar kryesisht në bashkinë Tiranë.

Zbatimi i Planeve të Përgjithshme Vendore (PPV) nëpërmjet lejeve të reja të ndërtimit, nga një anë, ndikon pozitivisht në rritjen e të ardhurave nga TNI për bashkitë, nga ana tjetër, i vendos ato në një pozicion sfidues për ofrimin e infrastrukturave të nevojshme publike, të cilat gjithashtu kërkojnë financime si në zhvillim fillestar ashtu dhe në mirëmbajtje të vazhdueshme.