MENU
klinika

Në 2021 hiqen plotësisht

Ulen tarifat roaming me Rajonin

09.05.2019 - 20:46

Tarifa maksimale për thirrjet dalëse në roaming, përfshi TVSH-në, do të jetë 28.5 lekë për minutë.

Për thirrjet hyrëse tarifa do të jetë 6 lekë për minutë dhe për mesazhet e shkruara 9 lekë për njësi. Ndërsa për internetin 26.37 lekë për megabyte. Vendimi hyn në fuqi në datën 1 korrik. Ndërsa në vitin 2021 tarifat do të hiqen.

Kjo është përmbajtja e rregullores së hartuar nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, i cili parashikon uljen e përshkallëzuar të tarifave roaming me vendet e rajonit. Nga 1 korriku 2020, deri në 30 qershor 2021, tarifa për thirrjet hyrëse në roaming do të ulet në rreth 3.75 lekë për minutë, ndërsa tarifa për shërbimet e tjera do të qëndrojë e njëjtë si në fazën e parë.

Nga 1 korriku 2021 të gjitha tarifat shtesë do të hiqen dhe përdoruesit shqiptarë që përdorin roaming në vendet e rajonit do të paguajnë çmime të njëjta si në Shqipëri.

Rregullimi i tarifave është bërë në euro, për ta njehsuar nivelin e tyre me vendet e tjera të rajonit. Për fazën e parë, AKEP e ka bërë konvertimin sipas kursit 125 lekë për një euro.

Për vitet në vazhdim, rregullimi do të bëhet sipas kursit zyrtar mesatar të këmbimit euro-lek për tremujorin e parë të vitit përkatës. Gjatë periudhës tranzitore, operatorët do të jenë të lirë të ofrojnë paketa ofertë në roaming, me kushtin që konsumi i plotë i sasisë së lejuar të mos çojë në tarifë për njësi më të lartë se tarifat standarde tavan.

Marrëveshja për uljen e përshkallëzuar, deri në heqjen totale të tarifave roaming u nënshkrua në fillim të muajit prill në samitin digjital të Beogradit. Palë në marrëveshje janë Shqipëria, Kosova, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Bosnje-Hercegovina.

Heqja e tarifave roaming do të bëhet sipas modelit të Bashkimit Europian, që i eliminoi plotësisht këto tarifa mes vendeve të Unionit në qershor 2017.