MENU
klinika

Kriza humanitare

4 milion njerëz janë larguar nga Venezuela

08.06.2019 - 10:22

Venezuela ka arritur ne një moment historik shqetësues. Kombet e Bashkuara thonë se më shumë se 4 milionë refugjatë dhe emigrantë janë larguar nga vendi, i cili po vuan nga kaosi politik, mungesa e ushqimit dhe hiperinflacioni.

Organizata e Kombeve te Bashkuara e ka quajtur këtë eksod “më te madhin në historinë e kohëve të fundit të Amerikës Latine dhe Karaibe”.

“Ritmi i largimeve nga Venezuela ka qenë tronditës”, tha në një deklaratë të përbashkët agjensia e refugjatëve e UNHCR dhe Organizata Ndërkombëtare për Migracionin.

Numrat e bëjnë të qartë se ritmi është duke u përshkallëzuar. OKB thotë se një milion njerëz janë larguar që nga nëntori i vitit 2018.

Shumica e njerëzve që kanë lënë Venezuelën mbeten në Amerikën Latine. Kolumbia po pret numrin më të madh të tyre, me 1.3 milionë, DHE Kili, Ekuador, Brazil dhe Argjentinë po presin më shumë se 100,000, sipas OKB.

“Këto shifra alarmuese nxjerrin në pah nevojën urgjente për të mbështetur komunitetet pritëse në vendet pritëse” tha Eduardo Stein, përfaqësues i përbashkët UNHCR-IOM për refugjatët dhe emigrantët. “Vendet e Amerikës Latine dhe Karaibet po bëjnë pjesën e tyre për t’iu përgjigjur kësaj krize të paprecedent, por nuk mund të pritet që ata të vazhdojnë ta bëjnë këtë pa ndihmë ndërkombëtare”.

Në nëntor, tetë vende nga rajoni u takuan në Quito dhe nënshkruan një marrëveshje për të punuar së bashku për një reagim humanitar ndaj refugjatëve dhe fluksit të migrantëve.

Njerëzit që kalojnë kufirin shpesh janë pa kursime për shkak të hiperinflacionit.

Venezuela është në mes të një lufte lidershipi, me presidentin autoritar Nicolás Maduro duke u përballur me sfidat e udhëheqësit të opozitës Juan Guaido. Guaido është njohur si udhëheqës i Venezuelës nga shumë vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara.

Të dyja palët kanë hyrë kohët e fundit në bisedime në Oslo, Norvegji, por ato nuk kanë prodhuar rezultate të rëndësishme.