MENU
klinika

Kush e shpalli pavarësinë në Lezhë, 3 dhjetor '12?

A ishte Prengë Biba Doda konkurrenti politik i Gjeto Çokut?

04.06.2019 - 12:22

 

  • Gjeto Çoku ishte një luftëtar i njohur në zonën e Lezhës kundër pushtimit osman për pavarësinë e Shqipërisë: 10 FAKTE
  • Gjeto Çoku mori pjesë në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, më 10 qershor 1878, duke drejtuar çetën e tij në mbrojtje të çështjes shqiptare.
  • Një nga betejat e tij më të rëndësishme kundër turqve është ajo më 22 qershor 1912, që Gjeto Çoku e drejtoi bashkë me vëllanë e tij, Dedë Çokun, dhe Llesh Nikë Dakën, në Bregun e Matës.
  • Gjeto Çoku ishte personi që shpalli pavarësinë në Lezhë, më 3 dhjetor 1912.
  • Dy kundërshtarët më të mëdhenj të Gjeto Çokut ishin Prengë Bibë Doda, një personalitet dhe politikan i njohur në zonën e Veriut, dhe Esad Pashë Toptani.
  • Prefekti i Lezhës Gjeto Çoku është zyrtari i parë i shtetit shqiptar i vrarë gjatë ushtrimit të detyrës.
  • Gjergj Fishta dhe Ndre Mjeda ishin personalitetet shqiptare që morën pjesë në varrimin e Gjeto Çokut.
  • Albanologët Franz Baron Nopcsa dhe Edith Durham ishin dy personalitetet e huaja që morën pjesë në ceremoninë e varrimit të Gjeto Çokut.
  • Më 15 tetor të vitit 1984 Gjeto Çok Preka (Gjeto Çoku) u shpall dëshmor i luftës për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë.
  • Djali i Gjeto Çokut vrau Prengë Bibë Dodën, duke marrë në këtë mënyrë gjakun për vrasjen e të atit.

DEKLARATA TË BUJSHME PËR VRASJEN

Eqrem bej Vlora, letër, 17 nëntor 1913

“Në Lezhë e Shën Gjin, është formuar një Qeveri Kombëtare nën drejtimin e malësorëve të Lezhës, si armiq të Bibë Dodës. Ata janë edhe kundër Esad Pashajt… Bibë Doda ka siguruar krahinën e Mirditës… Vrasja e Gjeto Çokut e ka armiqësuar atë me katolikët e Malësisë së Lezhës…

 

 

 

 

 

10 MISTERE

  • Cilët ishin ata që kërkonin me ngulm eleminimin fizik të Gjeto Çokut?
  • Cilët ishin rivalët politikë në Lezhë të Gjeto Çokut që përfitonin nga vrasja e tij?
  • Kush e nxiti xhandarin Prengë Kolë Brunga të ndihej i fyer nga prefekti Gjeko Çoku dhe ta vriste atë?
  • Përse heqja e armës u cilësua fyerje, kur xhandari kishte bërë një faj ushtarak dhe vendimi ishte më se normal?
  • Si ka mundësi që xhandari u ndje i fyer për heqjen e armës dhe nuk ndjeu mirënjohje për prefektin, i cili e kishte futur në punë?
  • Si ka mundësi që asnjë nga komandantët e xhandarit ose persona të tjerë, nuk e njoftuan prefektin se ai ishte ndier i fyer dhe donte ta vriste?
  • Përse Prengë Bibë Doda i bëri presion Gjeto Çokut për t’u shkëputur nga qeveria e Ismail Qemalit?
  • A ishte Prengë Biba Doda konkurrenti politik i Gjeto Çokut që organizoi këtë vrasje?
  • Çfarë solli kundërshtimi që Gjeto Çoku i bëri propozimin të Prengë Bibë Dodës?
  • A ndihej vërtet i rrezikuar për jetën prefekti Gjeto Çoku?

 

TË DHËNA NË SHIFRA

40 BASHKËPUNTORË : Të Gjeto Çokut ishin pjesëmarrës në ngritjen e flamurit në Lezhë, më 3 dhjetor 1912.

10          MUAJ E 4 DITË : Qëndroi Gjeto Çoku në krye të prefekturës së Lezhës, që disa e quajtën qeveria e Lezhës.

6 VJET MË PAS : I biri i Gjeto Çokut mori gjakun e babait, duke vrarë zëvendëskryeministrin Prengë Bibë Doda në një pritë.

Gjeto Çoku ishte dy herë hero: hero për mëvetësimin e Shqipërisë nga Turqia dhe njëkohësisht hero i katolicizmit. Por të dyja këto u shuan të martën e 7 tetorit, të vitit 1913, kur në orërn 15.00, teksa ecte në urën e Lezhës, prefekti u qëllua me pushkë nga xhandari dhe vartësi i tij, Prengë Kolë Brunga, duke e lënë të vdekur në vend. Njeriu që kishte shpallur në Lezhë pavarësinë nga Turqia, të cilin ndërkombëtarët e emëruan prefekt të Lezhës, pas zbrazjes së Shkodrës nga ushtritë e huaja, u bë viktimë e rregullave të Kanunit. Dhe të mendosh që u vra nga një person të cilin e punësoi xhandar me ndërhyrjen e Prengë Bibë Dodës. Gjeto Çoku u bë kësisoj shqiptari i parë i vrarë gjatë ushtrimit të detyrës në historinë e shtetit shqiptar.

 

SKENA E KRIMIT

Prengë Kolë Brunga ishte një xhandar në Shëngjin që ishte ndier i fyer nga një urdhër i prefektit Gjeto Çoku për t’i hequr armën. Eprorët e Brungës i kishin raportuar prefektit se ai kishte shkelur rregullat si xhandar, prandaj heqja e armës së shërbimit ishte një masë e mbështetur në rregullat e prefekturës. Por nuk ishte kështu për xhandarin. I fyer për këtë vendim, me pushkën të cilën duhet ta dorëzonte, e priti prefektin kur po kalonte në urën e Lezhës. Inati dhe fyerja ishin bërë bashkë, teksa, sapo ai u shfaq, e qëlloi dhe e vrau. I pari që lajmëroi për këtë ngjarje kaq të rëndë, ndërkohë që shteti shqiptar ishte ende në shpërgenj, që poeti dhe shkrimtari Gjergj Fishta. Në revistën “Hylli i Dritës” ai shkruan:

“ Më 7 të tetorit, nji rrezik i madh e gjeti Qeverinë e Lezhës , Malësinë e Madhe e, të thuesh, Shqipninë mbarë, psenë këtë ditë Gjeto Çoku, kryetar i Qeverisë së Lezhës, që vra në tradhëti prej njifarë Prengë Gjakova, nji mirditas, dalë tash vonë në Gjakovë e shkrue, së mbami, në xhandarmëri të Lezhës”.

Por skenën e vrasjes e sjell me detaje në kujtimet e tij bashëkohësi Sejfi Vllamasi.

“Njëfarë Prengë Kolë Brunga prej Blinishtit të Mirditës i lutet Prengë Pashë që t’i gjejë një punë. Ky i fundit me një letër rekomandimi ia dërgon këtë Gjeto Çokut, i cili e emëron si xhandar në Shëngjin, mirëpo ky xhandar na paska bërë një faj dhe për këtë si dënim i merret pushka. Ky person e quan veten të turpëruar dhe nën influencën e zakonit, për të larë turpin që iu bë, vret prefektin Gjeto Çoku mbi urën e Lezhës”.

 

 

 

 

LEZHA DHE GJETO ÇOKU

Edith Durham mund të jetë e vetmja vizitore e huaj që përshkruan situatën në qytetin e Lezhës gjatë kohës kur ishte prefekt Gjeto Çoku. Është si një xhevair i rrallë të kesh të dokumentuar atmosferën e atyre ditëve.

“ 15 qershor 1913. Shkuam me kalë në Lezhë duke kaluar nëpër fshatrat e djegura nga serbët. Aty gjetëm flamurin shqiptar që valëvitej mbi urën e Lezhës, si dhe roja shqiptare. Qyteti është fare pa jetë dhe hani ishte i rrënuar. Qyteti patrullohej nga njerëzit e Dedë Çokut. Rregulli ishte i përsosur. Dëgjova rrëfime për serbët që ishin sjellë egërsisht me të burgosurit”.

Por vrasja bëri shumë bujë, jo vetëm në Lezhë, por në të gjithë Shqipërinë, madje edhe jashtë saj. Gjergj Fishta e portretizoi me nota poetike shqiptarin e parë që ra dëshmor pas themelit të shtetit.

“ Gjeto Çoku qe i krishtenë i mirë, atdhetar i njimendët e burrë i drejtë e trim. Pa qenë vetë nevoja e kujt e pa sopatë e drapën kurrë n’e huejën, qe buka e të gjithë shekullit ( buka e të gjithë shekullit- kuptimi: qe mikpritës; në shtëpi të tij hanin bukë njerëz të shumtë, shënimi i redaksisë së revistës “ Hylli i Dritës”); e as iu shit, as iu leçit kujt a për me u pri, a për me u çelë shteg ushtrive; por, konden ( i kënaqur) në atë okë e copë, në të cilat e pati vu Zoti, qe nderi i fesë, numri i Atdheut e miku i të gjithë të mirëve.

 

 

 

 

VARRIMI DHE GJAKMARRJA

Gjeto Çoku u varros një ditë pas vrasjes në Shënkoll dhe aty gjendet ende varri i tij. Ndre Mjeda dhe Gjergj Fishta ishin personalitetet shqiptare që e nderuan në ceremoni. Por nderi u ngrit edhe më shumë kur aty morën pjesë edhe allbanologët Francez Baron Nopcsa dhe Edith Durham. Zemërimi i familjes Çoku kishte arritur kulmin me vrasjen e Gjetos. Meqë arsyeja kishte qene Kanuni, edhe ata u mbështetën në Kanun, kur kujtuan se autori, Prengë Kolë Brunga, ishte emëruar xhandar nga Gjetoja, pas sugjerimit dhe ndikimit të Prengë Bibë Dodës. Kështu që familja ia faturoi atij vrasjen. Ngjarjet morën një rrjedhë tjetër, kur djali i prefektit të Lezhës vrau 6 vjet më vonë zëvendëskryeministrin e qeverisë, Prengë Bibë Dodën. Sejfi Vllamasi e shpjegon kështu versionin, arsyen dhe momentin e gjakmarrjes:

“Më vonë familja e Gjeto Çokut këtë vrasje ia faturon Prengë Pashës, për arsye se ai ia kishte rekomanduar këtë njeri. Më 22 mars të vitit 1919, Prengë Pasha, nënkryetar i qeverisë së Turhan Pashës në Durrës, vritet nga i biri i Gjeto Çokut, Prek Gjeto Çoku, kur po kalonte lumin e Matit bashkë me anglezin Eden. Kur vetura qëllohet nga prita, pashai ngrihet në këmbë dhe bërtet: Le t’më vrisni mue, por mos qëlloni mbi të hujt, se është kundër zakonit tonë. Pashai vritet dhe konsulli Eden plagoset në krah”.

Kështu, për një pushkë të hequr pas një faji të xhandarit, u vranë dy njerëz. Më saktë, dy nga shtetarët e parë të shtetit shqiptar: Gjeto Çoku, prefekt, dhe Prengë Bibë Doda, zëvendëskryeministër. Qe një kohë kur vrasja në Shqipëri kryhej kaq lehtë dhe pa arsye, çka do ta shoqëronte këtë vend deri në ditët tona./Konica.al

Shkëputur nga libri me autor Roland Qafokun: “100 VRASJET MË TË BUJSHME”(Në historinë e shtetit shqiptar në të gjitha trojet shqiptare, 1912-2017)

 

Përgatiti: Hera Lera

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit