Liderët evropianë kanë nisur bisedimet në Bruksel për të vendosur se kush do të jetë në krye të pozitave kryesore në Bashkimin Evropian dhe çfarë do të jetë prioritet në pesë vjetët e ardhshëm.
Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, që drejton bisedimet, ka kërkuar që kandidatët të emërohen në këtë samit.
Emrat e përmendur më pas duhet të marrin miratimin edhe nga Parlamenti Evropian. Pozita më e rëndësishme në bllokun evropian është ajo e Presidentit të Komisonit. Ish-kryeministri i Luksemburgut, Jean-Claude Juncker, ka mbajtur këtë pozitë nga viti 2014.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha të premten se tre kandidatët kryesorë për presidencën e Komisionit Evropian, dështuan të marrin mbështetjen e mjaftueshme nga udhëheqësit e vendeve të Bashkimit Evropian.
Macron kishte bërë fushatë për të bllokuar kandidatin e kancelares gjermane Angela Merkel, Manfred Weber, një nënkryetar i partisë së saj të qendrës së djathtë.
“Duket qartë këtë mëngjes se nuk kishte një shumicë për Weberin”, tha Macron.
I pyetur nëse ka pasur tension midis Francës dhe Gjermanisë lidhur me procesin e emërimit, Macron tha:
“Nuk kam asgjë kundër një kandidature gjermane, e thashë dhe nuk ishte shaka, nëse kancelarja (Angela Merkel) do të ishte kandidate, do ta kisha mbështetur, sepse mendoj se ajo ka cilësitë, aftësitë për të qenë një presidente shumë e mirë e Komisionit”, tha Macron.
Liderët e rinj, përveç zëvëndësimit të zyrtarëve Tusk dhe Juncker, do të duhet të vendosin edhe për presidentin e ri të Bankës Qendrore Evropiane, përfaqësuesin e Lartë për Politikë të Jashtme dhe presidentin e Parlamentit Evropian.
Komisioni Evropian harton ligjet e BE-së, mbikëqyr buxhetin kombëtar, dhe kërkon zbatimin e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare.
Të nominuarit duhet të kenë mbështetjen e të paktën 21 nga 28 liderët evropianë, si dhe të kenë shumicën e votave në parlament.