Qeveria amerikane nuk do ta udhëheqë procesin midis Beogradit dhe Prishtinës, është një punë për Bashkimin Evropian (BE), “por ne do të jemi atje për të ndihmuar sa më shumë që të mundemi”.
Kështu ka thënë ambasadori i SHBA-së në Serbi, Kyle Scott në një intervistë me “FoNet”.
Ai gjithashtu ua ka kujtuar serbëve se për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kosova është një vend i pavarur.
Në këtë drejtim, Kyle Scott ka theksuar se kjo është një kohë e mirë për të negociuar, me qëllim të arritjes së kompromisit dhe normalizimit të marrëdhënieve në mes dy palëve.
“Por çfarë do të jetë normalizimi dhe çfarë do të jetë marrëveshja, nuk e dimë ende”, citohet të ketë thënë Scott duke shtuar se SHBA mbështet BE-në në këtë proces.
Sipas tij, “çdo zgjidhje e përhershme duhet të vijë nga negociatorët, domethënë nga Beogradi dhe Prishtina”.
Zgjidhja duhet t’i japë stabilitet rajonit, jo për ta bërë rajonin të paqëndrueshëm, ka theksuar Scott dhe ka thënë se Shtetet e Bashkuara nuk kanë një “vijë të kuqe” ose se “do të pranojnë çdo gjë që vjen nga Beogradi dhe Prishtina”.
“Por themi se jemi të hapur ndaj zgjidhjes dhe jemi të hapur për të parë se çfarë lloj marrëveshjeje është ajo midis Beogradit dhe Prishtinës dhe ne e dimë se nuk do të ketë marrëveshje nëse nuk ka negociata”, ka thënë ndër tjerash ambasadori i SHBA-së në Beograd.