Me thirrje e duartrokitje është pritur para gjykatës ish-deputeti i PD-së Bardh Spahia i cili do të njihet sot me masën e sigurisë nga Gjykata e Shkodrës pasi akuzohet për ngjarjet e ndodhur në KZAZ, ku iu vu flaka materialeve zgjedhore.
Mësohet se qindra mbështetës janë mbledhur para gjykatës, ku gjithashtu ka një numër të madh efektivësh të policisë.
Në mbledhjen e natës së kaluar, pas protestës së nëntë kombëtare të opozitës, u vendos që të gjithë ish-deputetët do të jenë sot në Gjykatën e Shkodrës për të protestuar kundër ndalimit të tij.
Partia Demokratike e quajti ish-deputetin Bardh Spahia të burgosur politik dhe i kërkoi Prokurorisë urdhërimin e menjëhershëm të lirimit të tij.
Kujtojmë se mbrëmjen e kaluar qytetarë nga Shkodra kanë protestuar para Policisë së Tiranës aty ku mbahet ish-deputeti Spahia, i arrestuar pas ngjarjeve në KZAZ në Shkodër.
Protestuesit kërkuan lirimin e Spahisë dhe personave të tjerë të arrestuar dhe paralajmëruan protesta të përditshme.