MENU
klinika

Për të gjitha profesionet

Dëmtimet në punë, formula e re për llogaritjen e dëmshpërblimit

22.06.2019 - 21:30

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka hartuar një tabelë e cila evidenton çdo rast të humbjes së aftësisë në punë, në mënyrë që të palët e dëmtuara të përfitojnë shpërblimin në bazë të diagnozës së saktë që kanë.

Vlerat e dëmshpërblimit deri në 100 mijë lekë të rinj, të cilat konsiderohen të vogla, qytetarët duhet t’i marrin brenda 14 ditëve.

Tabela “shkalla e humbjes së aftësisë së përhershme në punë, tabela nr. 2”, është e mbështetur kryesisht në “European physical and mental disability rating scale for medical purposes”, të Bashkimit Europian si dhe në tabelat analoge të disa vendeve të Ballkanit Perëndimor (Kroaci, Kosovë, Mali i Zi, Maqedoni).

Në këtë tabelë, janë listuar pasojat (sekuelat) e përhershme pasojë e dëmtimeve traumatike nga mjetet motorike dhe në shumicën e rasteve janë të shprehura në përqindje fikse si p.sh. 15%, 40% etj.

Tabela është ndërtuar në përshtatje me topografinë regjionale të sistemeve të organeve të trupit njerëzor është e ndarë në gjashtë pjesë, secila e titulluar me emrin “Artikull”, me numra nga 1 deri në 6.

Çdo artikull ndahet në pika dhe nënpika, si p.sh.: art. 1, pika 1.1, nënpika 1.1.1 e kështu me radhë për secilën pasojë të çdo dëmtimi traumatik.

Vlerësimi mjekësor, në dëmtimet serioze duhet të kryhet në një kohë kur gjendja shëndetësore e të dëmtuarit të ketë arritur një përmirësim mjekësor maksimal, pra rikuperimi të jetë arritur në masën më të mirë të mundshme dhe gjendja invalidizuese e pacientit konsiderohet e palëvizshme.

Në këtë kontekst, koeficienti i paaftësisë nuk mund të përcaktohet të paktën para 6 muajve nga data e dëmtimit, përveç rasteve kur palët kanë rënë dakord ndryshe, duke bërë parashikime sa më të sakta për ecurinë e gjendjes shëndetësore dhe përmirësimin e tij maksimal të mundshme; konkluzione për ardhmërinë e të dëmtuarit në bashkëpunim me specialistët e fushave të ndryshme mjekësore.

Vlerësimi mjekësor në përcaktimin e pasojave (residuave) shëndetësore duhet të përshtatë rregullat e mëposhtme:
a. të identifikojë të gjitha dëmtimet traumatike, në momentin e traumës sipas përshkrimit të mjekëve të qendrave shëndetësore e spitalore;
b. të përcaktojë diagnozën dhe të analizojë ashpërsinë e dëmtimeve dhe pasojat që ato lenë ose do të lënë në jetën e përditshme shoqërore profesionale të të dëmtuarit edhe kur nuk kanë mbaruar procedurat mjekësore të shërimit e rehabilitimit;
c. të vlerësojë në përqindje shkallën e zvogëlimit të aktivitetit jetësor të personit të dëmtuar;
ç. të parashikojë në rastet kur i dëmtuari është në vazhdimësi të procedurave mjekësore paaftësinë pas përfundimit të tyre.

Vlerësimi për përcaktimin e pasojave shëndetësore duhet të bazohet:
1. Në shqyrtimin dhe vlerësimin e dokumenteve mjekësore që duhen të jenë pjesë e “Dosjes së dëmit”:
a) kartelat klinike të trajtimit spitalor të të dëmtuarit (fotokopje e vulosur dhe firmosur nga përgjegjësi i zyrës së statistikës së institucionit);
b) kartela mjekësore personale e shërbimit ambulator të lagjes ku banon i dëmtuari (fotokopje e vulosur dhe firmosur nga përgjegjësi i zyrës së statistikës së institucionit);
c) epikriza zyrtare të ndryshme apo konsulta mjekësore me firmën dhe vulën personale të specialistit përkatës;
d) raporte paaftësie modular tip A dhe B, ose nga komisionet medikolegale apo nga KMCAP-ja;
e) rografi, skaner, rezonance magnetike dhe çdo dokument tjetër të lëshuara nga institucionet mjekësore, që mund t’i disponojë i dëmtuari;
f) aktekspertimi zyrtar i mjekësisë ligjore;
g) të dhënat e ekzaminimeve plotësuese ose konsultave specialistike, krahas pasqyrimit në akt duhet t’i bashkëlidhet akti i vlerësimit.
2. Parimet Metodologjike të Përcaktimit të Koeficientit të Paaftësisë
a. Caktimi i përqindjeve bëhet në mënyrë të përshkallëzuar nga 0 deri 100% (totali nuk mund ta tejkalojë 100%-in).
b. Në raste të veçanta, kur pasojat e dëmtimeve trupore ndërthuren me pasojat nga një ngjarje të vjetër aksidentale e të dëmtuarit, vlerësimi duhet të bëhet duke zbritur përqindjen e mëhershme të zvogëlimit të aktivitetit jetësor.
c. Te pasojat e dëmtimeve të shumëfishta që mund të jenë njëkohësisht të pranishme në regjione të ndryshme të trupit (politraumat) si në kokë, kraharor apo gjymtyrë, përqindja e përgjithshme llogaritet duke filluar nga pasoja që ka përqindjen më të lartë, dhe më pas përqindjet vijuese caktohen duke u bazuar në rregullin në formulën e përcaktuar në këtë kapitull.
ç. Përqindjet e dëmtimit të gishtave mblidhen matematikisht.
d Kur vlera del me presje dhjetore shifra rrumbullakoset me numërorin më lart (p.sh.: 10.1 rrumbullakoset 11).
3. Metoda për llogaritjen e paaftësisë së përhershme

Vlerësimi në përqindje do të bëhet sipas artikujve të paraqitur në tabelën 2.
Në rastet e disa dëmtimeve trupore do të bëhet përllogaritja e humbjes të aftësisë për punë me metodën gjeometrike, duke bërë renditjen nga përqindja më e lartë deri te më e ulëta, sipas formulës më poshtë:
Formula: 1+1/2+1/4+1/8 etj.
1 Është dëmtimi i parë i plotë që korrespondon me përqindjen më të lartë
½ Është dëmtimi i dytë që korrespondon me përqindjen e dytë më të lartë (nëse ka dëme të tjera)
¼ Është dëmtimi i tretë që korrespondon me përqindjen e tretë më të lartë (nëse ka dëme të tjera)
1/8 Është dëmtimi i katërt që korrespondon me përqindjen e katërt më të lartë (nëse ka dëme të tjera).