“Më duket se të gjitha vitet e lutjeve të dëshperuara, Zoti ynë m’i dëgjoi dhe se ëndrra ime- ajo që djali im i vetëm të mund të kthehej në vendin e lindjes- po fillon të bëhet realitet, Duhet të lutem akoma dhe t’i mbaj sytë të hapur, të kem guximin ta shoh mjerimin që ekziston në atë vend europian, prej aq kohësh mbajtur i mbyllur. Tani për tani, nuk i kam shkruar dhe as i kam folur kujt për këtë gjendje të pabesueshme. Kam përshtypjen se gjithë ata që veprojnë ( në favor të kthimit tonë) luten që unë të mbërrij në atë tokë, të cilën nuk e kam parë prej gjashtëdhjetë e tre vjetëve! Të lutem, prit si unë; tani duhet të heshtim dhe të dëgjojmë atë që Ati ynë i Shenjtë, Papa na kërkon, mrekullia e Mëshirës së madhe të Zotit tonë Jezu Krisht. Një abrazo e fortë dhe gjithë dashurinë ngrohtësinë time.”
Kjo letër e shkruar nga Randburgu në Afrikën e Jugut mban datën 15 shkurt 2002 dhe është e fundit që unë e mora nga mbretëresha Geraldinë. Kurrë, që prej fillimit të letërkëmbimit tonë më 1995-ën, ajo nuk e kishte shmangur që të fliste për Shqipërinë, këtë vend martir, të cilit i drejtonte të gjitha lutjet e saj.
Ajo mendonte se rënia e komunizmit, nuk ishte qëllim në vetvete, sepse gjithçka do të rindërtohej, jo vetëm në rrafshin ekonomik por edhe në atë moral dhe shpirtëror. Në atë fillim të vitit 2002, megjithatë, gjendja e saj shëndetësore ia bënte më të rëndë çdo sekondë të mërgimit. A mund të realizohej ëndrra e fundit e mbretit Zog? Jam e sigurt se, ndonëse ajo nuk e kishte përmendur kurrë, nuk do të reshte së besuari në thellësinë e zemrës së saj.
Përgjatë gjithë letërkëmbimit tonë, ajo shqetësohej për “mizoritë” që shikonte “ në këtë botë që po e humbiste krejtësisht shpirtin dhe po bëhej robinjë e teknologjisë, e materializmit”. “ Unë kam një ndjenjë shumë të fortë të rrezikut: terroristët, fondamentalistët krijojnë ngado celula, me qëllim që të kryejnë sulme”, më shkruante më 1998-ën, tre vite përpara atentateve të 11 shtatorit. Ngushëllimi i vinte nga lajmet nga Shqipëria postkomuniste, me të cilat mbushte ditët. “ Mora, nuk e di se si më mbërritën, dy letra tepër prekëse nga Tirana. Në njërën shkruhet: “Jemi disa gra që kemi organizuar një mbrëmje në nderim të ditës suaj të lindjes dhe shumë nëna u kanë vënë vajzave të sapolindura emrin tuaj, që ta kenë si bekim”. Kam qarë vërtet”.
E ndërgjegjshme për kohën që kakonte, ajo bëri të ditur me guxim dhe dinjitet që dëshironte t’i mbyllte ditët në vendin e saj. Një letër, dërguar Ismail Kadaresë, e cila e kapi në befasi dhe i dha kënaqësi të madhe, siç tregon Helena, e shoqja, u bë publike. “ I dashuri shkrimtari ynë i shquar, shkruan mbretëresha. Kudo ku kemi jetuar me familjen mbretërore, përfshi edhe Afrikën e largët, Shqipëria ka qenë me mua dhe kam jetuar vetëm për të…Shpresoj që të ketë ende kohë për mua dhe për familjen time, që të mund të jetojmë atje. Atje është vendi im, në atdheun tim e të tim shoqi, mbretit Zog. Dashtë Zoti i Gjithëpushtetshëm, që të jetoj akoma me Shqipërinë, e cila më dha këtë emër, të cilin e ruaj si thesarin më të madh të jetës sime. “I emocionuar, shkrimtari i përgjigjet se kjo dëshirë e fundit e saj ishte për të, si edhe padyshim për pjesën më të madhe të bashkëpatriotëve të tyre “një lajm i lumtur dhe tronditës”. Nga ky gjest i madh, shtonte Kadare, ju na jepni të gjithëve ne një mesazh fisnik: se është e mundur ta duash atdheun tënd edhe kur ai është i mjerë dhe e vështirë të jetohet.”
Historia, rrjedha e së cilës kishte qenë tepër e ngadaltë, befas u shpejtua. Më 22 mars, nën qeverinë e majtë, të drejtuar nga Fatos Nano, shtatëdhjetë e nëntë deputetë, të të gjitha krahëve, votojnë në favor të kthimit të familjes mbretërore. “Për ne ishte bërë e pamundur të vazhdonin të qëndronim në Afrikën e jugut dhe babai im, mbreti Leka, kërkonte zgjidhje. Nëpërmjet disa miqve në Shtetet E Bashkuara, ai iu drejtua mbretit Mohammed VI, i cili iu përgjigj se ishim të mirëpritur në Marok, rrëfen sot nipi, princi Leka.”
E mërkurë 28 qershor 2002. Rreth orën nëntë e tridhjetë, avioni, mbështet rrotat mbi asfaltin e pistës së aeroportit Nënë Tereza, në Rinas të Tiranës. Janë të pranishëm më mijëra persona. Duke hapur rrugën mes tam-tameve dhe orkestrave popullore, Sulejman Gjanaj, një lider i ri i partisë Legalitetit, hipën ndër të parët në avion për të pritur familjen mbretërore. E ulur përbri të birit, Geraldina, disi e ligur, i ka sytë të mbushur me lot. Lot lumturie.
“U nisëm nga aeroporti Lanseria, i Afrikës së Jugut, në një natë të ftohtë dimri dhe mbërritëm në Tiranë në një ditë vere të nxehtë, vazhdon princi Leka. Filloi një pështjellim i plotë, pasi mbërritëm një orë përpara parashikimit. Të gjithë ishin tejet të mallëngjyer. Me kujtohet ende hapi im i parë jashtë avionit në atë furrë të përvëluar, që gati më mori frymën dhe reagimi i turmës, kur u shfaqën gjyshja dhe babai. Edhe sot e kësaj dite më mblidhet një lëmsh në fyt.”
Nuk i mbetën as edhe katër muaj jetë, por të gjithë këto ditë të pakta kalojnë me një denduri të rrallë, e rrethuar nga dashuria e bashkëpatriotëve të saj. Të afërmit i shkojnë për vizitë në shtëpinë e madhe në rrugën Lek Dukagjini: Julia, e mbesa, të cilën e konsideron si vajzën e vet, Maria Von Daranyi ( me mbiemër vajzërie Edelsheim- Gyulai) shoqja e saj e fëmijërisë, më e dashur nga të gjitha, ajo të cilën e quante “motra ime binjake” dhe qe më mirë se kushdo tjetër ia njihte bukurinë e shpirtit. Nëntë vjet më vonë, më 2011- ën ajo grua, në moshën nëntëdhjetë e gjashtë vjeçare, me një kthjelltësi të habitshme dhe me një thjeshtësi dhe fisnikëri të rrallë, do të gjejë fjalët e duhura për të folur për shoqen, me të cilën ndante të gjitha sekretet: “ Geraldina gjithnjë ka menduar me zemër.”
Gjatë verës së vitti 2002, gjendja shëndetësore e mbretëreshës Geraldinë rëndohet. Megjithatë, pas një qëndrimi të shkurtër në Marsejë, ku Silviane Meselier, motra e saj me nënë, e shtron në spital, Geraldina i merr forcat. Në telefon, mjeti ynë i fundit i komunikimit, ajo flet vetëm për kthimin në Shqipëri. Më 22 tetor, pas disa krizash kardiake, ajo shuhet në Tiranë. “Edhe pse vuante nga një emfizemë prej vitesh, gjyshja ime ishte tepër e fortë dhe ne u habitëm kur infermierja dhe mjeku sugjeruan ta shtronin në spitalin ushtarak, shpjegon princ Leka. Për asnjë sekondë nuk do ta besoja se ajo ishte hera e fundit që do ta shihja gjallë. Pak më parë, gjatë ditës ajo kishte përgatitur programin e ditës së nesërme dhe kishte pranuar të jepte intervistën e saj të parë publike”.
“Do të vdes si shqiptare, në tokë shqiptare, mes shqiptarëve”, kishte premtuar. Një turmë e madhe, e gjithë klasa politike dhe përfaqësues të të gjitha besimeve të vendit, përkulen përpara trupit të saj gjatë homazheve dhe ceremonisë mortore, mbajtur në katedralen e Shën Pjetrit e të kryesuar nga imzot Rrok Mirdita, arqipeshkv i Tiranës.
Pasi u varros në varrezat e Sharrës, në të dalë të kryeqytetit, ashtu si edhe nusja e djalit të saj, Suzana, vdekur më 2004-ën, në moshën gjashtëdhjetë e tre vjeçare dhe të birit në moshën shtatëdhjetë e dy vjeçare, sot mbretëresha prehet pranë tyre dhe të shoqit të dashur, në një mauzole pranë Pallatit të Brigadave, në Tiranë.
Këtu, kjo histori bart sërish një lloj mrekullie hyjnore…Më 2012-ën, viti i njëqind vjetorit të pavarësisë, qerveria shqiptare vendosi të riatdhesojë eshtrat e mbretit Zog. Ishte një mënyrë që Shqipëria postkomuniste, të paqtohej me të shkuarën e saj dhe të nderonte kujtimin e atij që kontribuoi për ta shndërruar këtë ish provincë të Perandorisë otomane në një shtet të bashkuar dhe modern. Më 17 nëntor, në praninë e mijëra shqiptarëve dhe të shumë personaliteteve- mes të cilëve presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, zëvendës-kryeminsitri i Hungarisë Semjen Zsolt, duka i madh Romanovi, princi Nicolas 1 i Malit të Zi dhe princi Radu i Rumanisë, i shoqi i mbretëreshës trashëgimtare Margarita, të katër pjesëtarët e familjes mbrtërore, hynë në këtë mauzole, të ndërtuar në vend të atij ku gjendeshin eshtrat e nënës mbretëreshë Sadije Toptani dhe të cilin komunistët e kishin shkatërruar më 1946-ën, po më 17 nëntor.
Trashëgimtari i fronit, princi Leka, ka punuar më pas si këshilltar i minsitrit të punëve të jashtme të Shqipërisë, i ministrit të punëve të brendshme dhe presidentit të republikës. Në vitin 2010 është fejuar më një aktore të re të teatrit shqiptar, Elia Zaharia, në një ceremoni në hotel Lutetia në Paris. Ai ka shpallur martesën për në 8 tetor 2016, ditën e përvjetorit të gjyshit të tij, mbretit Zog.
Pas vdekjes së mbretëreshës, Virginia, e cila e shoqëroi nga Afrika e Jugut në Shqipëri, shkoi t’i mbyllte ditët e saj në Hungari. Nuk jetoi as disa javë më shumë se e motra dhe tashmë prehet përbri Andre Baghy-së, bashkëshortit të saj të parë në Baghy Major, pranë Szolnok-ut, në pjesën qëndrore të vendit. Shqipëria për njërën, Hungaria për tjetrën… Fati, i cili i trazoi aq shumë, u dha edhe shpërblimin e fundit që të prehen në paqe, atje ku kishin lënë përgjithmonë zemrën e tyre.
Shkëptuar nga libri i autores “Josephine Dedet” me titull: Geraldina mbretëresha e shqiptarëve