Presidenti Rexhep Tajip Erdogan vlerësoi samitin e G20 të organizuar nga Japonia, duke thënë se kjo ishte një ngjarje e suksesshme dhe ai mbajti takime produktive me partnerët globalë.
Në një seri mesazhe të postuara në faqen e tij zyrtare në Twitter, Presidenti Erdogan uroi kryeministrin japonez Shinzo Abe për pritjen e samitit, i cili u lejoi udhëheqësve botërorë të diskutojnë çështje të rëndësishme në axhendën globale.
“Ne gjetëm një mundësi për të ndarë veprimet dhe perspektivat e Turqisë në lidhje me një sërë çështjesh, duke përfshirë kundër-terrorizmin, ekonominë globale, inovacionin, digjitalizimin, kujdesin shëndetësor dhe mjedisin, në takimet shumëpalëshe dhe dypalëshe”, tha Erdogan.
Duke iu referuar takimit me Presidentin e SHBA, Donald Trump, ai tha: “Kam pasur një takim shumë produktiv me presidentin e SHBA, që besoj se do të kontribuojë shumë në zhvillimin e marrëdhënieve politike, ushtarake dhe tregtare të kombeve tona”.
“Kryeministrja britanike Theresa May dhe unë shkëmbyem pikëpamje mbi çështjet rajonale dhe globale, duke përfshirë Mesdheun Lindor, dhe marrëdhëniet tona politike dhe tregtare. Ne ramë dakord për një qasje të orientuar drejt zgjidhjes së këtyre çështjeve,” shtoi Erdoğan.
Ai tha se ata diskutuan marrëdhëniet Turqi-Francë dhe zgjidhjen e çështjeve mes dy vendeve me homologun e tij francez Emmanuel Macron.
Ai gjithashtu mbajti bisedime me kancelaren gjermane Angela Merkel se si të zhvillojnë më tej marrëdhëniet dypalëshe.
Turqia dhe Rusia ranë dakord të vazhdojnë përpjekjet për të zhvilluar më tej marrëdhëniet e tyre të mirëpërcaktuara në të gjitha aspektet, shkroi Erdogan lidhur me takimin e tyre me homologun e tij rus Vladimir Putin.
Erdogan tha se besonte se takimi i tij me kryeministrin e Indisë, Narendra Modi, do të hapë rrugën për zhvillimin e marrëdhënieve, ndërsa ata diskutuan tregtinë dypalëshe, bashkëpunimin e mbrojtjes dhe luftimin e terrorizmit.
Takimi i Liderëve të G20, i ndjekur nga më shumë se 2,000 gazetarë nga e gjithë bota, u ndoq nga 30,000 njerëz, përfshirë 19 udhëheqës dhe delegatë nga Bashkimi Evropian.