MENU

Drejt Hagës

Greqia, notë zyrtare Gjermanisë për dëmshpërblimet e luftës

06.06.2019 - 16:26

Ministria e Jashtme greke ka publikuar notën zyrtare, me anë të së cilës i kërkon Gjermanisë dëmshpërblimet e Luftës së Dytë Botërore, pas miratimit të rezolutës përkatëse nga Parlamenti në fund të muajit prill.

Megjithëse përgjigjja e Berlinit ka qenë dhe mbetet negative, qeveria greke i kërkon asaj gjermane negociata për plotësimin efektiv të këtyre kërkesave, të cilat janë të një rëndësie të veçantë për popullin grek, si çështje morale dhe materiale.

“Qëndrimi i Qeverisë federale mbetet i pandryshuar: Çështja e kompensimeve gjermane është zgjidhur përfundimisht, si ligjërisht, ashtu dhe politikisht”, do të shprehej Steffen Seibert, zëdhënës i qeverisë gjermane më 18 prill të këtij viti.

Pretendimet e Greqisë kanë të bëjnë me kompensimin dhe dëmshpërblimet për dëmet që pësoi vendi dhe qytetarët gjatë Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore, dëmshpërblimet e luftës për viktimat dhe pasardhësit e tyre nga pushtimit gjerman, shlyerjen e të ashtuquajturës “kredi e pushtimit”, si dhe kthimin e veprave të artit dhe atyre arkeologjike të grabitura nga nazistët.

Kërkesën e Greqisë e mbështeti që në fillim partia e majtë gjermane “Die Linke”.

“Nuk ka dyshim se Greqia ka marrë dëmshpërblime jashtëzakonisht të pakta nga Gjermania dhe se shuma të mëdha, me miliarda janë vjedhur atje nga Vermahti dhe banka e atëhershme. Ndaj dhe duhet gjetur një konsensus për këtë çështje”, tha Bernd Riexinger, lider i “Die Linke”.

Nota zyrtare është dorëzuar në Ministrinë e Jashtme gjermane nga ambasadori grek në Berlin dhe ky akt cilësohet si një hap tjetër drejt dërgimit të çështjes në Gjykatën ndërkombëtare të Hagës.

Sipas medieve greke, llogaritet se shuma që i kërkohet Gjermanisë nga Lufta e Dytë Botërore është 269.5 mld euro, shumë pak më e vogël sesa borxhi kolosal grek.