1712 – Lindi në Zvicër Jean-Jacques Rousseau, i quajtur “Filozofi i Gjenevës”, ishte dijetar dhe shkrimtar. Filozofia e tij politike ndikoi në Revolucionin Francez, si dhe në zhvillimin e mendimit politik, sociologjik, dhe arsimor bashkëkohor. Rousseau ishte gjithashtu kompozitor i suksesshëm; autor i 7 operave, si dhe muzikë zhanresh të tjera; ai dha ndihmesë në muzikë edhe si teoricien. Gjatë periudhës së Revolucionit Francez, Ruso, me idetë e tij, ishte filozofi më popullor mes anëtarëve të Klubit Jakobin. Shkrimet e tij autobiografike – përbëjnë fillimin e zhanrit të autobiografisë siç njihet sot. Rousseau u varros si një hero kombëtar në Panteonin në Paris, në vitin 1794, 16 vjet pas vdekjes.
“Personi i parë që rrethoi me gardh një copë tokë, pastaj u tha njerëzve se ishte e tija dhe ata e besuan, u bë themeluesi i vërtetë i shoqërisë civile. Nga sa shumë krime, luftëra, vrasje, mizori raca njerëzore do të kishte shpëtuar sikur një person të kishte dalë e ta rrëzonte gardhin, dhe t’u thoshte të tjerëve: ‘mos e besoni këtë mashtrues’. Ju jeni të humbur nëse harroni se frutat e dheut u përkasin të gjithëve dhe toka asnjërit! ”
“Social Contract”, Jean-Jacques Rousseau
1867 – Itali; lindi Luigi Pirandello, dramaturg, novelist, poet dhe mjeshtër i tregimit të shkurtër. Më 1934, Pirandello fiton Çmimin Nobel në Letërsi “për rigjallërimin e dramës”. Veprat e Pirandello përfshijnë romane, qindra tregime, dhe rreth 40 drama, disa prej të cilave në dialektin sicilian. Pirandello cilësohet shpesh si pararendës i Teatrit të Absurd. “Çdo njeri, i cili është ngritur pak mbi nivelin e kafshëve dhe bimëve nuk jeton për hir të jetesës, pa ditur se si të jetojë; por jeton për t’i dhënë jetës kuptimin dhe vlerën e vet….. ”
1859 – Zhvillohet parada e parë me qen të racave të ndryshme, në Newcastle-mbi-Tyne, Angli.
1894 – Dita e Punës shpallet festë zyrtare amerikane.
1914 – Franz Ferdinand, Arkidukë i Austrisë dhe gruaja e tij Sofia vriten në Sarajevë nga nacionalisti serb boshnjak Gavrilo Princip, duke u bërë shkaku i Luftës së Parë Botërore. Po këtë ditë, më 1919 Traktati i Versajës nënshkruhet në Paris, duke i dhënë fund Luftës së Parë Botërore, me Gjermaninë si humbësen kryesore.
1921 – Mbreti Aleksandri i Serbisë shpall kushtetutën e re të Mbretërisë së Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve, e njohur më pas si Kushtetuta e Vidovdanit.
1926 – Krijohet firma Mercedes-Benz kur Gottlieb Daimler dhe Karl Benz bashkojnë dy kompanitë e tyre për prodhimin e automobilave.
1940 – Rumania i dorëzon Besarabinë (Moldavinë) Bashkimit Sovjetik.
1948 – Kominformi qarkullon “Rezolutën për situatën në Partinë Komuniste të Jugosllavisë”; Jugosllavia përjashtohet nga blloku komunist. Kjo ngjarje shkaktoi edhe kthesën e madhe në marrëdhëniet Tiranë – Beograd, si dhe spastrimin e parë të madh, pas luftës, në parti e qeveri në Shqipëri.
1989 – Në 600 vjetorin e Betejës së Fushë Kosovës, presidenti jugosllav Sllobodan Millosheviçi mban fjalimin e Gazimestanit, në vendin e betejës historike. Po këtë ditë, më 2001, Millosheviçi, i arrestuar nga qeveria e Serbisë, dërgohet duarlidhur në Gjykatën ndërkombëtare të Hagës për krime lufte.