Gjatë fjalës së tij në Parlament, kryeministri Rama në fjalën e tij i drejtoi një mesazh keqardhjeje presidentit Meta.
Rama theksoi se nuk do të dorëzohet as si kryeministër e as si qytetarë për të pranuar atë që ai e cilëson si fatalitet dhe pisllëk.
“Nuk dorëzohem as si kryeministër jo e jo, por as si qytetar nesër duke e pranuar si fatalitet maskarallëkun, pisllëkun dhe hajvanllëkun.
Unë e kam votuar Metën si President, gjithkush në këtë sallë ka bërë të njëjtën gjë, shumëkush më ka kritikuar në rrjetin tim social vazhdimisht më zhdëpin për zgjedhjen e tij, jo pak më kanë mallkuar dhe sa shfaqet Ilir Meta me ndonjë nga paudhësitë e veta më përvishen mua të gjithë.
Po të ktheheshim mbrapsht do bëjë prapë të njëjtën gjë, për shumë arsye që nuk është rasti ti rendis, por është rasti tu kujtoj se Meta u zgjodh president me votat e tij, votat tona e pengonin por nuk mjaftonin për të zgjedhur.
A e kam imagjinuar unë, jo? Por se do ta kthente këtë zgjedhje për të udhëhequr një plan çoroditës të orkestruar bashke me Saliun, jo këtë se kisha imagjinuar. Ka kaluar tej çdo imagjinate dhe nuk tolerohet, Ilir Meta e ka humbur të drejtën për detyrën vendi është parlamentar dhe Presidenti është garant i unitetit jo interpretuesi subjektiv i kushtetutës.
Shpreh keqardhje si njëri, mik, kundërshtar dhe aleat si dikush që nuk ka bërë vetëm të këqija por ka dhënë kontribute pozitive, i uroj me gjithë zemër ta lexojë me kthjelltësi këtë, nëse ka probleme me dëgjimin dhe nuk do ti kuptojë qartë fjalët që do thuhen sot në adresë të tij”, ka thënë Rama.
Ndërkohë që Rama ka mbyllur fjalimin, deputetët e PS kanë shpërthyer në duartrokitje, duke vazhduar për disa çaste, edhe pse Gramoz Ruçi lajmëroi deputetin e radhës në fjalim.