MENU
klinika

Cila ishte perëndesha Eia?

Iliria ndër të parat vatra të krishtërimit në Evropë

04.06.2019 - 15:01

    Mitologjia greke është ruajtur më gjerësisht se çdo mitologji tjetër e lashtë dhe njihet në mënyrë të gjithanshme, falë burimeve të shumta të lashtësisë klasike, ndërkohë që mitologjia romake tanimë  është rikonstruktuar duke u nisur nga burimet e pseudohistorisë së Romës së lashtë.

Njohuri të shumta ekzistojnë për mitologjinë e lashtë indiane dhe atë iraniane (kjo e fundit në gjëndjen e reformuar nga Zoroastra). Mitologjia gjermanike (suedeze dhe islandeze) u regjistrua qysh nga shekulli IX ( Adami i Bremenit në veprën “ Historia e Dioqezës së Hamburgut”), dmth para krishtërimit të popujve të atyre vendeve ose në një kohë kur sapo kishte filluar ai proces konvertimi fetar, andaj edhe mund të besohet se regjistrimi i shmangu ndikimet eroduese të ideologjisë së krishterë, ndonëse aspektet e asaj mitologjie “ pagane” që binin në kundërshtim të hapët me atë ideologji iu  nënshtruan redaktimeve rrënjësore. Përveç kësaj, të dhëna nga epoka parakristiane për mitologjinë e popujve gjermane ka sjellë Jul Qezari dhe Taciti. Të dhënat e mitologjisë së lashtë të popujve baltë u nxorrën fillimisht nga Chronicon  Prussiae e vitit 1326 [ndërkohë që krishtërimi i baltëve nisi nga fundi i shekullit XIV e fillimi i shekullit XV dhe kjo vetëm zyrtarisht e nga lart (Puhvel, 1973)], si  dhe nga mitologjia e tyre e sotme.

Situata për popujt e tjerë të familjes indoevropiane është më e pafavorshme. Shumë popuj indoevropianë hynë në erën e krishterë para se të arrinin ta shkruanin gjuhën dhe mitologjinë e tyre. Kështu, p.sh. mitologjia kelte del e shkruar kryesisht rreth vitit 1100 të erës sonë (tradita gojore irlandeze që u shkrua qysh në shekullin VI, thuajse u zhduk gjatë sulmeve të vikingëve). Mitologjia e lashte sllave është nxjerrë nga burime kronikale mesjetare, si dhe nga mitologjia e sotme sllave.

 

 

 

 

 

 

Ndër popujt indoevropianë që kanë mbijetuar etnikisht deri në ditët tona, mitologjia e ilirëve është, me sa duket, ajo që njihet më pak e që është studiuar më pak dhe vështirësitë për rikonstruktimin e saj nuk janë të zakonshme.

Mitologjia ilire u zhvillua nga njëra anë mbi bazën e mitologjisë indoevropiane dhe, nga ana tjetër, mbi bazën e besimit të popullsisë “mesdhetare” që ardhësit indoevropianë gjetën në Ballkanin perëndimor. Kështu, mitologjia ilire do të pasqyronte në mitet e veta edhe ndryshimet etnologjike, sociale, ekonomike dhe politike që ndodhën në shoqërinë e re, rreth tre mijë vjet më parë. Rrjedhimisht, periudha e zhvillimit të asaj mitologjie zgjati rreth dy mijëvjeçarë, nga koha e formimit të etnosit ilir deri në periudhën e krishtërimit të Ilirisë ( shekulli IV-V). Burime të shkruara lidhur me besimin dhe mitologjinë ilire ekzistojnë vetëm për më pak se gjysmën e periudhës së evolucionit të saj, nga shekulli V p.e.s deri në shekullin V të erës sonë.

E ndodhur në një nga vatrat e hershme të mëdha të qytetërimit mesdhetar e botëror, shoqëria ilire pati marrëdhënie këmbimi të dyanshme me qytetërimet klasike të Greqisë e të Romës së lashtë, por me ato të popujve të tjerë indoevropianë, si trakët, dakët, myzët e keltët (fillimisht e përkohësisht, mbase edhe me baltët, siç duket se duan të thonë konkordancat gjuhësore shqiptaro-balte) e nëpërmjet botës greko-romake, edhe me qytetërimet e Lindjes së Afërme.

Nga sa u parashtrua, mitologjia ilire duhet parë si një mitologji bijë e mitologjisë së përbashkët indo-evropiane, të zhvilluar në bazë të modelit gjenetik (dhe modeleve të tjera sekondare bashëvepruese), nën ndikimin e një sërë faktorëve të tjerë, mitologjikë dhe jomitologjikë, indoevropianë dhe joindoevropianë.

Kur themi se mitologjia ilire u zhvillua në bazë të një modeli gjenetik nga mitologjia e përbashkët indoevropiane, larg çdo thjeshtimi e idealizmi, ne kemi parasysh vetëm se struktura e saj bazë ka prejardhjen në mitologjinë indoevropiane, që u zhvillua rreth 6 000 vjet më parë, në një rajon ende të paidentifikuar me siguri, por ka shumë të ngjarë në stepat e euro-aziatike.

Modeli gjenetik nuk është deduktuar nga konsiderata të përgjithshme, sidomos nga konsiderata linguistike, të cilat e bien ilirishten, dhe shqipen si vazhduese të drejpërdrejt të saj, të prejardhur nga burimi i përbashkët i protoindoevropianishtes. Sot ne kemi në dorë një sërë paralelesh të mitologjisë shqiptare me mitologjitë e popujve të tjerë indoevropianë, që gjeografikisht gjenden aq larg sa që këto paralele nuk mund të shpjegohen as me modelin e shpikjes së pavarur ( independent invention) as me modelin e përhapjes valore ose të përbërë. Këto paralele i gjejmë:

  • Në përbërjen e panteonit të ilirëve,
  • Në strukturën e panteonit ilir
  • Në nomenklaturën e panteonit dhe të mitologjisë ilire,
  • Në temat e përbashkëta mitologjike të ilirëve dhe të shqiptarëve.

Modeli gjenetik i mitologjisë ilire, në përgjithësi, nuk përjashton ndikimet e tjera brendafamiljare (indoevropiane) dhe jashtëfamiljare (joindoevropiane), në atë mitologji, si para ashtu edhe pas nguljes së komponentit etnik indoevropian të ilirëve në Ballkanin perëndimor. Kjo do të thotë se ne mund të përfytyrojmë një ndikim fillestar të kulturave joindoevropiane në rrugën e mërgimit të paraardhësve indoevropianë të ilirëve dhe pas nguljes së tyre në Ballkan, ku ata hasën një panteon “ matriarkal” të cilin e asimiluan, e shndërruan dhe e përdorën në përputhje me strukturën sociale patriarkale të shoqërisë së tyre.

Pas nguljes dhe stabilizimit të ardhësve në trojet e tyre historike të Ballkanit perëndimore, mitologjia ilire iu nënshtrua kryesisht ndryshimeve, brendafamiljare indoevropiane të panteoneve fqinjë grekë, romakë, keltë dhe trakë dhe sipas një modeli të përhapjes së përbërë, edhe ndikimeve të mitologjisë së popujve të Lindjes së Afërme.

Përhapja e krishtërimit në Iliri, duhet mbajtur parasysh se Iliria ka qenë një nga vatrat e para të krishtërimit në Evropë, ndikoi thellë në strukturën e mitologjisë ilire, ashtu si dhe në mitologjitë parakristiane të popujve të tjerë indoevropinë. Ato mitologji vendase, iu nënshtruan një presioni të fortë dekompozues të ideologjisë monoteiste të krishterë, e cila në përpjekjen për të zënë vendin e saj në botën shpirtërore të ilirëve, e shpalli besimin e ilirëve, po ashtu si dhe besimet parakristiane të popujve të tjerë indoevropianë, si besime të ulëta dhe adhurimin e hyjnive të tyre si mëkat.

 

 

 

 

Fillimisht, misionarët e krishterë u përpoqën të tregonin karakterin inferior të politeizmit  e të perëndive të panteonit pagan, duke përfshirë atë ilir, si prodhime fantastike të krijuara nëpërmjet “transpozimit euhemeristic” të qenieve të vdekshme ose heronjve të tyrë etnikë. Kështu, Shën Augustini shpjegonte : “se ata nuk i kushtojnë vëmëndje faktit se në te gjithë literaturën e paganëve nuk ka perëndi, ose thuajse nuk ka perëndi që nuk kanë qenë njerëz, të cilëve, pas vdekjes u janë bërë nderime hyjnore” ( Bolle, 1970). Megjithatë, më vonë, duke e gjetur të pamundur të bindte paganët për mosekzistencën e perëndive pagane, Kisha do të përpiqej t’i shndërronte disa perëndi të tyre  në demonë (Bolle, 1970). Kështu, u kalua nga një qendrim redukcionist fillestar në demonizimin e perëndive ilire, disa prej të cilave dalin në mitologjinë e sotme të shqiptarëve, të shndërruara në demonë, po ashtu, p.sh, siç ka ndodhur sidomos në mitologjinë e popujve baltë.

Karakteri luftarak i shoqërisë ilire normalisht do të shpinte në hipertrofizëm të nivelit të dytë e të parë të hierarkisë së panteonit të tyre, dmth, të perëndive sunduese, të luftës e të forcës fizike, si dhe një zhvillim e lulëzim të traditës gojore epike  të një mitologjie heronjsh.

Sado të mangëta, burimet e lashta ofrojnë një numër mitesh rreth prejardhjes së ilirëve dhe rreth adhurimit të vendeve të shenjta kurse nga mbishkrimet e zbuluara në trojet e ilire ne jemi njohur me 25-30 emra perëndish ilire. Në qoftë se numrit prej 25 do t’i shtonim edhe disa perëndi të tjera, që dihet se duhet  të kenë ekzistuar, por ende nuk janë zbuluar në mbishkrimet e lashta, atëherë ky numër do të arrinte mbi 30. Kjo e tejkalon optimumin prej 10-20 të numrit të subjekteve të panteoneve indoevropiane (Gladigov, 1983).

Një numër kaq i madh perëndish nuk do të lejonte koherencën e brendshme të panteonit të tyre, kështu që nuk ka dyshim (dhe kjo provohet me siguri) se shumë nga emrat e perëndive ilire që dalin në mbishkrimet e larta kryejnë funksione identike ose te ngjashme, duke dalë me emra të ndryshme në fise të ndryshme ilire. Kjo do të thotë se struktura shoqërore ende e pacentralizuar e bashkësisë së fiseve ilire bëri që të rritet nomenklatura, jo si rrjedhim i rritjes së repertorit funksional të panteonit, por si rrjedhim i përdorimit në fise të ndryshme i emrave të ndryshme për të njëjtën perëndi/ funksion hyjnor. Mjafton të kujtojme lidhur me këtë faktin se vetëm për perëndinë e bukurisë e të dashurisë (analoge e Afroditës greke dhe e Venusit romak) në Iliri janë gjetur dy – tri emra: Ansotika, Eia dhe pjesërisht, edhe Lahona. Por, sigurisht, krahas emërtimeve lokale fisnore, shumë emra perëndish ilire mund të kenë patur përhapje mbarëiliriane. Duhet pranuar gjithashtu, nga njëra anë, se emrat e perëndive ilire kanë ndryshuar në hapësirë e në kohë, por, nga ana tjetër, ndryshimi i emrit nuk tregon medoemos edhe ndryshimin e funksionit të një perëndije nga njëri fis në tjetrin. Për këtë arsye, këtu u parapëlqye klasifikimi tipologjik i perëndive të ilirëve.

 

 

 

 

Klasifikimi i subjekteve të panteonit ilir sot mund të bëhet në kuadrin e standartizuar që ofrohet nga ideologjia funksionale tripjesëshe dymeziliane. Sipas asaj “ ideologjie”, popujt indoevropianë e kanë pasqyruar edhe në mitologjinë e në panteonin e tyre strukturën klasore të shoqërisë primitive indoevropiane që përbëhej nga masa e gjerë e prodhuesve, nga klasa e ushtarakëve dhe prijasve ushtarakë dhe nga sunduesit e fiseve ose priftërinjtë, që përbënin shtresën e shënjtëruar dhe kishin pushtetin fetar e shpirtëror të asaj shoqërie. Rrjedhmisht, në panteonin e mitologjinë e këtyre popujve zbulohet një hierarki funksionesh, që përfshin:

-Një nivel të lartë funksional të sundimit e të krijimit,

– Një nivel të dytë funksional të pushtetit të forcës dhe

– Një nivel të tretë, më i ulët, me funksionet e prodhimit, riprodhimit e të mirëqënies.

Megjithatë, si dhe në sistemet e perëndive të popujve të tjerë indoevropianë, edhe në atë ilirian, vihen re përzierja e funksioneve: një numër perëndish të nivelit të parë ( sundues) kryejnë edhe funksione të nivelit të dytë ( të luftës) por, në përgjithësi, në panteonin e ilirëve vihet re një hipertrofizëm i nivelit të parë.

Siç u përmend më parë, panteoni i ilirëve përfshin një numër relativisht të madh emrash perëndish, por numri i subjekteve ulet po të mbajmë parasysh faktin që, në një numër rastesh, e njëjta perëndi del me emra të ndryshme në fise të ndryshme ilire. Kjo është fare e natyrshme për një popull të lashtë me një shtrirje gjeografike aq të madhe, nga stepat e Hungarisë së sotme deri në gjirin e Ambrakisë në jug dhe nga Adriatiku e Joni deri në malet e Pindit dhe Trakinë në lindje. Një numër prej 30 perëndish nominale është, pa dyshim, më i vogël se numri i emrave të perëndive të fiseve kelte të Evropës, që arrin në rreth 400 ose të mitologjisë greke  që është mbi 100. Në gjëndjen e sotme të njohurive, numërohen rreth 23 perëndi ilire me profil funksional pak a shumë të dallueshëm, çka përfaqëson një numër plotësisht të mjaftueshëm për të siguruar  “koherencën e strukturës ndërvepruese dhe uniformitetin e tablosë” të një panteoni, si një institucion i kulturës.

Vetë struktura e shoqërisë ilire dhe themelimi i një shteti të centralizuar në Ilirinë e jugut frymëzonin zhvillimin e një hierarkie rigoroze në panteonin e tyre. Kontardiktat sociale dhe ekonomike në gjirin e shoqërisë ilire, situatat shpërthyese të ngarkuara me rreziqe të vazhueshme luftrash ndërfisnore dhe me shtetet e popujt fqinjë duhet të kenë lënë gjurmët e tyre dhe të jenë pasqyruar edhe në marrëdhëniet si dhe në lidhjet midis subjekteve të panteonit ilir.

Në qoftë se mund të thuhet që, në vija të përgjitshme, përbërja e panteonit ilir njihet në një shkallë të konsiderueshme, struktura e tij, dmth ndërveprimet, marrëdhëniet dhe lidhjet gjenealogjike midis perëndive të këtij panteoni janë ende të paeksploruara dhe, tani për tani, hamëndjet tona mund të bazohen kryesisht në ato që mund të deduktohen në parim nga struktura dhe tematika e panteonit indoevropian në përgjithësi dhe e panteoneve të veçanta të popujve të familjes indoevropiane.

Një burim shumë i vlefshëm lënde për rikonstruktimin e mitologjisë ilire është mitologjia e sotme shqiptare ku temat dhe figurat mitologjike ilire mund të kenë mbijetuar, qoftë edhe të transformuara ose dhe të demonizuara në përrallat, legjendat, sagat dhe besimet popullore.

Ruajtja deri në ditët tona e elementëve mitologjikë të lashtë ilirë sado që në forma të transpozuara, të historicizuara dhe të shndërruara në figura përrallash në mitologjinë e sotme të shqiptarëve, edhe pas një ndikimi të tejzgjatur shumëshekullor kulturor, fetar, e administrative grek, romak, bizantin, sllav e turk, përfaqëson një “ mrekulli” mbijetese. Ajo është dëshmi e fuqishme e faktit që ilirët arritën një stad të atillë të zhvillimit ekonomiko- shoqëror e kulturor, që i lejoi ata të krijonin “ tablonë e mbyllur botërore të mbështetur tanimë në operacione mendore”, që bëjnë të mundur jo më një pasqyrim spontan, “të hapur” e të përgjithshëm të natyrës e të shoqërisë, por një diferencim të realitetit në të gjallë e jo të gjallë, në materie e në shpirt, në shoqëri e në individ.

Në të njëjtën kohë, panteoni i ilirëve është një shprehje shpirtërore e sigurisë dhe qëndrueshmërisë së një shoqërie të organizuar në një sistem që shfrytëzon aparatin shtetëror dhe tërë mekanizmat e tij: të drejtën, moralin, kulturën dhe teknologjinë, për të garantuar zhvillimin e saj./Konica.al

Shkëputur nga “Në gjurmët e perëndive dhe mitologjemave ilire”, nga Nelson R. Çabej

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit