MENU
klinika

“Dialogu për Ballkanin Perëndimor”

Integrimi në BE/ Basha mban ligjëratë në Berlin

03.06.2019 - 20:33

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha gjatë vizitës së tij në Berlin do të ligjërojë mbi temën “Dialogu për Ballkanin Perëndimor në Berlin”, ku do marrin pjesë edhe personalitetet kryesore të partisë së CDU-së.

Angazhimi i Gjermanisë ndaj perspektivës Europiane për vendet e Ballkanit Perëndimor, zgjerimi i BE dhe strategjia politike dhe ekonomike për Ballkanin Perëndimor janë temat në qendër të Dialogut të Nivelit të Lartë që organizon Fondacioni Konrad Adenauer në bashkëpunim me Këshillin Ekonomik Gjerman në Berlin, ku po merr pjesë kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha.

Sipas zyrës së shtypit të PD-së, të ftuar të veçantë të këtij takimi do të jenë Presidenti i Bundestagut gjerman, Dr Wolfgang SCHÄUBLE, Kryetarja e CDU, Annegret KRAMP-KARRENBAUER dhe Komisioneri i BE për Buxhetin dhe Burimet Njerëzore, Günther OETTINGER.

Një ndër referuesit kryesore në këtë konferencë do të jetë Manfred Weber, kandidati i Partisë Popullore Europiane për President të Komisionit Europian.

Joachim Bertele, zv.Kryekëshilltari i kancelares Angela Merkel për Politikat e Jashtme, të Sigurisë dhe Zhvillimit, do të hapë punimet e Dialogut 2 ditor me një prej temave më të rëndësishme, Procesi i Berlinit dhe përtej: Angazhimi i Gjermanisë për perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor. Në konferencën dy ditore janë angazhuar personalitete të larta të politikës, ekonomisë dhe diplomacisë gjermane.

Ndër referuesit që kontribojnë në këtë Konferencë janë Peter ALTMAIER – Ministri Federal për Ekonomi dhe Energjetikë, Jens SPAHN – Ministri Federal i Shëndetësisë, Cem ÖZDEMIR – Kryetar i Komisionit për Transport dhe Infrastrukturë Dixhitale në Bundestag dhe Thomas Bareiss, Sekretar Shteti i Parlamentit në Ministrinë Federale Gjermane për Çështje Ekonomike dhe Energjetikën.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, është një ndër kontribuesit kryesorë në panelin e veçantë për të diskutuar së bashku me anëtarë të grupit parlamentar CDU/CSU sfidat dhe mundësitë lidhur me procesin e integrimit te Shqipërisë ne BE si interesi më madhor i çdo qytetari shqiptar.

Në qendër të diskutimeve me personalitetet e larta nga politika dhe industria gjermane është edhe intensifikimi i bashkëpunimit politik dhe ekonomik me Gjermaninë dhe parashtrimi i planit të Partisë Demokratike për zhvillimin ekonomik të vendit e në veçanti thithja e investimeve gjermane, bazuar në programin ekonomik të hartuar me mbështetjen e Fondacionit Konrad Adenauer dhe ekspertëve ekonomikë të Unionit Kristian-Demokrat Gjerman CDU.